Georgia- Easter Georgia- Easter 

Dialogu ndërmjet murgeshave të krishtera e budiste mbi jetën kundruese dhe dëshminë në shoqëri

Në respektimin e bindjeve dhe tipareve të çdonjërës, murgeshat mund të mësojnë nga njëra-tjetra si të pasurohen në aspektin shpirtëror, kulturor dhe shoqëror, dhe dëshmojnë përmasën transcendentale në shoqëri. "Veprimi soditës dhe kundrimi aktiv".

R. SH. - Vatikan

Dialogu i parë ndërkombëtar budist-krishterë  mbajtur ndërmjet murgeshave "ishte një moment historik për të nxitur mirëkuptimin reciprok dhe miqësinë ndërmjet nesh, si rregulltare, në mënyrë që mund të ndërtohen ura që i lidhin rrugët tona të ndryshme shpirtërore”. Kështu pohojnë në një deklaratë të përbashkët, në përfundim të punimeve, pjesëmarrëset e takimit "Veprimi soditës dhe kundrimi aktiv: murgeshat budiste dhe të krishtera në dialog", që  u mbajt në Tajvan, nga data 14 deri më 18 tetor të kaluar, shkruan e përditshmja e Selisë së Shenjtë L’Osservatore Romano.

Dialogu u organizua nga Këshilli Papnor për Dialogun Ndërfetar, në bashkëpunim me shoqatën e eproreve të rregulltareve në Tajvan, me Dialogun interreligieux monastique / Dialogun ndërfetar murgar,  dhe manastirin budist Fo Guang Shan, që ishte edhe vendi i mikpritjes së kësaj konference, e cila u hap me përshëndetjen e të nderuarit Hsin Bao drejtuar shtatëdhjetë murgeshave nga Tajvani, Koreja, Japonia, India, Sri Lanka, Mianmari, Tajlanda, Singapori, Hong Kongu, Kamboxhia, Filipine, Brazili, Italia, Gjermania, Norvegjia  dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Në deklaratën e fundit, përmbledhur në tetë pikë, të inkurajuara nga rezultatet e frytshme të konferencës në fjalë, pjesëmarrëset, ndër të tjera, pranojnë se, duke qëndruar  të palëkundura në bindjet e tyre më të thella dhe duke jetuar sipas tipareve që karakterizojnë çdonjërën, murgeshat mund të mësojnë nga njëra-tjetra si të pasurohen në aspektin shpirtëror, kulturor dhe shoqëror, e në këtë mënyrë të bëhet dëshmitare të përulura dhe të besueshme të përmasën transcendentale në shoqërinë bashkëkohore.

Gjithashtu murgeshat janë të mendimit se dëshmia e tyre e një stili të veçantë të jetës, mund të jetë kuptimplotë, e rëndësishme për të zbuluar gëzimin shpirtëror, që kalon përmes shkëputjes nga konsumizmi, materializmi dhe individualizmi dhe se mund t’i inkurajojë edhe të tjerët për të ecur në rrugën e virtyteve.

Këndej theksojnë rëndësinë e të qenit soditës në veprim, duke punuar së bashku, për të treguar dashurinë ndaj njerëzve që më në nevojë dhe, për të sjellë shpresë e shërim në jetën e tyre. Murgeshat budiste e të krishtera janë të bindura se dialogu ndërfetar është një rrugë që burrat dhe gratë duhet të bëjnë së bashku.

25 tetor 2018, 16:19