Kërko

Ekspozita për të krishterët e persekutuar në Lindjen e Mesme Ekspozita për të krishterët e persekutuar në Lindjen e Mesme 

Cross in Fire: objekte dhe fotografi të persekutimit kundër të krishterëve

Ekspozita “Cross in Fire” është realizuar nga Muzeu Kombëtar Hungarez, në bashkëpunim me institute të ndryshme kërkimore të vendit dhe me mbështetjen e Sekretariatit të Shtetit për Ndihmën e të Krishterëve të Persekutuar.

R.SH. - Vatikan

Shtatore, libra kishtare e lutjeje, petka liturgjike të dëmtuara, fragmente gurësh nga kishat e shkatërruara, gjëra personale të viktimave të pafajshme: këto janë disa nga objektet e ekspozitës “Cross in Fire (Kryqi në Flakë) – Persekutimi i të krishterëve në Lindjen e Mesme”, hapur në Pallatin Kardinal Cesi, në via della Conciliazione(rruga e Pajtimit), dy hapa larg Shën Pjetrit, në Romë.

Objektivi i ekspozitës

         Objektet e ekspozuara mund të konsiderohen relike të vërteta, por synimi nuk është t’i jepen publikut pamje tronditëse, por të përforcohet vetëdija se rrënjët e krishtera të qytetërimit perëndimor gjenden në Lindjen e Mesme. Nëse do të zhdukeshin, njerëzimi mbarë do të pësonte një humbje të paparë.

Persekutimi i të krishterëve

         Numrat dhe përqindjet mund të ndihmojnë për të kuptuar sa i madh është persekutimi kundër të krishterëve në Lindjen e Mesme. Në Siri, në fillim të shekullit XX, një e treta e popullsisë ishte e krishterë. Në vitin 2011, ky numër u zvogëlua me 5-8%. Që nga fillimi i luftës, numri i të krishterëve, që kanë mbetur në vend nuk dihet me saktësi. E rëndë, edhe gjendja në Irak, ku nga 1,5 milion të krishterë në vitin 2003, kemi kaluar në 250 mijë vetë. Megjithëse më e madhe dhe më e gjallë, në Egjipt, bashkësia prej10 milion të krishterësh kërcënohet rëndë nga sulmet terroriste.

Propaganda xhihadiste

         Xhihadistët i konsiderojnë të krishterët e Lindjes së Mesme si pasardhës të kryqtarëve dhe të agjentëve të infiltruar të Perëndimit “ateist” e “të pabesë”. Objektivi i tyre është çrrënjosja e qytetërimit të krishterë, duke nisur nga baza: Lindja e Mesme. Ky plan terrorist përfshin edhe eliminimin e simboleve fetare e të trashëgimisë arkitektonike kristiane e parakristiane. Varret e shenjtorëve, pikturat, kishat, kuvendet, vendet e ndryshme të kultit, të rëndësishme për traditën e krishterë, janë bërë rrafsh me tokën nga xhihadistët.

Vullneti për të rilindur

         Për shkak të këtyre tmerreve, prania e të krishterëve në Lindjen e Mesme është në rrezik të madh. Prandaj, bota duhet të ndërgjegjësohet për pasojat e zhdukjes së tyre të mundshme nga ato troje. Fatmirësisht, nismat për t’i ndihmuar të krishterët të qëndrojnë, ose të kthehen në atdhe, janë të shumta. Njëra prej tyre është ajo e qeverisë hungareze, e cila, në vitin 2016, themeloi Sekretariatin e Shtetit për Ndihmën e të Krishterëve të Persekutuar, me synimin t’u japë atyre ndihma humanitare, të favorizojë rindërtimin dhe zhvillimin e bashkësive të dëmtuara, por edhe të sensibilizojë opinionin publik ndërkombëtar. Gjithashtu, është menduar një bursë studimi për të rinjtë e krishterë të Lindjes së Mesme, duke u dhënë atyre mundësinë të studiojnë në universitete të ndryshme hungareze.

09 tetor 2018, 13:58