Kërko

2018-01-31 interno abbazia vetrate 2018-01-31 interno abbazia vetrate 

Shenjtorët e javës 16 - 23 shtator

Jezusi nuk ka ardhur për të na mësuar ndonjë filozofi, por për të na treguar udhën, atë udhë që na udhëheq drejt jetës.Kjo udhë është dashuria, e cila është shprehje e fesë së vërtetë në Zotin.

R.SH. - Vatikan

E diel 16 shtator, Kisha kremton të Dielën e 24-të gjatë vitit kishtare, e gjithnjë më 16 shtator kalendari kishtar përkujton edhe shenjtorët Korneli papë e Çipriani ipeshkëv, martirë, Eufemia martire e Vitori, papë. Liturgjia e së dielës, na kujton se Jezusi nuk ka ardhur për të na mësuar ndonjë filozofi, por për të na treguar udhën, atë udhë që na udhëheq drejt jetës.Kjo udhë është dashuria, e cila është shprehje e fesë së vërtetë në Zotin.

Të hënën më 17 shtator, kalendari përkujton shën  Robert Bellarminin, ipeshkëv e doktor i kishës. Emri i Shën Robert Belarminit lidhet ngushtë sa me historinë e Kishës katolike ndër shqiptarë, aq edhe me atë të letërsisë shqipe. Vepra e parë e imzot Pjetër Budit, Dottrina Christiana ose Doktrina e Kërshtenë, një nga veprat e para të shqipes së shkruar, është pikërisht përkthimi i katekizmit të Shenjtit Jezuit Robert Belarminit, botuar në Romë më 1618.

Të martën më 18 shtator, kalendari përkujton shën Jozefin nga Kopertino, shën Arianën. Përmes Ungjillit të kësaj së dite, Jezusi na mëson si duhet të përdorim pasurinë materiale. Kush është rob i pasurisë nuk mund të jetë besnik ndaj detyrave të veta të krishtera. Të mirat dhe pasuritë duhet të dimë t’i përdorim me urti, bujari, liri e shkëputje.

Të mërkurën më 19 shtator, kalendari kishtar përkujton shën Marjanin, shën Gjenarin, ipeshkëv i Beneventos e martir. Liturgjia e ditës na tregon udhën për të fituar shpëtimin prej Zotit: të bëhemi nxënës të tij e ti dëgjojmë e zbatojmë mësimet e apostujve, të cilët na propozojnë ato udhëzime që Mësuesi Hyjnor ua ka besuar atyre.

Të enjten më 20 shtator, kalendari përkujton shembullin e shenjtorëve Andrei Kim Taegon, meshtar e shokëve të tij, martirë koreanë. Liturgjia e ditës na kujton se gjithçka kemi, mund të bëhet mjet shëlbimi ose pengesë në rrugën tonë drejt mbretërisë qiellore e se dashuria jonë për Zotin duket në gjërat e vogla, të përditshme.

Të premten më 21 shtator, kalendari kujton festën e shën Mateut, apostull e ungjilltar. Liturgjia e ditës na kujton se ndjekja e Zotit përjashton çdo kompromis. Në se pranon ta ndjekësh Krishtin, duhet të heqësh dorë nga gjithçka tjetër. E atëherë do të vërejmë me gëzim se që në këtë jetë realiteti ynë nis të ndryshojë e zemra nis të na rrahë me ritmin e Zemrës së Zotit.

Të shtunën më 22 shtator, kalendari përkujton shën Mauricion me shokë, ushtarë e martirë. Liturgjia e kësaj dite na kujton se Zoti e do popullin e vet, se i prin drejt së vërtetës, drejt takimit me Hyjin Atë. Zoti zgjedh në histori figura të veçanta për t’i dhënë mesazhe të fuqishme popullit të vet.

Të dielën e ardhshme më 23 shtator, Kisha katolike do të kremtojë të Dielën e 25-të gjatë vitit, e gjithnjë më 23 shtator, kalendari përkujton shën Piun nga Pietralçina, meshtar kapuçin e shën Linin, papë. Liturgjia e ditës na kujton se edhe sot, si në kohët e largëta, ftohemi të hapim mendjen e zemrën, për t’i bërë vend fjalës së Zotit që shëlbon.

16 shtator 2018, 16:44