Kërko

VATICAN-POPE-MASS-WAY OF THE CROSS VATICAN-POPE-MASS-WAY OF THE CROSS 

Shenjtorët e javës 9 - 16 shtator

Feja nuk është diçka që imponohet. Një prozelitizem i tille është i huaj për krishterimin. Feja në Zotin mund të zhvillohet vetëm në liri. Vetëm në liri njerëzit mund të shërohen nga shurdhëzimi përballë zërit të Zotit, sëmundje nga e cila vuajmë posaçërisht në këtë kohen tonë.

R.SH - Vatikan

E diel 9 shtator, Kisha katolike kremton të Dielën 23-të të kohës liturgjike sipas vitit kishtar. E po sot kalendari kishtar përkujton edhe shën Pjetërin Klaver, meshtar jezuit, apostull ndër zezakë të internuar. 

Ungjilli i kësaj së diele na kujton se Jezusi “i bëri të shurdhrit të dëgjojnë dhe memecët të flasin", duke na rrëfyer episodin e shërbimit të një (Mk 7, 1-7). Jezusi doli nga krahina e Tirit, e në krahinat e Dekapolit, ia sollën një shurdhaman që mezi fliste, të cilin Ai e shëroi. Shërimi i memecit të shurdhër nga Jezusi, na ndihmon të zbulojmë e të njohim messianitetin e Tij dhe na nxitë t’i besojnë Atij dhe Fjalës së Zotit.

Të hënën me 10 shtator, kalendari kishtar përkujton shën Nikollën Tolentino, meshtar rregulltar agostinian. Liturgjia e ditës na kujton se në Hyjin është shpëtimi im e lëvdimi im, siç pohon Psalmi i ditës. Duke sfiduar çdo akuzë, Jezusi pikërisht ditën e shtunë, që për hebrenjtë është ditë e shenjtë e nuk punohet fare, e shëron njeriun nga sëmundja e paralizimit të dorës. Sipas Biblës festa e vërtetë është vetëm atëherë kur i kushtojmë kohë lavdërimit të Zotit e veprave të bamirësisë në dobi të atij që ka nevojë për ndihmë.

Të martën me 11 shtator, sipas kalendarit kishtar përkujtohen shenjtorët Proto e Gjaçinto, martirë dhe i lumi Bonaventura nga Barcelona, rregulltar françeskan.  Liturgjia e ditës na kujton se nganjëherë, për të bërë vepra të mira, duhet shumë guxim: ka njerëz që nuk kanë guxim të pendohen dhe u krijojnë pengesa atyre që bëjnë vepra të mira. Shenjtorët, duke u përpjekur t’i ngjasin Krishtit, kanë qenë gjithnjë njerëz të guximshëm.

 

Të mërkurën me 12 shtator, kremtohet festa e Emrit të Shenjtë të Virgjërës Mari, si dhe përkujtohet shën Guido nga Brabanti e Shën Silvani i Veronës.  Emri i Zojës Mari na kujton se nuk mund të quhemi ndjekës të Krishtit, në se nuk jemi edhe njerëz të uratës. Jezusi kalonte net të tëra në lutje, duke na mësuar të vërtetën se bota kthehet në rrugën e Zotit ‘me gjunjë’.

Të enjten me 13 shtator, kalendari përkujton shën Gjon Gojartin, ipeshkëv e doktor i Kishës, këndues i mrekullueshëm i lavdisë së Zotit.  Liturgjia e ditës na kujton se revolucionari më i madh që njeh historia është Jezusi: duke shpallur Ungjillin, në mënyrë të veçantë ‘Lumnitë’, Krishti revolucionarizoi mendësinë e mbarë popujve dhe vuri në jetë një ligj të ri

Të premten më 14 shtator, kalendari kishtar kremton festën e Naltimit të Kryqit të Shenjtë të Jezu Krishtit, siç njihet tek popullit shqiptar, festën e Shëna Kryqit, e po në këtë datë përkujton edhe shën Albertin, patrik të Jerusalemit. Je ti, o Zot, shpëtimi jonë. I lartuar mbi drurin e Kryqit, Biri i Zotit, Jezu Krishti Shpëtimtar, shëlbon gjithësinë dhe njerëzimin. Çdo herë që bëjmë shenjën e kryqit, ne rrëfejmë se prej Krishtit të gjithëve na është dhuruar jeta e amshuar. 
Festa e Naltimit të Kryqit të Shenjtë kremton një fakt historik të epokës së perandorit Kostandinit e nënës së tij Helenes, kur qe zbuluar mbi Golgotë në Jerusalem, Kryqi, mjeti i vdekjes së Krishtit. Ky Kryq i Krishti gjendet në Bazilikën e Jerusalemit.

 

Të shtunën më 15 shtator, kalendari kishtar do të kremtojë një nga festat më prekëse që ka për zemër populli besimtar katolikë, atë të Zojës së Dhimbshme . Në dhimbje, më ndihmo, o Zot. Martire megjithëse pa vdekur është Maria nën kryqin e të Birit. Nga shkatërrimi e dhimbja do të vijë ngjallja; në vend të Birit të humbur, do të ketë një mori e madhe besimtarësh në Krishtin.

 

Të dielën e ardhshme më 16 shtator Kisha do të kremtojë të dielën e 24-të gjatë vitit kishtare, e gjithnjë më 16 shtator kalendari kishtar përkujton edhe shenjtorët Korneli papë e Çipriani ipeshkëv, martirë, Eufemia martire e Vitori, papë.  Jeta shenjtorëve na kujton se ta jetosh e ta kumtosh Ungjillin, shpesh herë do të thotë t’i kundërvihesh kulturës në të cilën jeton. Na shtyn të mos pranojmë atë që duket se e pranojnë të gjithë e na kujton se, ndryshe nga të tjerët, ne nuk i pranojmë kënaqësitë dhe pushtetin e kësaj bote, në të cilën jemi shtegtarë që ecin drejt një bote më të mirë

 

09 shtator 2018, 14:03