Yemen, aiuti WFP per carestia Yemen, aiuti WFP per carestia 

Rritet uria në botë, sipas raportit të FAO-së

Paradoksi i 821 milionë njerëzve pak e keq të ushqyer dhe ai i 672 milionëve që janë obezë. Shkaqet: ndryshimet klimatike dhe ngjarjet ekstreme, konfliktet, dhuna dhe krizat ekonomike.

R.SH. - Vatikan

Një në çdo 9 vetë në botë vuan nga uria, një rritje që prej tre vjetësh që po e kthen gjendjen në të njëjtën situatë të një dekade më parë. Rritet edhe numri i njerëzve të shëndoshë: 1 në 8 të rritur. Arsyet? Ndryshimet klimatike dhe ngjarjet ekstreme, konfliktet, dhuna dhe kriza ekonomike. Situata keqësohet posaçërisht në Amerikën Latine e në Afrikë. Këto janë disa të dhëna nga raporti mbi "Gjendjen e sigurisë së ushqimit dhe të ushqyerit në botë 2018" që u paraqit të hënën, më 10 shtator, në Romë në selinë e FAO-së. Është ende larg arritja e synimit "Zero uri" që synohet të mbërrihet brenda vitit 2030.

Pra, uria dhe pasiguria ushqimore janë në rritje që tre vjet, këtë nënvizon raporti i vitit 2018 mbi gjendjen e sigurisë ushqimore dhe të ushqyerit në botë, përpiluar nga FAO së bashku me ndihmën e Programit Botëror të Ushqimit, Organizatën Botërore të Shëndetësisë (WHO) dhe UNICEF-in.

Të dhënat e raportit janë alarmuese dhe nënvizojnë se ekziston një numër i madh njerëzisht që janë pak e keq të ushqyer ose që jetojnë në një situatë mangësie kronike të ushqimit, që shkon nga 804 milionë në vitin 2016, deri në afër 821 milionë në vitin 2017. Një përkeqësim i gjendjes ushqimore konstatohet kryesisht në rajonet e Afrikës dhe të Amerikës së Jugut, ndërsa kequshqyerja që deri tani ka prekur Azinë, është duke u pakësuar.

Mundësia e kufizuar e ushqimit e posaçërisht e ushqimit bazë,  kontribuon në kequshqyerje, e në anën tjetër është gjithashtu paradoksale edhe rritja e peshës dhe obeziteti. Shëndoshja, shpesh favorizohet nga çmimet e larta të ushqimit bazë, nga stresi shkaktuar nga pasiguria e ushqimit dhe faktori psikologjik që buron nga kufizimet ushqimore. Kequshqyerja është gjithashtu një faktor i rritjes së rrezikut të ngadalësimit a të vonesës së rritjes tek fëmijët, por edhe i anemive tek gratë që janë moshën e lindjes së fëmijës e të fertilitetit. Kriza e ushqimit në kaq shumë vende, përcaktohet prej shkaqeve të ndryshme komplekse, të cilat shpesh veprojnë njëkohësisht, vëren FAO

11 shtator 2018, 16:14