Versioni Beta

Cerca

Vatican News
Icona Cristo, Gesu Cristo, pane di vita Icona Cristo, Gesu Cristo, pane di vita 

Më 6 shtator, kalendari kishtar përkujton Shën Oneziforin, martir

Së bashku me Palin, Onezifori ishte në Pario të Helespontit, në Jeruzalem e në Romë. Në Helespont, pasi nuk pranoi t’i bindej urdhrave të prokonsullit Adrian, u torturua mizorisht dhe, së bashku me Porfirin, u lidh për dy kuaj të egjër dhe u detyrua të zvarritej pas tyre, duke vdekur martir.

R.SH. - Vatikan

Nuk kemi asnjë të dhënë, as për vendin e as për datën e lindjes së Shën Oneziforit, dishepullit të Shën Palit. Të vetmet lajme të sigurta për Të janë fjalët e Shën Palit Apostull, në Letrën II drejtuar Timoteut (1, 16-18): “Hyji e pajistë me mëshirë familjen e Oneziforit, sepse shpesh herë ma ka freskuar shpirtin dhe nuk pati turp për prangat e mia.

Përkundrazi, kur erdhi në Romë, më kërkoi papushim, derisa më gjeti; Zoti i dhëntë hirin të gjejë mëshirën hyjnore në Ditën e Gjyqit. Por edhe shërbimet që më ka bërë në Efez, ti i di më mirë se askush!”. E akoma, në përshëndetjen përfundimtare të Letrës, Pali shkruan: “Përshëndeti Priskën, Akuilën dhe familjen e Oneziforit”.

Duke u nisur nga këto fjalë arrijmë në përfundim se ka shumë mundësi që Onezifori të ketë qenë me prejardhje nga Efezi dhe të ketë pasur lidhje të ngushta miqësie në Zotin me Shën Palin. Këtë e tregon vetë fakti se Shenjti e kërkon Palin në Romë dhe e gjen.  Në sinasaret bizantine Shën Onezifori përkujtohet në data të ndryshme. Ndër disa tekste përkujtohet së bashku me shërbëtorin Porfidi, me shënimin se ishte me prejardhje nga Ikoni, ku takoi Palin që e pagëzoi dhe e shoqëroi në misionin e ungjillëzimit.

Së bashku me Palin, Onezifori duhet të ketë shkuar në Pario të Helespontit, në Jeruzalem e në Romë. Që këtu duhet të ketë vijuar shtegtimin drejt Spanjës, për t’u kthyer më pas rishtas në Helespont. Si nuk pranoi t’i bindej urdhrave të prokonsullit Adrian, u torturua mizorisht dhe, së bashku me Porfirin, u lidh për dy kuaj të egjër dhe u detyrua të zvarritej pas tyre, duke vdekur martir. Sipas disa teksteve liturgjike Shën Onezifori ishte Ipeshkëv i Kolofonisë, ndërsa tekste të tjera shkruajnë se qe Ipeshkëv i Koroneisë, të tjera akoma, se nuk pati asnjë titull ipeshkëvnor. 
Në martiriologun Romak kujtohet me 6 shtator së bashku me Porfirin.

06 shtator 2018, 13:38