San Vincenzo de' Paoli, Juan Nepomuceno Herrera San Vincenzo de' Paoli, Juan Nepomuceno Herrera 

Më 27 shtator kalendari kujton Shën Vinçencin de Paoli

Shën Vinçenci jetoi gjithnjë për udhë, në kërkim të Zotit e të vetvetes. Në një takim të shndritshëm me Jezusin në të varfërit, e ndjeu thirrjen e Zotit, që e ftonte të mos jetonte më për vetveten, por t’i shërbente Hyjit pa rezerva, në të varfërit, të cilët duhej t’i njihte si zotër e pronarë.

R. SH. - Vatikan

Më 27 shtator, kalendari i Kishës përkujton shën Vinçencin de’ Paoli, pajtorin qiellor të organizatave bamirëse katolike. Në Francën e 1600 ai preku me dorë e personalisht kundërshtinë e fortë ndërmjet më të pasurve e më të varfërve. Në të vërtet, si meshtar, shën Vinçenc de’ Paoli pati rastin të frekuentonte si ambientet aristokratike, si dhe fshatrat, si dhe shtresat më të varfra e të mënjanuara të Parisit.

E i shtyrë nga dashuria e Krishtit, Vinçenci de’ Paoli diti të organizonte forma të qëndrueshme të shërbimit për njerëzit e përbuzur e të mënjanuar, duke krijuar të ashtuquajturat ‘Bamirësitë’, çka do të thotë grupet e grave që ofronin kohën dhe të mirat e tyre duke i vënë në dispozicion të të varfërve e të mënjanuarve”. “Ndër këto grupe vullnetaresh disa zgjodhën e vendosen t’ia përkushtonin krejtësisht jetën Zotit e të varfërve, e kështu, së bashku me shën Luizën Marillak, shën Vinçenci de’Paoli themeloi ‘Bijat e Dashurisë”, kongregatën e parë femërore për të jetuar përkushtimin ‘në botë’, në mesin e njerëzve, me të sëmurë e nevojtarë.

Pra, do të na duhej një kohë e gjatë vetëm për të lexuar listën e veprave bamirëse që bëri dhe themeloi gjatë jetës së tij, imzot Vinçenci siç e thërrisnin besimtarët, meshtar e themelues, shenjtin e sotëm. Nuk është e lehtë, prandaj, të flasësh për klerikun francez, Vinçencin De’ Paoli lindur në Poi të Gaskonjës (Francë) më 24 prill 1581, shuguruar meshtar në moshën 19 vjeçare. Menjëherë pas shugurimit, u burgos nga muhamedanët, të cilët e mbajtën në burg për dy vjet me radhë. Kur u lirua, kishte arritur ta kthejë në fenë e Krishtit njeriun që e ruante. Djaloshi, i cili në vendlindje, në Poi, pati ruajtur derrat, u ngjit shumë shpejt në shkallët më të larta të shoqërisë. I sapodalë nga burgu, u nis për në Paris, ku u caktua kapelan i mbretëreshës Margerita e Valuasë. Njohu, këtu, së afërmi, kardinalin Rishelië, Mbretëreshën e kohës, Anën e Austrisë dhe Lugjin XIII, që e deshi pranë në shtratin e vdekjes.

Vinçenci De’ Paoli guxoi t’i fliste ballë për ballë e me zë të lartë për mjerimin e popullit, kardinalit Rishelië, të cilin e kishin frikë të gjithë. “Imzot - i tha – kini mëshirë për ne. Na e jepni paqen!”. Më pas, në ditët e errëta të Frondës, kur Parisi ngriti barrikada e kardinali Maxarino deshi të përdorte armën e urisë, për të mposhtur rebelimin, Vinçenci organizoi një mensë, në të cilën çdo ditë shuanin urinë më se 2000 vetë. Pastaj i hipi kalit e vrapoi në Shën Zhermen për t’i thënë Maxarinit: “Imzot, largohuni, flijojeni veten për të mirën e Francës!”.

Njeri praktik, i pamposhtur, i thjeshtë si fshatar, i pajisur me humor të hollë e sidomos me aftësi për të realizuar vepra të mëdha, u thoshte meshtarëve të Shën Lazrit: “Ta duam Zotin, vëllezërit e mi, por ta duam me shpenzimet tona, me mundin e krahëve tonë, me djersën e ballit tonë”. Duke e ditur mirë se të varfrit vuajnë më tepër për shkak të mungesës së rregullit në organizimin e bamirësisë, sesa për shkak të paaftësisë së njerëzve bamirës, siguroi nga Mbretëresha vendin e Ministrit të Bamirësisë dhe organizoi ndihmat për të varfrit në shkallë kombëtare. Thuhet se nëpër duart e tij kalonin çdo ditë më shumë para sesa në duart e ministrit të financave. Por në bankën e tij të bamirësisë kapitalet nuk shteronin kurrë.

Katër janë institutet kryesore të themeluara prej shën Vinçencit de’ Paoli: “Bashkvëllazëria e Zonjave të Bamirësisë”, “Shërbëtorët e të varfërve”, “Bashkëvëllazëria e Priftërinjve të Misionit (ose lazaristët, të cilëve u besoi misionin e dyfishtë të jepnin ndihmesën për përgatitjen e meshtarëve të ardhshëm dhe për organizimin e predikimeve të përshtatshme për fshatarët) dhe “Bijat e bamirësisë”. Vdiq në Paris më 27 shtator 1660; u shpall shenjt më 1737.

27 shtator 2018, 09:30