Santi Cosma e Damiano, sec. XVII Santi Cosma e Damiano, sec. XVII 

Më 26 shtator kalendari kujton shenjtorët martirë, Kozma e Damiani

Kozma e Damiani nga Egjea, në Cilicí, u martirizuan në Çiro nën perandorin Dioklecian. Tërё jetën ia kushtuan mjekimit të të sëmurëve, pa asnjë shpërblim. Shëruan trupin e njerëzve që u drejtoheshin për ndërmjetësim, për t'u kthyer atyre dinjitetin e bijve të Hyjit!

R.SH. - Vatikan

Kozma e Damiani lindën në Egjea, e pikërisht në Cilicí, studiuan mjekësi në Siri e u martirizuan në Çiro nën perandorin Dioklecian. Gjithë jetën ia kushtuan mjekimit të të sëmurëve, pa kërkuar asnjë shpërblim. Prej këndej u quajtën anàgiri, fjalë greke që do të thotë të punosh pa shpërblim. E përdorën mjekimin e të sëmurëve si mjet të rëndësishëm të apostullimit të krishterë. E pikërisht gjatë këtij apostullimi, në vitin 303 u kapën, u torturuan dhe u martirizuan, së bashku me shumë të krishterë, të cilëve u kishin shëruar korpin e shpirtin. Iu pre koka në Çiro, ku edhe u varrosën. 

Për nder të tyre qyteti i Çiros pati ngritur që në shekullin IV një bazilikë madhështore, së cilës iu shtua tempulli i ndërtuar nga perandori Justinian, si shenjë mirënjohjeje për shërimin nga një sëmundje vdekjeprurëse me ndërmjetësinë e dy martirëve. Me sa duket 26 shtatori, dita e përkujtimit të shenjtorëve, përkon me shugurimim e bazilikës romake që mban emrin e tyre, ngritur nga Feliçi IV (525-530).

Kulti i Shenjtorëve u përhap me shpejtësi të jashtëzakonshme në të gjitha qytetet kryesore të perandorisë, ku nisën të kalojnë nga goja në gojë mrekullitë që kishin bërë. E kudo: që nga Kostandinopoja, në Bullgari, Greqi, Jeruzalem e më pas në gjithë botën perëndimore, duke filluar nga Roma – u ngritën Kisha e kuvende të njohura me emrin e vëllezërve mjekë e martirë. Kështu historia e vërtetë e jetës së tyre nisi të merrte më shumë karakterin e gojëdhënës.

Një gjë e dimë me siguri: Shën Kozma e Damiani donin t'i përngjisnin Jezusit: prandaj edhe u martirizuan e prandaj shëruan trupin e njerëzve që u drejtoheshin për ndërmjetësim, për t'u kthyer atyre dinjitetin e bijve të Hyjit! Ikonografia e tyre është jashtëzakonisht e pasur, sidomos në Itali, Francë e Gjermani, ku jetën e dy shenjtorëve e ilustruan artistë si i Lumi Anxheliko, Filipo Lipi e Sandro Botiçeli. Ndër figure paraqiten me palmë e me instrumentat e kirurgut.

26 shtator 2018, 09:14