Versioni Beta

Cerca

Vatican News
20180916_vangelo di domenica 20180916_vangelo di domenica  (Vatican News)

Më 17 shtator kalendari kishtar përkujton shën Robert Belarminin

Bari shpirtrash, prijës i madh, e model i njeriut që lutet: këto, ishin tiparet themelore të Shën Robert Belarminit i cili, me shkrimet e tij të teologjisë e të përshpirtërisë, luajti një rol të dorës së parë në Kishën e pas Koncilit të Trentit, për t’iu përgjigjur Reformës protestante, lindur nga kriza e thellë fetare.

R.SH. - Vatikan

Figura e shën Robert Belarminit, kardinal jezuit e dijetar i Kishës, është e jashtëzakonshme: qe një bari i veçantë shpirtrash, prijës i madh, dhe model i njeriut që i lutet Hyjit.  Shën Robert Belarmini me shkrimet e tij të teologjisë e të përshpirtërisë, luajti një rol të dorës së parë në Kishën e pas Koncilit të Trentit, për t’iu përgjigjur Reformës protestante, lindur nga kriza e thellë fetare e asaj kohe.
Ai i shmanget toneve polemike e agresive kundër ideve të Reformës, por, duke përdorur argumentet e arsyes e të traditës së Kishës, e shpjegon qartë e me sukses doktrinën katolike”, tha për te Papa Benedikti XVI.

Shën Robert Belarminit na mëson se nuk mund të ketë reformë në Kishë, pa reformën vetjake e pa kthesën e zemrës tek Zoti. Po emri i shën Robert Belarminit lidhet ngushtë sa me historinë e Kishës katolike ndër shqiptarë, aq edhe me atë të letërsisë shqipe. Vepra e parë e ipeshkvit shqiptar imzot Pjetër Budit, Doktrina e Kërshtenë, ose Dottrina Christiana, një nga veprat e para të shqipes së shkruar, është përkthim i katekizmit të Shenjtit Jezuit. Përgatitja e kësaj vepra nga imzot Budi u botua në Romë më 1618. E kujtojmë se një kopje origjinale e këtij libri ruhet në Bibliotekën e Vatikanit (R.I. VI. 449). Kryefaqja e titullit përmban këto të dhëna:

"Dottrina Christiana. Composta per ordine della fel.me. Di Papa Clemente VIII. Dal. R. P. Roberto Bellarmino Sacerdote della Compagnia di Giesv. Adesso Cardinale di SantaChiesa del Titolo di S. Maria in Via. Tradotta in lingua albanese. Dal Rever. Don Pietro Bvdi da Pietra Biancha. In Roma, Per Bartolomeo Zannetti. 1618. Con Licenza de' Superiori".

(Doktrina e Krishterë, e hartuar për nder të kujtimit të të ndriturit, Papës Klementi VIII, nga Robert Belarmini, rregulltar i Shoqërisë së Jezusit, tani kardinal i Kishës së Shenjtë Santa Maria in Via. Përkthyer në gjuhën shqipe nga i nderuari Dom Pjetër Budi, nga Guri i Bardhë. Në Romë, nga Bartolomeu Zaneti 1618. Me lejën e të parëve).

Në fund të faqes shënohet me shkrim dore: "Autor dono dedit Bibliothecae Vaticanae. 29 Januari 1622" (Autori ia dha [këtë kopje] si dhuratë Bibliotekës së Vatikanit. 29 Janar 1622).

Po t’i kthehemi edhe një herë figurës së shën Roberto Belarminit (1542-1621). Ai lindi në Montepulçano, në vitin 1542, në një familje të pasur, në vitin 1560 hyri në Shoqërinë e Jezuitëve. Studioi në Padovë, në Luvën e në Kolegjin Romak, në Romë. Megjithëse në të ri vuante nga një dhimbje e fortë e kokës, duke qenë i pajisur me një zgjuarsi të jashtëzakonshme, arriti ta përgatiste e ta mbronte tezën e doktoratit për tri ditë. Më 1576 ishte titullar i katedrës së apologjetikës, apo mbrojtjes së ortodoksisë katolike, pranë Universitetit Gregorian, i cili asokohe quhej ‘Kolegji Romak’, ku përgatiti një aradhe nxënësish të shquar, ndërmjet të cilëve edhe Shën Luigj Gonzaga.

U krijua kardinal e ipeshkëv i Kapuas në vitin 1599. Shumë shpejt u bë i njohur si njëri nga teologët më në zë të kohës. Pati ndikim të madh me doktrinën e tij, me shembullin e me thjeshtësinë e jetës, duke fituar admirimin e të gjithëve. Shkroi shumë vepra ekzegjetike, baritore e asketike. Themelore për apologjetikën janë librat e tij me titull ‘De controversiis”. Doktrina e Krishterë e Belarmimit, botuar së pari më 1597 e përkthyer në shumë gjuhë, u rekomandua posaçërisht nga Kundërreforma, për përdorim misionar. Mori pjesë, në procesin inkuizitor të Galileos e të Xhordanos. E famshme vepra e tij “ Arti i vdekjes së mirë”. 

Shën Robert Belarmini vdiq në Romë më 17 shtator 1621. Në vitin 1930, tre shekuj pas vdekjes, Papa Piu XI e shpalli njëkohësisht të Lum, Shenjt e Doktor të Kishës. Në veprat e Jezuitit Shenjt, studiuesit vijojnë të zbulojnë një humanizëm të thellë.

17 shtator 2018, 07:39