Versioni Beta

Cerca

Vatican News
VENEZUELA HOLY WEEK VENEZUELA HOLY WEEK  (ANSA)

Atë Gjergj Fishta, “Ngadhnija e Kryqit”

19 O Krygjë, o gurrë, kah rrjedhë per né gjith mshrira./ eh! Shtrij krahët t’ú kahdo rreh dielli e hâna,/ E fise e popuj, sa permbledhë hapsira,/ Pershîj të tâna./ 20 Pse veç atje, kű kapë mbretnija e jote,/ Lirín e pagjen gzon n’ket jetë njerzimi,/ Sundon dashtnija, shpresa s’âsht e kote:/ Gjindet shelbimi.

Atë Fishta, “Ngadhnija e Kryqit”

1 Nji ditë nder dit atje n’qytet t’amshuem,
Kur enè ky ligjë t’randë mbarë dheut i vęte,
Nji Galileas, peshkatár i shuem,
Atje po zęte.

2 As n’kambë koturn, as togë mbi shtat nuk kishte,
As shpatë mizore nuk i varej ijes;
Por veç nji Kryq visari i tij t’tânë ishte,
T’ tânë shęj’ i madhnijes.

3 Me atë Kryq në dorë atje m’atë ditë ai duli
E n’sŷ t’Cezarit, t’ Rromës e t’rruzullimit
Në Vatikan ai Krygjen shęjte e nguli
Shęj’n e Shelbimit.

4 Ehu ! kush kisht’ thânë atë herë se n’t’endun t’motit
Cezari e Rroma e rruzullimi unjí
Do t’i a perkulshin gjű’n korís s’Golgotit
Me pervujtni ?

5 Kush kishte thânun se nji bimë zabelit
N’vedi do t’kishte njaq fuqí grumbllue,
Sá shekllit t’ rręjshem fill e prej themelit
Faqe me i ndrrue?...

6 Po, rán n’dritë t’Kryqit idhujt e u rroposen,
Augurt u zhduken, tempujt edhe u rrxuen:
Dodona, Delfi, fallet edhe u sosen
Krejt u harruen.

7 T’ randat veriga u kputen t’robënís,
Tirajt fashiten, doket edhe u dliren;
Habitun fiset t’tâna t’rrokullís,
Kah Kryqi u priren.

8 E n’rreze t’Kryqit, m’t’ cillen vetë Dashtnija
N’mjet tokës e qiellit pezull ndęj per né,
Ata me njohtun xűn se ç’âsht vllaznija
Permbi ketë dhé.

9 Shűjten e dhunshme shkrehi Kanibali,
Robin bujari e thirri vllá n’sy t’Lumit,
E, zęmerdhimbshem, me dorë dhânse ndali
Lott e t’mjeruemit.

10 S’i dau mâ popujt gjuha, e tregu, a fisi,
As s’i dán lume, as male te madhnueshme,
Por u njisuen per Kryq, si degë t’njaj lisi,
Me Fé t’hyjnueshme.

11 Nen ligjë t’dashtnís filloi me gzue atë herë niri
Njatë kohë lirijet prej kahmot t’premtueme,
T’cillen me e dhânun sheklli nuk ka hiri
Veç Krygjes s’lume.

12 T’falem, o Krygjë, shpresa e rruzullimit,
Qi kohen arit, prej Profetësh permendun
E kndue nder kanga, vetem ti njerzimit
Nise m’i a endun.

13 T’ vertetë lirín, po, nierit ti i a prűne,
Popuj e fise me dashtní vllaznove,
T’padijes terrin n’shekull ti perzűne:
Dhén qytetnove.

14 E ků janë rritë veç hijes s’ate burrat,
Qi do t’permenden per sá t’rrjedhe jeta,
Të cillt kerkuen e gjeten t’dijes gurrat
T’kjarta e t’verteta?

15 N’per rreze t’ua Toma, po, e Augustini
Fleten e mendes rrahen nalt kah qiella,
E punët, qi njeh n’Parrěz veç Kerubini,
Na i zbluene t’kthiella.

16 Mjeshtrit i a mbajte doren nder punë t’mbara,
E bukurí Ti para sysh na qite,
Popull a fis qi kurr n’ketë jetë perpara
Njohtun si ki’te.

17 Ti t’shkretë mundqarit i a bekove punen,
E lot mbi dhé nuk lae me rá pa hiri;
Travajët e thyeshme pse shęjtnove e dhunen,
Qi pson i miri.

18 Po, sod këndon robnesha nder travajë,
Kahdo qi âsht shtrî mbretnija e jote e lume,
Ke e din ajo se edhe per fmij të sajë
E ka ‘i jetë t’gzume.

19 O Krygjë, o gurrë, kah rrjedhë per né gjith mshrira.
Deh! Shtrij krahët t’ú kahdo rreh dielli e hâna,
E fise e popuj, sa permbledhë hapsira,
Pershîj të tâna.

20 Pse veç atje, kű kapë mbretnija e jote,
Lirín e pagjen gzon n’ket jetë njerzimi,
Sundon dashtnija, shpresa s’âsht e kote:
Gjindet shelbimi.

 Atë Gjergj Fishta, “Ngadhnija e Kryqit”, “Vallja e Parrizit”, bot. II, Shkoder, Sh. Bot. “Atë Gjergj Fishta”, 1941, fq 11-1

14 shtator 2018, 09:06