Kërko

Varfëria në Indi Varfëria në Indi 

“Finding Vince 400” në Festivalin e Filmit në Venedik

“Finding Vince 400” është Festival kinematografik në nder të Shën Vinçencit de’ Paoli dhe frymëzohet nga tema e globalizimit të bamirësisë. U paraqit zyrtarisht sot, në Bienalen e Filmit në Venedik.

R.SH. - Vatikan

I kushtohet shën Vinçenc de’ Paolit, festivali kinematografik ndërkombëtar “Finding Vince 400”, që u paraqit sot zyrtarisht në Bienalen e Filmit 2018, në Venedik të Italisë. Konferenca për shtyp u mbajt në hapësirën e fondacionit “Enti i Spektaklit” i Konferencës Ipeshkvnore Italiane. 

Të tregojmë për varfëritë, në mënyrë të re

         “Finding Vince 400”, që është paraqitur më parë në Romë, në vitin 2017, me rastin e 400-vjetorit të karizmës së shën Vinçenc de Paolit, është përpjekje për të trajtuar temën e globalizimit dhe të bamirësisë në një konkurs kinematografik. Më se 3 mijë skenaristë dhe shkrimtarë, nga 109 vende të botës, janë thirrur për të treguar aspektet e ndryshme të varfërisë njerëzore, me mënyra të reja dhe origjinale. “Thelbi i përshpirtërisë së këtij festivali qëndron në zbulimin e Jezu Krishtit tek tjetri”, pohon, në mikrofonin e Vatican Neës, eprori i përgjithshëm i Kongregatës së Misionit dhe i Bijave të Dashurisë, atë Tomaz Mavric. “Kështu pati bërë shën Vinçenci, i cili provoi varfërinë shpirtërore dhe materiale. Kjo shënoi fillimin e kthimit të tij: Zoti po i kërkonte një mision konkret, ndihmën për të varfërit”.

Për një art, në shërbim të të varfërve

         Dy janë seksionet për të marrë pjesë në konkurs, faza përfundimtare e të cilit do të mbahet në Castel Gandolfo, nga 18 deri më 21 tetor. Në seksionin e parë mund të paraqitet një “Film i shkurtër, ose i gjatë”, siç thotë titulli. Seksioni i dytë quhet “Fara shprese” dhe u drejtohet të rinjve nën moshën 18-vjeçare, me moton “mbill një farë e shihe si rritet”. Tema është e përbashkët: shërbimi për të varfërit. Objektivi i “Finding Vince 400”, shkruajnë organizatorët, është të mbledhin një bashkësi artistësh, që paraqesin ide, të cilat të shërbejnë si frymëzim për ndryshimin e perspektivës mbi varfërinë.

Impenjimi për të varfërit

         Një nga aktorët më të njohur, pjesëmarrës në këtë festival, është Martin Sheen, gjithnjë i impenjuar në beteja shoqërore. Në një videomesazh për “Finding Vince 400”, ai kujton thirrjen e Papës Françesku për një shërbim më të madh në favor të të varfërve, sipas fjalëve të Krishtit: “Ҫkado bëtë për njërin ndër këta vëllezërit e mi më të vegjël, e bëtë për mua” (Mt 25,40). “Ftesa e festivalit – vijon atë Mavric – është t’u jepet ndihmë konkrete të varfërve, edhe nga ana e laikëve dhe e atyre, që deri tani, nuk janë interesuar për këtë problem. Është rast për t’i lënë fjalët e për të ndihmuar personalisht nevojtarët, sipas mundësive”.

02 shtator 2018, 13:00