Google Google 

Google mbushi 20 vjet. Atë Spadaro: rreziku është të humbasë pyetja

Bota kremtoi motorin e kërkimit. Zoti, ndërmjet fjalëve më të kërkuara. Atë Spadaro: duhet të mësohemi të jetojmë mirë në rrjet e ta ndihmojmë të jetë vend komunikimi e bashkimi!

R. SH. - Vatikan

Bota kremtoi motorin e kërkimit. Zoti, ndërmjet fjalëve më të kërkuara. Për atin jezuit Antonio Spadaro, drejtor aktual i revistës së jezuitëve “La Civiltà Cattolica”(Qytetërimi Katolik)  dhe influencer - fjalë e re kjo - që  përdoret për njerëz me ndikim të madh mbi opinionin shoqëror - “Rrjeti duhet të jetë vend komunikimi dhe bashkimi”.

Njëzet vjet më parë, më 4 shtator, Sergey Brin dhe Larry Page themeluan  shoqërinë Google  Inc., nga e cila lindi motori i kërkimit më i përdorur në botë.

Atë Spadaro, cila është intuita, në bazë të këtij projekti, që ia ndryshoi fytyrën internetit?

Para së gjithash, fjala që duhet përdorur është inovacion, aftësi e themeluesve të Google ishte se patën intutitën, që mundi ta çojë përpara një projekt, i cili dha fryte. Intuita është shumë e thjeshtë: të kuptosh rëndësinë e motorit të kërkimit, parë si vlerë. Para themelimitt të Google, çka shitej e çka ishte intersante për tregun, qe përmbajtja e pranishme në faqen e motorit të kërkimit. Google e ndryshoi këtë -  faqja është krejtësisht bosh - nëse shkojmë tek kanali, është vetëm kutia, nga e cila, por, mund të nxjerrësh gjithë dijen e botës. Google të kujton, në se mund të shprehemi kështu, një utopi, atë të Bibliotekës së Aleksandrisë: të jep menjëherë në dorë, në mënyrë të organizuar, gjithë dijen, në një depozitë të vetme. Që nga lindja e tij, rrjeti u bë vend kërkimi, e kjo është intuita themelore…

Kërkohen kuriozitete, data, fakte kronike, e një nga fjalët më të kërkuara, është Zoti…

Pyetja e madhe që, sipas meje, duhet të bëjmë, është: “Ç’do të thotë kërkim i Zotit  në kohën e motorëve të kërkimit? Domethënë, në çastin kur arrijmë njohjen,   bëjmë një pyetje e duam përgjigje. Kjo do të thotë se mësohemi të marrim përgjigje me pakëz klikime. Nga njëra anë kjo nxit kuriozitetin, por nga ana tjetër, të bën ta humbasësh atë, që do ta quaja sintaksa e pyetjes, sepse askush nuk i bën pyetje motorit të kërkimit, por shkruan fjalët e këto prodhojnë rezultatet. Po humbasim, prandaj, paradoksalisht, pikërisht pyetjen.

Atë Spadaro, Zoti gjindet me pak click-e?

Varet nga mënyra si e kuptojmë. Sigurisht takimi me Zotin është personal, nuk arrihet përmes kërkimit dixhital: mund edhe të gjendet, por mund të gjenden edhe shumë përvoja, që flasin për Zotin. Prandaj sot njeriu i interesuar për Zotin, ndodhet brenda një motori kërkimi me shumë përmbajtje, pa kurrfarë hjerarkie, pa asnjë organizim doktrinor. Sfida është të gjenden përmbajtje të arritshme e domethënëse.

Bota e internetit  shikohet herë si e rrezikshme e herë si pasuri. A ka një pikë ekuilibri?

Rrjeti është pak a shumë si jeta. Ndryshimi është se në internet komunikohet shpejt e shpejt. Një mesazh u shkon, në të njëjtin çast, shumë njerëzve, domethënë përhapet shpejt, por pa kontakt personal “sy për sy”, e ky mund të jetë problem. Prej këndej, mendoj se duhet të mësohemi të jetojmë mirë në rrjet e ta ndihmojmë të jetë vend komunikimi e bashkimi!

05 shtator 2018, 16:34