Kërko

Cardinale Vincent Nichols di Westminster Cardinale Vincent Nichols di Westminster  

Angli e Uells: Ipeshkvijtë në Romë për vizitën ad limina. Hetim i ri mbi abuzimet dhe parandalimin

Ipeshkvijtë: "Vizita jonë, pra," përfundon deklarata, "ka një zemër penduese e pendestare, e në bashkësi me ipeshkvijtë e të gjithë botës, kërkojmë faljen e Zotit". Të premten e ardhshme do të takohen me Papa Françesku.

R.SH. - Vatikan

Një hetim i ri i pavarur nga strukturat ekzistuese që aktualisht punojnë për parandalimin e abuzimeve të fëmijëve në Kishën Katolike të Anglisë dhe Uellsit. Me pjesëmarrjen direkte të viktimave. Kështu njoftuan ipeshkvijtë e Konferencës Ipeshkëvnore të Anglisë në fillim të vizitës së tyre ad limina apostolorum në Romë, e cila do të përfundojë të shtunën më 29 shtator.

"Raportet e fundit tronditëse na kanë bërë të reflektojnë mbi përgjegjësinë tonë që kemi për të garantuar që strukturat dioqezane dhe ato famullitare të jenë plotësisht të sigurta, të mbrojtura kundër çdo abuzimi", shtuan ipeshkvijtë e Anglisë dhe të Uellsit, të cilët të premten e ardhshme do të takohen me Papa Françesku.

Pikërisht Letrës së Atit të Shenjtë Bergoglio drejtuar kohëve të fundit Popullit të Zotit, Konferenca Episkopale Angleze i referohet kur thotë se çdo ipeshkëv ka vendosur t’i kushtojë kohë, në muajt e ardhshëm, takimit me ata persona që kanë pësuar dhunë e kanë vuajtur nga ana e klerit. Ipeshkvijtë pohojnë se, gjatë kësaj jave, "turpi dhe dhimbja janë ndjenjat që provojmë vazhdimisht për paaftësinë e ipeshkvijve dhe të udhëheqësve fetarë për t’i mbrojtur fëmijët që kanë qenë nën kujdesin e tyre, të cilët do të jenë në zemrat tona, gjatë lutjes tek varret e Shën Pjetrit e Shën Palit" në Vatikan dhe do të jenë gjithashtu "përmbajtja e bisedës tonë me Papën Françesku".

"Vizita jonë, pra," përfundon deklarata, "ka një zemër penduese e pendestare, e në bashkësi me ipeshkvijtë e të gjithë botës, kërkojmë faljen e Zotit dhe hirin e Tij Hyjnor për një shërbim tonë të frytshëm" 

25 shtator 2018, 06:51