Versioni Beta

Cerca

Vatican News
 Papa takohet me Kofi Annan dhe me disa anëtarë të Ojq The Elders Papa takohet me Kofi Annan dhe me disa anëtarë të Ojq The Elders 

Vdiq ish-sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Kofi Annan

Çmim Nobel për Paqen dhe afrikani i parë në krye të OKB-së, Kofi Annan, që vdiq dje, kujtohet për angazhimin e tij në përpjekjen për ta frenuar e për ta sistemuar përdorimin e forcës nga ana e Shteteve anëtare. Nëntorin e kaluar, biseda me Papën kushtuar refugjatëve dhe armëve bërthamore.

R. SH. - Vatikan

Dje, në një spital të Bernës, në Zvicër, vdiq, në moshën 80 vjeçare, ish-sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Kofi Annan. Diplomati, Çmim Nobel për Paqen 2001, u shua pas një sëmundjeje  të shpejtë, i shoqëruar deri në fund nga gruaja, Nane dhe fëmijët, Ama, Kojo e Nina.

Në krye të OKB-së, nga 1997 deri më 2006

Annan lindi më 8 prill të vitit 1938 në Kumasi të Ganës dhe qe afrikani i parë në krye të OKB-së. I diplomuar në Macalester College di St. Paul, në Minesota, u thellua, më pas, në ekonomi, pranë Institut Universitaire des hautes Etudes në Gjenevë dhe në menaxhim, në Massachusetts Institute of Technology.

Në Kombet e Bashkuara që nga viti 1962, më 1993 iu besua detyra e drejtuesit të misioneve të paqes. Qe sekretar i përgjithshëm për dy mandate, nga janari 1997 deri në dhjetor 2006. Së fundi qe edhe i dërguar i OKB-së në Siri, në vitin 2012. Më 2001 u vlerësua me Çmimin Nobel për Paqen, për punën e tij “në shërbim të një bote më të organizuar e me më shumë paqe”.

Kujtohet posaçërisht për reformën e Kombeve të Bashkuara si dhe për Fondacionin Annan i cili, në një notë, e quan ish-sekretarin e OKB-së, “burrë shteti global, internacionalist i angazhuar thellësisht, që gjatë gjithë jetës luftoi për një botë më të drejtë e më paqësore”.

Takimi i kohëve të fundit me Papën

Më 6 nëntor 2017, Papa Françesku e pati pritur Kofi-n Annan dhe disa anëtarë të tjerë të Organizatës ndërkombëtare jo qeveritare “The Elders” (Të Motuarit) në Shtëpinë e Shën Martës. Ndërmjet tyre, edhe Mary Robinson, presidente e Republikës së Irlandës nga viti 1990 më 1997.

Intervista dhënë Radio Vatikanit

“Besoj se për ne ishte e rëndësishme të vinim - pati thënë me këtë rast ish- sekretari i OKB-së në një intervistë dhënë Redaksisë angleze të Radio Vatikanit - sepse kemi shumë vlera të përbashkëta e deshëm të takoheshim me Papën e të arsyetonim për mënyrën si mund të punojmë së bashku, si mund t’i përqendrojmë forcat mbi disa pika të përbashkëta. Folëm për refugjatët dhe emigrantët, për armët bërthamore, temë së cilës Vatikani po i kushton këto ditë një takim të rangut të lartë, folëm për paqen e ndërmjetësimin në konflikte. Mary Robinson do t’ju flasë për gratë dhe rëndësinë që ka përpjekja për t'u dhënë zë e për të respektuar rolin e tyre” - pati shtuar në përfundim diplomati që - sipas Fondacionit me emrin e tij, ishte “Personalitet e Njeri,  që do t’u mungojë shumë njerëzve në botë!”.

 

19 gusht 2018, 16:31