Të Ngjiturit të Zojës në Qiell na fton të ndjekim udhën e Zotit
Virgjëra Mari na siguron se Hyji fitoi, se vdekja u mund përgjithmonë. Këtë thekson liturgjia e Fjalës së Zotit në Meshën, që kremtohet në solemnitetin e ‘Të Ngjiturit të së Lumes Mari në Qiell’.
R.SH. - Vatikan
Virgjëra Mari është ylli, që na prin drejt Birit të saj Jezusit, dielli që lindi përmbi errësirën e historisë e na jep shpresën për të cilën kemi nevojë. E siç e dimë nga përvoja e përditshme, e gjithë jeta është luftë ndërmjet dragoit e gruas, ndërmjet së mirës e së keqes.
Virgjëra Mari na siguron se Hyji fitoi, se vdekja u mund përgjithmonë. Këtë thekson liturgjia e Fjalës së Zotit në Meshën, që kremtohet në solemnitetin e ‘Të Ngjiturit të së Lumes Mari në Qiell’.
Ungjilli i kësaj së kremte, na propozon ‘Magnificat’ - Himnin e Madhërimit dhe nxitimin e Virgjërës Mari tek Elizabeta, duke na shpjeguar se e gjithë jeta duhet të jetë një ky nxitim i shenjtë, me vetëdijen se Zoti zë e duhet të zë gjithnjë vendin e parë në jetën e çdo njeriu e se asgjë tjetër nuk duhet të na bëjë të nxitojmë në rrugët e jetës.
Liturgjia e Fjalës së Zotit e kësaj feste, përqendrohet kryesisht tek solemniteti i ‘Të Ngjiturit të Zojës në Qiell’, që kurorëzon ciklin e kremtimeve të mëdha liturgjike, në të cilat kundrojmë rolin e Virgjërës Mari në historinë e shëlbimit.
Zënia pa mëkat, Lajmërimi, Amësia Hyjnore e të Ngjiturit në Qiell janë etapat kryesore, të lidhura ngushtë ndërmjet tyre, me të cilat Kisha larton e këndon fatin e lum të Nënës së Zotit. E në këtë fat mund të lexojmë edhe historinë tonë personale e atë të mbarë njerëzimit.
Misteri i të Zënit pa mëkat të Marisë, të kujton faqen e parë të jetës njerëzore, duke na treguar se, në planin hyjnor të krijimit, njeriu duhet të kishte pastërtinë e bukurinë e Zojës së Papërlyer. Ky plan, i rrezikuar, por jo i rrënuar nga mëkati, përmes mishërimit të Birit të Zotit, Jezu Krishtit u realizua plotësisht në Marinë, gjë që i krijoi përsëri njeriut mundësinë për ta pranuar lirisht në fe.
Së fundi, në të ngjiturit e Marisë në qiell kundrojmë cakun ku duhet të arrijmë në mbarim të shtegtimit tonë mbi tokë, duke ndjekurKrishtin e duke iu bindur fjalës së tij.
Më tej faqja ungjillore e festës nga Shën Luka, na përshkruan sesi Maria u nis me nxitim në krahinën malore, për të vizituar Elizabetën. Me shtegtimin e saj plot bindje na tregon se duhet të përshkojmë ngutshëm një udhë të re në jetën sonë, duke e lënë vetën plotësisht në dorën e Zotit.
Shën Ambrozin, duke komentuar nxitimin e Marisë, pohon: “Hiri i Shpirtit Shenjt nuk pranon ngadalësi. Jeta e Zojës udhëhiqet nga një Tjetër, modelohet nga Shpirti Shenjt, përshkohet nga ngjarje e takime, si ai me Elizabetën por, mbi të gjitha, nga lidhja krejtësisht e posaçme me Birin e saj, Jezus.
Është shtegtim në të cilin Maria shikon në të gjitha ngjarjet e jetës planin e thellë e të mistershëm të Hyjit Atë për shpëtimin e botës”.
Në sa e ndjek Jezusin nga Betlehemi në Egjipt, në jetën e mënjanuar e në atë publike, deri tek këmbët e Kryqit, Maria jeton ngjitjen e saj të vazhdueshme drejt Hyjit me frymën e Magnificat (himnin e Madhërimit), duke u bashkuar plotësisht, edhe në çastin e vuajtjes, me planin e dashurisë së Zotit, aq sa të bëhet paradigmë për fenë e Kishës.
Më tej,liturgjia e Fjalës së Zotit e kësaj feste na kujton se jeta e çdonjeriu ka një cak të mirëpërcaktuar: Ngjitja e Zojës në qiell na kujton se jeta e Marisë, ashtu si jeta e çdo të krishteri, është shtegtim pas Krishtit, që ka një cak tejet të përcaktuar, një ardhmëri të qartë: fitoren përfundimtare mbi mëkatin e mbi vdekjen dhe bashkimin e plotë me Hyjin. Por ndërsa ne nuk jemi të bashkuar ende përsosurisht me Krishtin, Virgjëra Mari hyri plotësisht në bashkim me Hyjin, me Birin e vet.
Jeta e njeriut mbi tokë - pohojnë leximet biblike të kësaj feste –është shtegtim që vijon në frymën e tensionit të luftës ndërmjet dragoit e gruas, ndërmjet së mirës e së keqes.
Është si udhëtim në një det shpesh herë tepër të trazuar: Maria është ylli, që na prin drejt Birit të saj Jezusit, diell që lindi përmbi errësirën e historisë, për të na dhënë shpresën se do të fitojmë, se nuk do t’i nënshtrohemi përgjithnjë së keqes e mëkatit, në pritje tëqiellit të ri e tokës së re.
Nëna e Hyjit, Gruaja që tha “Po”!
Mari, grua që gjegje ‘Po”,
“Po”-në e gjithë besnikërive,
Përgjigje e thirrjes së dashurisë,
E ftesës së Fjalës.
Në fshehtësinë e strehës sate
Në lutjen tënde të heshturm
Nga lart një zë
Përshëndet, kumton, shpjegon:
Amen – është gjegjja.
Premtimi i lashtë
Përmbushet plotësisht.
Kjo ‘Po’ e jotja
Besëlidhjen përtërin,
E përmbi tokë
Bulon dashuria.
E lumja ti
Grua e zemrës së Zotit,
Që ke njerëzimin në shpirt,
Të lum do të jemi edhe ne,
Për tëndin
E tonin “Amen”
Së fundi, me Shën Bernardin, këngëtarin mistik të Marisë, jemi të ftuar si besimtarë t’i drejtohen Nënës së Zotit me fjalët: “Të lutemi, o e Lume, për hirin që gjete, për privilegjet që meritove, për Mëshirën që linde!
Na e nxirr hirin që Ai, i cili nëpër ty u denjua të merrte pjesë në mjerimin e në gjymtimin tonë, falë lutjes sate, të na bëjë pjesëmarrës në lumninë e tij të amshuar, Jezu Krishti, Biri yt, Zoti ynë, i cili është mbi gjithçka, Hyj i bekuar në shekuj të shekujve. Amen!
15 gusht 2018, 07:05