Të Ngjiturit e Zojës në Qiell, në arte

Kisha kremtoi sot “Të Ngjiturit e Zojës në Qiell”. Temë, kjo, shumë e dashur për artistët e të gjitha epokave.

Kisha kremtoi sot “Të Ngjiturit e Zojës në Qiell”. Temë, kjo, shumë e dashur për artistët e të gjitha epokave të cilët, me ndjenja të holla e thekse të ndryshme,  e pasqyruan figurën e Zojës në llojet e ndryshme të arteve: nga poezia, në muzikë, nga piktura, në skulpturë… Duke nisur nga lashtësia….

Shkrimet Shenjte nuk na thonë asgjë për vdekjen e as për ngjitjen e Marisë në qiell. E megjithatë, kjo temë kaq joshëse, nisi e vijoi të frymëzojë një mori kryevprash, në epoka e vende të ndryshme. Por ç’i frymëzoi kaq shumë artistët ?

Burimet ikonografike

Për t’i dhënë përgjigje kësaj pyetjeje, duhet  të  nisemi nga tekstet apokrife kushtuar Transitus Beatae Virginis të Shën Gjonit Apostull ose të Jozefit të Arimatesë, në të cilat flitet për një engjëll, që kumtoi vdekjen e Virgjërës, për byzëqeshjen, në çastin e kalimit, për mbartjen e trupit të saj deri tek Krishti… Pas shekullit V, artistët i kërkuan dhe i gjetën hollësirat ikonografike në tekstet patristike të Shën Efremit, Timoteut të Jeruzalemit dhe Epifanit e, në mesjetë, burim frymëzimi u bë “Legenda Aurea” e Jacopo da Voragine.

Fjetja dhe të Ngjiturit: Lindja dhe Perëndimi

Fjetja në Lindje është kremtimi marian më një shenjë, që shumë shpejt nisi edhe në Perëndim. Ikonografia, ajo e Marisë në shtrojen e vdekjes, rrethuar nga apostujt e Krishtit, që mban në dorë shpirtin e saj, paraqitur me pamjen e një  ferishteje në fasha. Shembuj  në Perëndimin e shekullit XII  janë qemeret mariane  të katedraleve franceze  të Bourges, Chartres e Notre Dame. Skema e Të Ngjiturit  merret nga “Të Ngjiturit e Krishtit në Qiell”. Ndërmjet shekullit VIII e IX, Maria paraqitet e tëra në një rreth, ndërsa mbartet në qiell nga Engjëjt. Fjetja lindore, në Perëndim zhvishet nga ndjesitë bizantine, shkrihet me temën e  Ascensio Virginis dhe pasurohet me paraqitjen e varrit të zbrazët, përplot me lule, ndërsa Maria i jep brezin e saj një dyshimtari, Shën Tomës.

Cimabue, Tiziano, Correggio: Zoja e ngjitur në qiell, frymëzuese e veprave të artit të të gjitha kohëve

Në Itali, i pari që e paraqiti Fjetjen e Zojës, ishte Cimabue, i cili i shtoi “Të Ngjiturit të saj në qiell”, edhe figurën e Krishtit, që e përqafon përzemërsisht Nënën. Pastaj duhen kujtuar mozaikët e Shën Marisë së Madhe dhe të Shën Marisë në Trastevere, në Romë. Ndërsa në Toskanë,  Figura e Zojës së Ngjitur në qiell arrin në shekullin XIII. Në Sienë, qendër e devocionit marian, Taddeo di Bartolo shton figurën e Jezusit, që e merr Marinë në krahë, duke e nxjerë nga varri. Skena e Të Ngjiturit në qiell, në Rilindjen evropiane, pasurohet me mahnitjen e Apostujve rreth varrit të zbrazët, siç e dëshmon piktura e Cortonës, e Luka Signorellit.  Stili dhe ikonografia përtërihen në kryeveprën më të famshme  kushtuar Zojës së Ngjitur në Qiell nga Tiziani, punuar për Kishën e Frari-t, në Venedik. Ngjyrat e ndezura dhe kompozicioni në ngjitje i Virgjërës, veshur me të kuqe, mbartur nga një re në qiell, i japin pikturës dramaticitet të madh.  Revolucionare edhe skena “atje poshtë”, perspektiva e së cilës realizohet me mjeshtri nga Correggio, në Kupolën e katedrales së Parmës…

Maria, Nëna e Zotit, ajo, që nuk e njohu kalbjen në varr, vijon  të frymëzojë vepra arti edhe në kohët e vona: gjenia krijuese realizoi kështu, në jetë, një sintezë të jashtëzakonshme ndërmjet liturgjisë, traditës, hagjiografisë dhe përshpirtërisë mariane.

 

15 gusht 2018, 17:40