Kërko

 Në Siri fillon rindërtimi Në Siri fillon rindërtimi 

Siria pret rikthimin e një milion refugjatëve

Sipas ministrit rus të mbrojtjes, në Siri vijon rindërtimi i infrastrukturave të rëndësishme. Gati, edhe zonat e sigurta për strehimin e refugjatëve, që do të rikthehen në Siri.

R. SH. - Vatikan

Damasku po bashkëpunon me Moskën për ta përmirësuar situatën në trojet siriane; vijon  rindërtimi i infrastrukturave. E kjo e lehtëson strehimin e atyre, që po rikthehen në Siri. “Më se një milion njerëz - pohon ministri rus i mbrojtjes,  Sergei Shoigu - janë kthyer tashmë në shtëpi. Në këto javët e fundit u krijuan kushtet për kthimin e rreth një milion refugjatëve”.

Dyndja e njerëzve të dëshpëruar

Prej shtatë vjetësh, Siria mbytet në gjak. Prej shtatë vjetësh, mijëra njerëz detyrohen ta braktisin vendin, duke kërkuar strehim jashtë tij, në vendet fqinje, si Libani, Turqia, Jordania. Të tjerë akoma, ia dolën mbanë të strehohen në Evropë a në Amerikën veriore. Dyndja biblike, që tashmë ka përfshirë miliona njerëz, është një nga pasojat më të rënda të luftës siriane. Gjithsesi, kohët e fundit situata është përmirësuar e kjo krijon kushtet për rikthimin e të ikurve në strehët e tyre.

Ministri rus i siguron të ikurit, që duan të rikthehen

Ministri rus kujton se në Siri vijon puna për rindërtimin e infrastrukturave të rëndësishme, ndërmjet të cilave, arteriet  e komunikacionit, ndërprerë për shkak të luftës. Janë krijuar edhe zonat e sigurta, gati për pritjen e refugjatëve të rinj. Ndihmat e Moskës po luajnë një rol tejet të rëndësishëm për rindërtimin, por edhe për furnizimet ushtarake: rusët, njëherësh me Teheranin, janë aletatë kryesorë  të qeverisë së Damaskut: ndërhyrja e tyre ushtarake kundër grupit të xhihadistëve dhe milicive ekstremiste, ishte themelore për fitoren ushtarake të ushtrisë siriane, besnike e presidentit Bashar al-Assad.

Drejt stabilizimit të Vendit

Sot në duart e rebelëve dhe të grupeve fundamentaliste islamike mbetet vetëm provinca e Idlib. Ministri rus kujton se situata në terren vijon të përmirësohet e se vendi po shkon drejt stabilizimit të ngadalshëm, por të sigurt. Ndërkaq vijojnë edhe bisedimet për paqen. Më 7 shtator do të mbahet samiti ndërkombëtar, organizuar nga Kombet e Bashkuara. Punimet do t’i koordinojë i dërguari i posaçëm i OKB-së, Staffan de Mistura, që mendon të mbledhë përfaqësuesit e fuqive perëndimore dhe të qeverive të zonave të Lindjes së Mesme. Qëllimi i takimit të rangut të lartë është forcimi i procesit politik dhe lindja e një lloj komiteti kushtetues, që krijon mundësinë për t’u marrë vesh para përfundimit të muajit.

30 gusht 2018, 10:53