Kërko

2018-01-31 interno abbazia vetrate 2018-01-31 interno abbazia vetrate 

Shenjtorët e javës 19 – 26 gusht

Shenjtorët janë komenti më i rëndësishëm i Ungjillit, zbatim i tij në jetën e përditshme. Prej këndej, përfaqësojnë për ne të gjithë një rrugë reale për t’u takuar me Jezusin. Kisha na paraqet një ose disa shenjtorë e të lum, që t’u lutemi ose t’u përngjasim.

R.SH. - Vatikan

diel 19 gusht, Kisha katolike kremton të Dielën e 20-të gjatë vitit liturgjik. Gjithnjë më 19 gusht, kalendari përkujton Shën Gjonin Eudes, themelues i Eudistëve, Shën Sistin III papë e Shën Manjin, martir. Liturgjia e ditës na fton të vijojmë reflektimin mbi thirrjet që na bën Jezusi: “Kush ushqehet me trupin tim dhe pi gjakun tim ai mbetet në mua dhe unë në të”(Gjn 6,56), thotë Krishti në Ungjillin e ditës.

Të hënën më 20 gusht, kalendari kishtar përkujton Shën Bernardin, abat e dijetar i Kishës, Shën Samuelin profet e Shën Marinë Matias, virgjër, themeluese e Motrave Adhuruese të Gjakut të Krishtit. Liturgjia e ditës na kujton se puna për mbretërinë e Hyjit nuk numërohet me orë. I Zoti i vreshtës na bën thirrje çdo ças e pret t’ia kushtojmë vetveten, pa pyetur për kohë as për djersë, të sigurt se nuk do të na mungojë shpërblimi i drejtë.

Të martën më 21 gusht, kalendari përkujton Shën Piun X, papë. Liturgjia e ditës na rikujton shëmbëlltyrën e gostisë, në të cilën nuk mund të hysh, pa veshje të përshtatshme. Veshja që kemi marrë në Pagëzim, është ftesë për të hyrë në festë, por edhe ftesë për të rifilluar rrugën e gjatë të formimit të vazhdueshëm në fe.

Të mërkurën më 22 gusht, bie festa e Virgjërës Mari, Mbretëreshë, e kalendari përkujton edhe Shën Timoteun, martir romak e Shën Filip Benicin, meshtar. Liturgjia e ditës na kujton rregulla e artë e Jezusit. Pyetja që i drejtojnë saduçejtë, e nxit Zotin t’i përmbledhë gjithë Ligjin e Profetët në fjalët: “Duaje Zotin Hy e duaje edhe të afërmin”.

Të enjten më 23 gusht, kalendari kishtar përkujton Shën Rozën nga Lima (emër që në shqip ka marrë trajtat Drande e Ganxhe) virgjër terciare dominicane dhe Shenjtorët Abondin, Ireneun, Qiriakun e Arkelaun, martirë. Liturgjia e ditës na kujton se për të jetuar si i krishterë i vërtetë, duhet të jesh i përvujtë, i patundur në fenë, të cilën e beson dhe e jeton e i lidhur me vëllezërit, sepse bij të të njëjtit Atë.

Të premten më 24 gusht, kalendari kishtar përkujton shën Bartolomeun, apostull; shën Gjovana Antida Thouret, virgjër, themeluese e Motrave të Dashurisë. Liturgjia e ditës na kujton se Zoti nuk kërkon nga besimtarët rregulla, që kanë të bëjnë me jetën materiale, por praktikimin e përditshëm të drejtësisë, të mëshirës e të besnikërisë ndaj tij.

Të shtunën më 25 gusht, kalendari kishtar përkujton shën Ludivikun (Luigjit IX), mbret i Francës; shën Jozefin Kalasancio, meshtar, themelues i rregulltarëve‚ Skollopë’ . Psalmi i liturgjisë së ditë pohon se në Hyjin është shpëtimi im e lëvdimi im, pohon. Duke sfiduar çdo akuzë, Jezusi pikërisht ditën e shtunë, që për hebrenjtë është ditë e shenjtë e nuk punohet fare, Ai e shëron njeriun nga sëmundja e paralizimit të dorës. Sipas Biblës festa e vërtetë është vetëm atëherë kur i kushtojmë kohë lavdërimit të Zotit e veprave të bamirësisë në dobi të atij që ka nevojë për ndihmë.

Të dielën e ardhshme më 26 gusht, Kisha katolike do të kremtojë të Dielën e 21-të gjatë vitit liturgjik, gjithnjë më 26 gusht bie përkujtimi i shën Zefirinit, papë; shën Maksilimilianit, martir; shën Aleksandrit. Liturgjia e ditës na kujton se Zoti nuk banon në tempuj të ndërtuar nga duar njerëzore. Ai është gjithkund. Është shpirt që shfaqet në mënyra nga më të ndryshmet. Zoti kërkon burra e gra që dinë të duan me dashuri të pamasë, e cila nuk shprehet me fjalë, por me vepra të kryera për hir të dashurisë së Krishtit

Po me 26 gusht, kujtojmë një nga figurat më të ndritura të Kishës Katolike universale dhe të popullit shqiptar: Shën Nënë Terezën, Ganxhe Bojaxhiun, në përvjetorin e lindjes së saj, me 1910. Pra, me mirënjohje të thellë ndaj Zotit dhe emocion të veçantë kujtojmë Shën Nënë Terezën, Ganxhe Bojaxhiun, në përvjetorin e lindjes, që bie me 26 gusht. E kujtojmë, e nderojmë ikonën e dashurisë së Zotit, shërbëtoren e madhe të të varfërve

19 gusht 2018, 08:27