Kërko

2018.08.20 Madre Teresa di Calcutta 2018.08.20 Madre Teresa di Calcutta 

Shën Nënë Tereza Bojaxhiu në përvjetorin e lindjes, dashuri pa kufi për çdo njeri

Jeta e dëshmia e kësaj ikone të vërtetë të dashurisë së Krishtit, së cilës sot i kremtojmë përvjetorin e lindjes, janë një ftesë për të gjithë Kishën e mbarë njerëzimin që t’i shërbejmë me besnikëri Zotit në njerëzit më të varfër ndër varfër, njerëzit më nevojtarë..

R.SH. - Vatikan

Me mirënjohje të thellë ndaj Zotit dhe emocion të veçantë kujtojmë sot përvjetorin e lindjes sё Shën Nënë Terezës, Ganxhe Bojaxhiun, shërbëtoren e madhe të të varfërve, të Kishës, të shqiptarëve e të njerëzimit mbarë që e zbukuroi botën me buzëqeshjen e saj.  

Pra, si sot, mё 26 gusht 1910 lindi nё Shkup Ganxhe Bojaxhiu - Shën Nënë Tereza, dhuratë tejet e çmueshme për botën dhe dishepulle e vërtetë e Krishtit. Jeta dhe dëshmia e kësaj ikone të vërtetë të dashurisë së Krishtit, së cilës pikërisht sot i kremtojmë 108 vjetorin e lindjes, janë një ftesë për të gjithë Kishën e mbarë njerëzimin që t’i shërbejmë me besnikëri Zotit në njerëzit më të varfër ndër varfër, njerëzit më nevojtarë.

E mënyra më e mirë për të kremtuar e uruar përvjetorin e Lindjes së Nënës sonë të dashur Shenjte, Ganxhe Bojaxhiu, është të vazhdojmë ta ndjekim dhe imitojmë shembullin e saj, e të jemi gjithkund mjete e dёshmitarё të dashurisë sё Zotit.

Në Kolkatë (Kalkuta e dikurshme) të Indisë, qindra njerëz shkojnë vazhdimisht, posaçërisht sot, në shtëpinë e motrave Misionare të Dashurisë e Bamirësisë, t’i luten Zotit nёrpёrmjet ndёrmjetёsimit tё Shёn Nёnё Terezёs. Në agim, një procesion me qirinj dhe një Meshë kujtuan murgeshën e vogël shenjte shqiptare.  Fryti i heshtjes është lutja. Fryti i i lutjes është feja. Fryti i fesë është dashuria. Fryti i dashurisë është paqja. Veprat e dashurisë nuk janë tjetër veçse vepra paqeje. Gjërat e vërteta lindin nga heshtja!”  Janë këto vetëm disa nga thënien e Shën Nёnё Terezës Bojaxhiu.

Shёn Nënë Terezë e përmblodhi jetëshkrimin e saj me këto fjalë: "Me gjak jam shqiptare; me nënshtetësi, indiane. Përsa i përket besimit, jam murgeshë katolike. Sipas thirrjes, i përkas botës. Por zemra ime i përket plotësisht Zemrës së Krishtit".
Për t'iu përgjigjur sa më mirë si nevojave fizike, ashtu edhe atyre shpirtërore të të varfërve, më 7 tetor të vitit 1950 Nënë Tereza themeloi Kongregatën e Misionareve të Bamirësisë; më 1963 - Vëllezërit Misionarë të Bamirësisë; më 1976, degën kundruese të motrave; më 1979, Vëllezërit kundrues dhe më 1984, Etërit Misionarë të Bamirësisë. Gjithsesi frymëzimi i saj nuk u kufizua vetëm në njerëzit e thirrur për jetë rregulltare.

Organizoi bashkëpunëtorёt e Nënë Terezës dhe bashkëpunëtorët e sëmurë dhe të munduar, njerëz të feve e të kombësive të ndryshme, me të cilët u bë një në lutje, thjeshtësi, flijim dhe në apostullimin e saj që shprehej me vepra të përvuajtura bamirësie humane.
Kjo frymë e shtyu të themelonte më pas Misionarët Shekullarë të Bamirësisë. Duke iu përgjigjur kërkesës së shumë meshtarëve, më 1991 Nënë Tereza themeloi edhe Lëvizjen e Korpit të Krishtit për Meshtarë, si "rrugë e vogël që i çon në shenjtërim" ata, të cilët ishin një mendje me karizmën dhe me shpirtin e saj.

Më 1979 u vlerësua me Çmimin e rëndësishëm Nobel për Paqen. Kudo shkoi nё botё, Nënë Tereza u përpoq të shuante etjen e Krishtit, etjen për Dashuri. Papa Shёn Gjon Pali II e quajti „dhuratë e Zotit për Kishën e për botën“, për t’u kujtuar kështu të gjithëve se dashuria ungjillore qëndron mbi të gjitha vlerat, posaçërisht kur gjen shprehjen e vet në shërbimin që i bëhet më të përbuzurit ndërmjet vëllezërve e motrave tona.

Tashmё tё gjithё e dinë se Nënë Tereza ndodhej në Indi si drejtoreshë e një shkolle të Kongregatës fetare (rregulltare) të Motrave të Loretos, kur në Kalkutë zbuloi dramën e heshtur të të varfërve, të moshuarve, të grave e të fëmijëve, që të braktisur nga kjo botë, vdisnin në rrugët e indiferencës.

Nënë Tereza e dëgjoi zërin e Jezu Krishtit që i thoshte: “Lëre kuvendin e shko të ndihmosh të varfrit, jeto me ta, ndër ta e si ata”. Ajo i bindet thirrjes sё Krishtit: shkon të jetojë në mes të barakave e plehrave dhe fillon të mbledhë më të dëshpëruarit e të dëshpëruarve, sidomos lebrozët. Aty ku të tjerët shihnin veç dhimbje e dështim, ajo sheh fytyrën e Krishtit. Por si mund t’i përgjigjet thirrjes së Zotit, ku gjendet forca për të thënë “po”? Nënë Tereza tha: “Duke e lënë veten në dorë të Krishtit, por edhe nëpërmjet një dashurie të thellë e delikate për Jezusin, sidomos në Eukaristi, në Meshë e në Adhurim”.

“Vëmendja ndaj të tjerëve – thoshte misionarja – është fillimi i shenjtërisë”. Nënë Tereza kujdesej për njeriun veç e veç, jo për turmën. Qëndronte me të varfërit, por dinte t’u drejtohej edhe të pasurve, në të cilët shpesh shihte dëshpërimin: “të varfërit e Kalkutës – pohonte  – nuk kanë asgjë, por besojnë akoma në diçka; ndërsa ata që kanë shumë pasuri, duket sikur nuk besojnë më në asgjë”.

Foli kundër çdo lloj dhune: nga lufta tek aborti. “Nëse nuk e doni fëmijën – u thoshte nënave që donin të abortonin – ma jepni mua: mos e vrisni! Sepse derisa të ekzistojnë nëna që shkatërrojnë jetën e fëmijëve që në kraharor, rruga e vrasjeve dhe e luftës mbetet gjithnjë e hapur”.

Mesazhi i saj është i thjeshtë: dashuria e shpallur nga Jezusi në Ungjill. “Jezusi erdhi të na sjellë Lajmin e Mirë se Zoti na do e se duhet ta duam njëri-tjetrin, ashtu si Ai na do ne. Për këtë Ganxhe Bojaxhiu pati thënë: “Çdo gjë që e bëni për nevojtarët e keni bërë për mua. Nëse keni dhënë një gotë ujë në emrin tim, ma keni dhënë mua. Nëse keni mirëpritur një fëmijë në emrin tim, më keni pritur mua”. E kur të vdesim e të kthehemi tek shtëpia e Zotit, sërish do të dëgjojmë Jezusin që thotë: “Ejani ju të bekuar nga Ati im, sepse kur pata uri më dhatë të ha. Isha i zhveshur e më veshët, Nuk kisha shtëpi e më pritët në shtëpinë tuaj. Isha i sëmurë e në burg dhe erdhët të më shihni. Ejani dhe merrni në dorëzim Mbretërinë që është përgatitur për ju”.

Nënë Tereza na tregon se ku e ka fillimin dashuria! “Në familje. Si fillon? Duke u lutur së bashku. Familja që lutet së bashku, mbetet e bashkuar. E nëse ju do të mbeteni të bashkuar do ta doni njëri-tjetrin, ashtu si Jezusi ju do. Çojeni pra lutjen, gëzimin, dashurinë dhe paqen në familjet tuaja e kështu do të rriteni në shenjtëri”. Sipas Nënë Terezës, “shenjtëria nuk është luks për pak vetë, është një bukuri e thjeshtë, sepse Jezusi ka thënë: ““Qofshi të shenjtë, ashtu si Ati im që është në qiell”. Zoti ju bekoftë të gjithëve””.

Shёn Nënë Tereza është shembull i jashtëzakonshëm i bamirësisë së heshtur, që lind nga kundrimi i përhershëm i Krishtit të kryqëzuar.  Shembulli i shkëlqyer i shërbimit të saj bamirës është bërë burim frymëzimi për familjen e sa shpirtërore, Misionaret e Dashurisë, për Atdheun e saj, për Kishën e për mbarë njerëzimin. Po e kujtojmë sot plot emocion e krenari ditëlindjen e Nënë Terezës, shërbëtoren e madhe të të varfëve.

Edhe sot jeta dhe vepra që na la Nënë Tereza janë dëshmi dhe ikonë e dashurisë së Zotit ndaj njerëzimit e posaçërisht ndaj më varfërve e të mënjanuarve, shembull përkushtimi e shërbimi vëllazëror për të gjithë ne

26 gusht 2018, 11:24