20171229_BAV_Vat.lat.268_0006_fr_0001v_scrivere, mano, manoscritto.jpg 20171229_BAV_Vat.lat.268_0006_fr_0001v_scrivere, mano, manoscritto.jpg 

Shën Flori e Lauri, martirë nga Ulpiana e Dardanisë

Flori e Lauri me profesion ishin gurgdhendës, sot mund t’i quanim skulptorë, kishin talent të veçantë në fushën e artit. Flijuan pasurinë, famën, mundësitë e mëdha që kishin në atë kohë për zhvillim, vetëm për ta adhuruar Zotin e gjallë, Jezu Krishtin, e jo hyjnitë pagane.

R.SH. - Vatikan

Duke shfletuar kalendarin kishtar e kombëtar, më 18 gusht, përkujtojmë festën e martirëve shën Florit e Laurit, vëllezër binjakë nga Ulpiana e krahinës së Dardanisë, afër Prishtinës.

Flori e Lauri, ose Floriani e Laurini, siç njihen shpesh dy vëllezërit binjakë, erdhën nga vise të largëta në shekullin e 2-të në Dardani, e pikërisht në Ulpiana, afër Prishtinës, ku, me pëlqimin e sundimtarëve vendas, ngritën një Kishë të krishterë, të cilën ia kushtuan Jezu Krishtit. Jetuan në gjysmën e parë të shekullit të 2-të dhe, kur persekutimi ndaj krishterimit u shtri edhe në trevat ilire, në Kosovën e sotme, Flori e Lauri u martirizuan, duke mbrojtur kështu tokën e të parëve tanë me gjak të derdhur për të dëshmuar Krishtin

Dy vëllezërit Flori e Lauri ishin gurgdhendës të njohur e të vlerësuar nga autoritetet e kohës së perandorit romak Adrianit. Qenë nxënës të Prokolit e të Maksimos, martirë. Pas vdekjes së këtyre për shkak të fesë në Krishtin, Flori e Lauri nga Bizanti u transferuan në Iliri, në qytetin Ulpiana, në krahinën e Dardanisë, ku punuan në minierën gurore Pretoriane të Perandorisë Romake, për llogari të Likonit guvernator.  Krahas punës së tyre e përkujdesimit për të varfrit, i luteshin pandërprerje Jezusit Zot, duke mohuar e refuzuar kultin e idhujve që obligonin perandorët romakë.

Për shkak të dëshmisë së fesë së tyre në Krishtin, predikimit të Ungjillit e përhapjes së fesë së krishterë, Flori e Lauri u arrestuan, u burgosen, u torturuan e më vonë, me urdhër të guvernatorit të krahinës së Dardanisë, prokonsullit Likone, i groposën për së gjalli. Menjëherë pas martirizimit të tyre, besimtarët e krishterë, në atë kohë, shkonin tek vendi i varrit të tyre për t’iu lutur Zotit dhe me ndërmjetësimin e shën Florit e Laurit kërkonin hire e bekime Hyjnore.

Kulti në nderim të këtyre martirëve u përhapë shumë shpjet në të gjitha Kishat lindore, e jeta e dëshmia e tyre për Krishtin, u përhapën ndër besimtarë, aq sa u bënë shembuj të jetës së përsosur të krishterë. Shën Flori e Lauri jetuan në një botë pagane, e janë shembull për ne, pse ata nuk e flijuan fenë e tyre për të arritur suksese materiale e poste të rëndësishme në shoqëri.

Flijuan gjithçka e përballuan gjithfarë persekutimesh, shpifjesh, torturash, deri në flijimin e jetës, për të arritur të mirën e vetme që është Jezu Krishti. Prandaj, shembulli i tyre është mësim e nxitje edhe për ne sot, që t’i përmbahemi vlerave të vërteta, njerëzore e shpirtërore.

18 gusht 2018, 08:27