Ndërroi jetë Aretha Franklin, prekëse kënga e saj para Papës
R. SH. Vatikan
Është data 26 shtator 2015: në Filadelfia, zëri i jashtëzakonshëm e tronditës i Aretha Franklin, me tonin e paimitueshëm, e mbush plot me dritë e ngjyra festën e organizuar me rastin e Takimit Botëror të Familjeve. Këndon mbi tribunën e takimit, para Papës Françesku, këngën “Amazing Grace”. Interpretimi i Arethës, që po jua propozojmë përmes videos së arkivit, është prekës e përmallues, ashtu si një pjesë e mirë e repertorit të saj të pasur, që vërshon ndërmjet ritmeve të jazz, soul e gospel. Vdekja e këngëtares së papërsëritshme, dje, në Detroit, përmbyll një epokë muzikore prej më se pesë dekadash
Mbretëresha e soul
E lindur në Memphis, më 25 mars 1942, zëri i saj shndriti disa koncerte legjendare. Bijë e një predikatari të njohur zezak të viteve ’50 e ’60, shoqëroi, së pari, me këngën e saj të pakrahasueshme, kremtimet e të atit. U imponua në skenën botërore në gjysmën e viteve gjashtëdhjetë. E shumë shpejt u bë, për të gjithë, mbretëresha e soul. Ndërmjet këngëve të saj më të famshme, po kujtojmë “Respect” e “Think”. E paharrueshme, figura e këngëtares në filmin “Blues Brothers”. Gjatë karrierës së saj të gjatë, meritoi 18 çmime Grammys Award, Oskar i muzikës dhe e pa suksesin e padiskutueshëm të jetës edhe në shitjen e 75 milionë disqeve. Më 1987 ishte gruaja e parë, që bënte pjesë në “Rock and Roll Hall of Fame”. Në vitin 2017 dha njoftimin se po largohej nga skena. Shfaqja e fundit ishte ajo e nëntorit të kaluar, në New York. Me këtë rast e përshëndeti për herë të fundit publikun. Nuk ishte këngë, kjo përshëndetje. Ishin dy fjalët të thjeshta, thellësisht prekëse: “Lutuni për mua!”.
Lutuni për shpirtin e këngëtares së papërsëritshme, që të mund të vijojë të këndojë me koret e engjëjve, në Parriz!