Kërko

Ndërroi jetë Aretha Franklin, prekëse kënga e saj para Papës

Ndërroi jetë, në Detriot, në moshën 76 vjeçare, Aretha Franklin, një nga personalitetet më të shquara të kulturës muzikore të Nëntëqindës.

R. SH. Vatikan

Është data 26 shtator 2015: në Filadelfia, zëri i jashtëzakonshëm e tronditës i Aretha Franklin, me tonin e paimitueshëm, e mbush plot me dritë e ngjyra festën e organizuar me rastin e Takimit Botëror të Familjeve. Këndon mbi tribunën e takimit, para Papës Françesku, këngën “Amazing Grace”. Interpretimi i Arethës, që po jua propozojmë përmes videos së arkivit, është prekës e përmallues, ashtu si një pjesë e mirë e repertorit të saj të pasur, që vërshon ndërmjet ritmeve të jazz, soul e gospel. Vdekja e këngëtares së papërsëritshme, dje, në Detroit, përmbyll një epokë muzikore  prej më se pesë dekadash

Mbretëresha e soul

E lindur në Memphis, më 25 mars 1942, zëri i saj shndriti disa koncerte legjendare. Bijë e një predikatari të njohur zezak të viteve ’50 e ’60, shoqëroi, së pari, me këngën e saj të pakrahasueshme, kremtimet e të atit. U imponua në skenën botërore në gjysmën e viteve gjashtëdhjetë. E shumë shpejt u bë, për të gjithë, mbretëresha e soul. Ndërmjet këngëve të saj më të famshme, po kujtojmë “Respect” e “Think”. E paharrueshme, figura e këngëtares në filmin “Blues Brothers”. Gjatë karrierës së saj të gjatë, meritoi 18 çmime Grammys Award, Oskar i muzikës dhe e  pa suksesin e padiskutueshëm të jetës  edhe në shitjen e 75 milionë disqeve. Më 1987 ishte gruaja e parë, që bënte pjesë në “Rock and Roll Hall of Fame”. Në vitin 2017 dha njoftimin se po largohej nga skena. Shfaqja e fundit ishte ajo e nëntorit të kaluar, në New York. Me këtë rast e përshëndeti për herë të fundit publikun. Nuk ishte këngë, kjo përshëndetje. Ishin dy fjalët të thjeshta, thellësisht prekëse: “Lutuni për mua!”.

Lutuni për shpirtin e këngëtares së papërsëritshme, që të mund të vijojë të këndojë me koret e engjëjve, në Parriz!

 

17 gusht 2018, 14:25