Cerca

Vatican News
Dottrina Cristiana tradotta in Albanese Doktrina e Krishtene perkthye ne gjuhen shqipe Kazazi Dottrina Cristiana tradotta in Albanese Doktrina e Krishtene perkthye ne gjuhen shqipe Kazazi 

Imzot Gjon Nikollë Kazazi në përvjetorin e vdekjes

Gjatë qëndrimi të tij në Romë, në vitin 1743, imzot Gjon Nikollë Kazazi zbuloi në Bibliotekën e Propagandës Fide të Vatikanit, të vetmin ekzemplar të ruajtur deri më sot të ‘Mesharit’ të dom Gjon Buzukut, botuar ne vitin 1555.

Më 5 gusht të vitit 1752 ndërroi ipeshkvi i madh, imzot Gjon Nikollë Kazazi. Imzot Gjon Nikollë Kazazi, udhëheqësi shipërtëror e kombëtar i shqiptarëve gjatë viteve 1700 të shekullit 18, ka qenë njëra ndër figurat që ka lënë gjurmë të jashtëzakonshme në historinë kombëtare, gjurmë të cilat shpesh herë kanë ndikuar edhe në zhvillimet e mëvonshme .

Ipeshkvi shqiptar, Imzot Gjon Nikollë Kazazi (1702-1752) ishte lëvrues i gjuhës shqipe. Studioi teologjinë dhe filozofinë në Itali, punoi si prift, misionar, pastaj si kryeipeshkёv i Shkupit. Më 1740 zbuloi “Mesharin” e Gjon Buzukut nё Vatikan. Botoi më 1743 veprën “Përmbledhje e shkurtër e doktrinës kristiane. Përkthyer në gjuhën shqipe për t’u përdorur e mësuar nga fëmijët e këtij kombi”. Vepra ka rëndësi për njohjen e së folmes së Gjakovës në shek.XVIII; është shkruar më ndonjë ndryshim në alfabetin e shkrimtarëve të shek.XVI-XVII.

Bariu shpirtëror, teologu e shkrimtari imzot Gjon Kazazi lindi në Gjakovë, më 1 janar 1702. Mësimet e para i mori në vendlindje, ndërsa studimet teologjike i filloi në Kolegjin Ilirik të Shën Pjetrit, pastaj i vazhdoi në Kolegjin e Shën Palit në Fermo dhe i kreu në Kolegjin Ilirik të Loretos, ku krahas teologjisë studioi edhe filozofi, gramatikë e retorikë.

Gjon Nikollë Kazazi i nisi studimet kur ishte i ri, 18 vjeç. Në vitin 1727 mori titullin doktor në filozofi e teologji. Po atë vit u shugurua meshtar. Sapo u kthye, kryeipeshkvi imzot Mikel Suma, e emëroi misionar në Prizren. Më pas kaloi nga Prizreni në Gjakovë, për shërbim baritor, të cilin e kreu së bashku me dom Anton Teodorin.  Me që dallohej për zgjuarsi dhe aftësi të veçantë njerëzore, shpirtërore e intelektuale, imzot Suma e emëroi dom Gjonin Vikar të Përgjithshëm. 

Pas largimit të imzot Mikel Sumës nga kryeipeshkvia e Shkupit, ishte Gjon Kazazi ai që e drejtoi atë kryeipeshkvi nga viti 1737. Me propozimin e kryeipeshkvit të Tivarit, imzot Vinçenc Zmajeviqit, imzot Kazazi u emërua vizitator apostolik i kryeipeshkvisë së Sofjes dhe ipeshkvisë së Nikopolit, në Bullgari. Me 23 shtator 1743, Papa Benedikti XIV e emëroi imzot Gjon Nikollë Kazazin kryeipeshkëv të Shkupit në moshën 41. Simbolin e ‘Palios’ e mori në Romë, me 16 dhjetor 1743.

Krahas misioni ungjillëzues, baritor në shërbimit të popullit të Zotit e përforcimin e Kishës së gjallë të Krishtit, imzot Gjon Kazazi kultivoi me pasion e urti edhe aspektin kulturor, posaçërisht shkrimin në gjuhën shqipe. Këtu kishte si qëllim shkrimin e botimin në gjuhën e popullit të tij, pra shqip, të librave me përmbajtje shpirtërore, pra biblike, si katekizmi, doracakët uratësh, librat liturgjike po edhe gjurmimin e rrënjëve të lashta të kombit të tij shqiptar.

Kështu,  gjatë qëndrimi të tij në Romë, në vitin 1743, imzot Gjon Nikollë Kazazi zbuloi në Bibliotekën e Propagandës Fide të Vatikanit, të vetmin ekzemplar të ruajtur deri më sot të ‘Mesharit’ të dom Gjon Buzukut, botuar ne vitin 1555. Gjithë gëzim për këtë gjetje, ai njoftoi Gjergj Guxetën në Palermo të cilit i dërgoi një faqe. Libri mendohet tue jetë shtypur në Venedik me alfabetin latin, duke shtuar disa shenja cirilike për tingujt në shqip. Ky zbulim bëri bujë të madhe, sepse është libri i parë në gjuhën shqipe. Ky zbulim mbeti ne heshtje për më tepër se një shekull, deri më 1909, kur e rizbuloi arbëreshi Pal Skiroi, në Bibliotekën e Vatikanit në Romë, ku gjendet edhe sot me shënimin Katalogu: R.G. Liturgia III, 194.

Po atë vit, 1743, imzot Kazazi botoi edhe katekizmin e tij “Doctrina e kërshten” - "Breve Compendio della Dottrina Cristiana tradotta in lingua Albanese per l'utilità, e istruzione dei Fanciulli di quella Nazione. Da un Nazionale del Regno di Servia Alunno della S. Congregazione" shtypur ne Romë nga "Stamperia della S. Congregatione de Propaganda Fide" .

Kryeipeshkvi Gjon Kazazi shkoi disa herë në Romë për vizitë "ad Limina Apostolorum" tek Papa e dikasteret e Selisë së Shenjtë në Vatikan. Prandaj janë me vlerë të madhe kishtare e historike edhe relacionet që imzot Gjon Kazazi dërgoi në Vatikan më 1743, 1744 e gjatë viteve tjera të misionit të tij meshtarak e ipeshkëvnor, në cilat paraqet e informon Papën e Selinë e Shenjtë mbi situatën tejet të rëndës të popullsisë dhe të të krishterëve në trevat shqiptare dhe në Vende tjera si në Bullgari, Serbi që ishin nën sundimin e perandorisë osmane.

Pranë Varreve të Apostujve, në Vatikan, imzot Gjon Kazazi u gjunjëzua për herë të fundit në vitin 1750, sepse kryeipeshkvi i Shkupit ndërroi jetë me 5 gusht të vitit 1752. Me jetën e veprat e tij, imzot Gjon Kazazi la gjurmë të pashlyera në historinë e Kishës e të popullit shqiptar, si bari dhe mbrojtës i klerit e i popullit, në historinë e albanologjisë, si zbulues i parë i librit më të vjetër të shtypur në gjuhën shqipe, që njihet deri me sot, ‘Meshari’ ti dom Gjon Buzukut.

Mbi kёtё figurё po shёnojmё studimet e  Bardhyl Deemiraj si “Jeta dhe trashëgimia e Gjon P. Nikollë Kazazit” e cila është ndër monografitë me materiale të rralla dokumentare, i plotësuar. Vënia e tij në dispozicion të lexuesit kryesisht në versionin origjinal është një kontribut me vlera të rralla historike dhe kulturore nga autori Bardhyl Demiraj

Nga katekizmi i imzot Gjon Kazazit

Lutjet e Mëngjesit

Po të falem o Zot i vërtetë,
e po të bindem,
e po të due me gjith zembër.
Po të falem nderës se më ke kriuom
e më ke çperblem e më ke ruojtun këtë natë
prej ndonji mortje së pakujtueshme.
Ty, o Zot po t’i falinj gjith(a) kujtimet e mija
e po të lutem të më ruojsh
sod e për gjithë herë prej gjith fajesh
e mpkatesh...

04 gusht 2018, 21:55