Caravaggio Deposizione dalla croce - Musei Vaticani Caravaggio Deposizione dalla croce - Musei Vaticani 

Më 31 gusht kalendari Kishtar përkujton Shën Jozefin e Arimatesë

Kishës katolike përkujton Shën Jozefin e Arimatesë dhe Shën Nikodemin, që e morën trupin e Jezusit, të sapo zbritur nga Kryqi dhe e mbështollën me çarçafin e vdekjes. Guximi i Jozefit nuk është ai i heronjve në betejë., është forca e fesë, që bëhet mikpritje, dashuri.

R.SH. - Vatikan

Më 31 gusht kalendari i Kishës katolike përkujton Shën Jozefin e Arimatesë dhe Shën Nikodemin, që e morën trupin e Jezusit, të sapo zbritur nga Kryqi dhe e mbështollën me çarçafin e vdekjes. Pranë Kalvarit ishte një varr, që i përkiste Jozefit të Arimatesë. Në këtë varr u vendos trupi i Jezusit pas zbritjes nga kryqi. U vendos me ngut, që gjithçka të mbaronte para kremtimit të Pashkëve, të cilat fillofshin në perëndim të diellit. 

Përveç dishepujve, ka edhe të tjerë, që interesohen për Jezusin e kryqëzuar: Nikodemi e Jozefi i Arimatesë, të cilët i përkasin shoqërisë së kamur të Jeruzalemit, madje vetë Sinedrit, që e dënoi Jezusin. Jetuan në hije, nuk i miratuan metodat e kolegëve, madje edhe protestuan, gjithnjë me druajtje, pa rënë shumë në sy. Por tani që Jezu Krishti vdiq mbi kryq, nuk kanë ç’të humbasin më e dalin haptazi, pa kurrfarë droje. I bëjnë nderimet e fundit e pastaj edhe ata shkojnë në punë të vet. Kështu, pas vdekjes së Jezusit mbi kryq,  qene pikërisht dy anëtarë të nderuar të sinedrit, Jozefi i Arimatesë dhe Nikodemi , ata që u morën me varrosjen e Krishtit.

Ndërmjet të gjitha varreve, të përhapura ndër kontinentet e Planetit tonë, ky është varri në të cilin Biri i Zotit, njeriu Jezu Krisht, e mundi vdekjen me vdekje! Pema e jetës, nga e cila u dëbua njeriu për shkak të mëkatit, iu dëftua rishtas njerëzve në korpin e Krishtit, që u bë Buka e jetës.

Në se ndokush ha nga kjo bukë, do të jetojë në amshim; e buka që jep Krishti është korpi i Tij për jetën e botës. Pavarësisht nga fakti se në Planetin tonë hapen gjithnjë varre të reja, pavarësisht nga varri, në të cilin njeriu i dalë nga pluhuri, kthehet në pluhur, të gjithë njerëzit që shikojnë varrin e Jezusit, jetojnë me shpresën e Ringjalljes! E ky varr nuk mund të mos u kujtojë edhe Shenjtin që kremtoi sot Kisha katolike, Shën Jozefin e Arimatesë.

Ndalesa e 13-të e Udhёs sё Kryqit

       Jezusin e ulin prej kryqit

Nga Ungjilli sipas Markut (15, 42-43.46a): “Kur u bë natë dhe, pasi ishte përgatitja ‑ d. m. th. nata e së shtunës ‑ erdhi Jozefi prej Arimatesë, këshilltar i shquar e që edhe ai priste Mbretërinë e Hyjit, mori guxim dhe hyri te Pilati e ia lypi trupin e Jezusit. Ky [Jozefi] bleu pëlhurën, e uli nga kryqi Jezusin”.

Jozefi i Arimatesë e pranon Jezusin para se ta shihte lavdinë e Tij. E pranon kur është i mundur. Keqbërës. I refuzuar. Ia kërkon trupin Pilatit për të mos e lënë ta hedhin në varrin e përbashkët. Jozefi vë në rrezik reputacionin e vet e ndoshta, ashtu si Tobia, edhe jetën e vet (shih Tb 1, 15-20). Por guximi i Jozefit nuk është ai i heronjve në betejë. Guximi i Jozefit është forca e fesë. Një fe, që bëhet mikpritje, dashuri, që s’kërkon asgjë në këmbim. Me një fjalë, bëhet dashuri e krishterë e bamirësi.

Heshtja, thjeshtësia dhe vetëpërmbajtja me të cilën Jozefi i afrohet trupit të Jezusit, bie ndesh me salltanetin, banalizimin dhe madhështinë e funeraleve të të pushtetshmëve të kësaj bote. Dëshmia e Jozefit na kujton të gjithë ata të krishterë, që edhe sot, vënë në rrezik jetën për një funeral.

Kush mund ta priste trupin pa jetë të Jezusit, përveç asaj, që ia kishte dhënë jetën?Mund t’i imagjinojmë ndjenjat e Marisë, që e pret ndër krahët e saj, ajo, që besoi në fjalët e Engjëllit e mbajti gjithçka në zemër të vet.

Maria, ndërsa përqafon birin e saj pa jetë, përsërit edhe një herë “fiat” – ashtu qoftë. Është drama dhe prova e fesë. Asnjë krijesë nuk ka vuajtur si Maria, nëna, që na ka rilindur të gjithëve në fe, në këmbët e kryqit.

Përsëriste lutjen e kësaj bote:

“O Atë, Abbà, nëse është e mundur…”.

Vetëm një degë ulliri

lëkundej mbi kryet e tij

nga një puhizë e heshtur…

Por asnjë gjemb ti

nuk ia hoqe nga kurora.

I shporuar edhe mendimi

nuk mund, nuk mundet atje lart

të mos gjakoset mendimi!

E as edhe një dorë

nuk ia lirove nga gozhdat në dru:

që të thahej nga sytë

gjaku

e t’i jepje mundësinë

të shihte

së paku të Ëmën atje,

vetëm…

Deri edhe të pushtetshmit

e mjeshtrit e mizorisë

e njerëzit, kur e shihnin

mbulonin fytyrën

e Ai lëkundej brenda

një reje:

brenda resë së lëshimit hyjnor

E më vonë, vetëm më vonë

Ti e ne, duke i dhënë jetën.

(Atë Turoldo)

31 gusht 2018, 10:02