Kërko

Maestro di Santa Chiara, Assisi, XIII sec. Maestro di Santa Chiara, Assisi, XIII sec. 

Më 11 gusht kalendari kishtar përkujton Shën Kjarën e Asizit

Shën Kjara e Asizit na fton t’ia dhurojmë jetën Krishtit. Kisha e kujton shёn Kjarёn si Virgjër që digjej nga dashuria hyjnore, në sa ia dhuronte Zotit vetveten ditë për ditë në lutje e në jetën e zakonshme.

R.SH. - Vatikan

Më 11 gusht kalendari kishtar përkujton Shën Kjarën e Asizit, qё na fton t’ia dhurojmë jetën Krishtit. Kisha e kujton shёn Kjarёn si Virgjër që digjej nga dashuria hyjnore, në sa ia dhuronte Zotit vetveten ditë për ditë në lutje e në jetën e zakonshme.

Ishte nata pas së Dielës së Larit, 18 mars 1212, kur Kjara, bijë e një familjeje fisnike të Asisit, shkoi fshehurazi në Porciunkola, ku e prisnin Shën Françesku e sivëllezërit e tij, për të veshur zhgunin françeskan e për të bërë kushtin e varfërisë të jetës rregulltare. Shembull i fisnikërisë së shpirtit, u shpall shenjtore në vitin 1255, dy vjet pas vdekjes, nga Papa Aleksandri IV.

Mbi figurën e Shenjtës flet motër Maria Rita Sola Vagjione:

Më pëlqen ta kujtoj me shprehjen që përdoret zakonisht, kur flitet për të: “Filiz i Françeskut”, pemë që u rrit e lulëzoi mbi rrënjën e mbjellë nga Shën Françesku, mbi dashurinë për Krishtin e varfër e të kryqëzuar, që na dhuron gjithë vetveten. Kështu edhe Kjara e dhuroi plotësisht vetveten, duke u bërë nënë e motër jo vetëm për simotrat e veta të varfra të Shën Damianit, por edhe për Shën Françeskun e fretërit e tij. Provoi, kështu, përvojën rregulltare të amësisë. E shikoj Shën Kjarën si një vazo alabastri, që u zbraz krejtësisht, për t’u mbushur pastaj me dritën e Zotit. Duke pasur gjithçka, deshi të mos kishte asgjë. E zgjodhi lirisht rrugën e vet, për dashuri të Krishtit, duke na lënë një trashëgimi të begatë, si grua që e jetoi plotësisht e në mënyrë krijuese jetën e saj rregulltare, por edhe femërinë e saj. E jo vetëm ne, që ecim në gjurmët e Kjarës, por edhe mbarë Kishës.
 
Që prej 52 vjetësh Shën Kjara është shpallur pajtore e televizionit. Pse? Ç’ndodhi natën e Krishtlindjes të vitit 1252?

 
Pati hirin të ishte e pranishme në kremtimin e Krishtlindjes nga fretërit e vegjël, pa luajtur fare prej shtrojës, ku jetoi e sëmurë për 27 vjet. Me këtë dhuratë të posaçme, arriti të kapërcejë pengesat e hapësirës. E dhe sot ajo është e pranishme mes nesh, me mrekulli shpirtërore.

Më shumë për jetëshkrimin e Shën Kjarës

Lindi më 16 korrik 1194 në Asizi. Ishte bijë e Favrone Offreduccios dhe Ortolanës. Emri i saj është i lidhur ngushtë me atë të Shën Françeskut. Kur fama e Françeskut u përhap në gjithë qytetin, në sa një pjesë e mirë e asizianëve mendonin se i biri i Bernardonit ishte çmendur, Kjara u mahnit nga ideali françeskan i varfërisë, ndjeu një thirrje të fuqishme për ta ndjekur dhe, duke ecur në këtë rrugë, u mbyll në kuvend bashkë me shoqet e para. Themeloi kështu klariset, murgesha kundruese, që u përhapen kudo në botë.

Kjara vdiq më 11 gusht 1253. Në salikimet e saj solemne mori pjesë edhe Papa Inoçenci IV me një numër të madh shoqëruesish nga autoritetet më të larta të Kishës. Natyrisht për të marrë pjesë në një ngjarje kaq të jashtëzakonshme, ngarendi gjithë populli i vendit e i rrethinave. Nuk ishte parë kurrë një turmë aq e madhe në Asizi. Papa propozoi që salikimet të mos kremtoheshin me lutjet e ditës kushtuar të vdekurve, por me atë të virgjërave. Në këtë mënyrë do ta shpallte shenjte para se të zbriste në varr. Njëri nga kardinajtë i tërhoqi vëmendjen, duke i kujtuar se një kremtim i tillë nuk përkonte me praktikën e Kishës. Dhe qe një fat i madh, sepsč gjatë procesit për shenjtërimin e saj u pyetën shumë dëshmitarë dhe u grumbulluan dëshmi, të cilat përbëjnë një pasuri për françeskanizmin e për mbarë Kishën. Por të mos ishte ndjekur praktika e shenjtërimit, këto dëshmi ndoshta nuk do të ishin njohur kurrë.

Tepër aktual për kohën tonë shembulli i Shën Kjarës, që mbahet gjallë e vijon të përhapet në botë nga nëntëqind kuvende, në të pesë kontinentet, edhe në Shqipëri, ku klariset qenë vendosur njëherësh me françeskanët, për t'u larguar vetëm në prag të pushtimit turk, duke lënë në trojet shqiptare sivëllezërit e tyre, që vijuan të jetojnë bashkë me popullin shqiptar në ditë të bardha e të zeza. U kthyen rishtas sapo u krijuan kushtet për apostullimin e tyre. Pas rënies së diktaturës ata hapën shtëpinë e tyre të parë në dioqezën e Sapës.

Rregulli i Shën Kjarës, pavarësisht nga kalimi i shekujve, e ruan të paprekur joshjen e vet shpirtërore dhe pasurinë teologjike. Klariset janë të thirrura të jetojnë sipas përsosurisë ungjillore, duke e gjetur në Krishtin programin e vetëm e të vërtetë të jetës. E kjo përbën një sfidë për njerëzit e kohëve tona e jo më pak një propozim, në një botë që karakterizohet nga cektësia e pakënaqësia, gjë që të krijon idenë se njeriu e ka humbur identitetin e vet, nga që nuk kujtohet më se ka lindur nga dashuria e Zotit e se Zoti e pret në bashkimin që s'ka fund.

Shën Kjara e ndoqi Krishtin në përvojën e përvujtërisë e të varfërisë rrënjësore, deri te Kryqi. E zgjedhja e rrugës së varfërisë është kërkesë themelore e Ungjillit, të cilin Shenjta e jetoi pikë për pikë, e mbyllur në kuvendin e Shën Damianit, në Asizin e paqes e të mirave.

11 gusht 2018, 08:01