2018.08.21 Sacrificio di Isacco 2018.08.21 Sacrificio di Isacco 

Islami kremton sot festën e Kurban Bajramit

Sot, dita e dhjetë e muajit islamik Dhu al-Hijja 1439, bota myslimane kremton festën e flijimit të Abrahamit, Eid al-Adha, ose, siç njihet ndër shqiptarë, festa e Kurban Bajramit. Gëzuar pra, festën e Kurban Bajramit apo të Bajramit të vogël, për gjithë besimtarët myslimanë.

R.SH. - Vatikan

Këtyre ditëve, në Mekë, shtegtarët kremtojnë ritin e risimit shpirtëror dhe të fitores të së mirës mbi të keqen, duke ndjekur shembullin e profetit Abraham, - Ibrahim për myslimanët - i gatshëm ta flijojë të birin, Ismaelin, kur ia kërkoi Zoti. Por Hyji nuk e la, e shpërbleu bindjen e tij dhe e shpëtoi Ismaelin (për katolikët, është fjala për Izakun).

Festimet në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, Mal te Zi 

Myslimanët e gjithë botës kanë flijuar sot një dash a gjedhë tjetër, mishi i së cilës ndahet në tri pjesë: një për familjen, një për të afërmit, shokët dhe fqinjët e një për të varfërit e nevojtarët. Bashkësia myslimane e Shqipërisë e organizoi faljen e namazit, në Sheshin Skënderbej, ndërsa në Kosovë, manifestimi qendror qe në xhaminë e madhe në Prishtinë.

Këshilli Papnor për Dialogun Ndërfetar: vlera fetare e morale të përbashkëta

Në njërin nga mesazhet e tij të fundit, Këshilli Papnor për Dialogun Ndërfetar nënvizon se në të kaluarën, marrëdhëniet ndërmjet të krishterëve e myslimanëve janë karakterizuar shpesh nga konkurrenca, me pasojë xhelozi e tensione. Kur feja është instrumentalizuar, është kaluar edhe në ndeshje të dhunshme, shprehje e interesave politike të caktuara, si për shembull, shteti islamik terrorist Isis. Për t’i kapërcyer këto probleme, shkruan Këshilli Papnor në mesazhin e sivjetëm për Ramazanin, “është e rëndësishme që të krishterët e myslimanët, pavarësisht nga ndryshimet, të kujtojnë vlerat fetare e morale të përbashkëta. …Ne të gjithë kemi të drejtë e detyrë ta dëshmojmë të Gjithpushtetshmin, të Cilit i kemi ngritur kult, ta ndajmë besimin tonë me të tjerët, me respekt për fenë dhe për ndjenjat e tyre fetare. Për të inkurajuar marrëdhënie paqësore e vëllazërore, të punojmë së bashku dhe ta nderojmë njëri-tjetrin. Në këtë mënyrë, do t’i thurim lavde të Gjithpushtetshmit e do të promovojmë harmoninë në shoqëri, e cila është gjithnjë shumëetnike, shumëfetare dhe shumëkulturore”.

Gëzuar pra, festën e Kurban Bajramit apo të Bajramit të vogël, për gjithë besimtarët myslimanë.

21 gusht 2018, 14:08