Kërko

Hiroshima e Nagasaki: fryti i luftës

73 vjet më parë, Hiroshima e Nagasaki, në Japoni, u shkatërruan, njëra pas tjetrës, nga bomba atomike. “Në një shpërthim të zjarrtë, shuhej jeta e sa e sa njerëzve”, pati thënë shën Gjon Pali II.

R.SH. - Vatikan

“Hiroshima e Nagasaki kujtohen… si viktimat e para të luftës bërthamore… Emrat e shumë – tepër – vendeve vijnë ndërmend sidomos, sepse dëshmojnë tmerrin dhe vuajtjen, që sjell lufta”. Me këto fjalë, gjatë vizitës së 1981-shit në Memorialin e Paqes, në Hiroshimë, Papa Gjon Pali II, kujtonte shkatërrimin e dy qyteteve japoneze më 6 e më 9 gusht 1945, nga hedhja e dy bombave të para atomike në histori. Shpërthimet, që në fakt, i dhanë fund tragjikisht Luftës II Botërore, u morën jetën qindra mijëra njerëzve. As sot, nuk dihet numri i saktë.

Kujtesa është impenjim për të ardhmen e për paqen

         I kujtojmë këto data, në përvjetorin e tyre të 73-të, sepse siç shpjegonte, gjithnjë Papa Woytila, kjo do të thotë “të impenjohemi për të ardhmen”, “për paqen”, duke e “përtërirë fenë tonë në njeriun, në aftësitë e tij për të bërë mirë, në lirinë e tij për të zgjedhur ç’është e drejtë”. Kujtim, që u përket të gjithëve, sidomos “atyre, që e duan jetën mbi tokë” e që “duhet t’i nxisin qeveritë… të veprojnë në harmoni me kërkesat e paqes”. “Paqja – pati thënë shenjti i ardhshëm Gjon Pali II, gjatë vizitës në Hiroshima, më 1981 – duhet të jetë gjithnjë synimi përfundimtar, paqja duhet të arrihet e të mbrohet në çdo rrethanë”.

Papa Françesku e fëmija e Nagasakit

         E s’mund të mos kujtojmë gjestin e Papës Françesku, janarin e kaluar. Në udhëtim drejt Kilit, etapa e parë e shtegtimit të tij të 22-të apostolik, Papa bisedonte me gazetarët në avion. Shprehu frikën e një aksidenti, i cili mund të shkaktonte luftë bërthamore. U tregoi të pranishmëve fotografinë e një fëmije nga Nagasaki, që mbante mbi supe të vëllanë e vdekur, duke pritur radhën para furrës krematore, ku do të përfundonte vogëlushi i vrarë nga bomba atomike. “U mallëngjeva, kur e pashë – pati thënë Ati i Shenjtë – e guxova të shkruaja: ‘Fryti i luftës’. Mendova t’i bëj disa kopje e t’ua jap, sepse një pamje e tillë të mallëngjen më shumë se njëmijë fjalë”. Fotografia ka si autor, amerikanin Joseph Roger O’Donnell, korrespondent nga Hiroshima e Nagasaki, pas shpërthimit të bombave. Është denoncimi më elokuent kundër tmerrit të përdorimit të gabuar të energjisë bërthamore.

06 gusht 2018, 16:00