Myslimanët sufi rreth varrit të Moulay Idrizit I Myslimanët sufi rreth varrit të Moulay Idrizit I 

Gazeta e Vatikanit: “Për ata, që s’mund të shkojnë në Mekë”

Deri të shtunën, 25 gusht, myslimanët e gjithë botës kremtojnë festën e Kurban Bajramit, Id al-Adha. Në këtë periudhë, myslimanët shkojnë në Mekë, por ka edhe vende të tjera për shtegtim (haxhillëk). Njërin prej tyre e paraqet gazeta e Vatikanit, “L’Osservatore Romano”, në shkrimin me titull “Për ata, që s’mund të shkojnë në Mekë”, duke cituar agjencinë France-Presse.

R.SH. - Vatikan

E quajnë “shtegtimi i të varfërve” e bëhet çdo verë në Marok, ku dhjetra mijëra besimtarë myslimanë dynden në qytetin e shenjtë të Moulay Driss Zerhoun. Aty, që prej 12 shekujsh, prehet Idrizi I, konsideruar si themeluesi i dinastisë së parë islamike në Marok. Pasardhës i profetit Muhamet, themeluesi i dinastisë së idrizidëve të Magrebit al-Aqsa gjeti strehë këtu, pranë qytetit të lashtë romak Volubilis, në Marokun qendror, pasi iku nga Bagdadi, në fund të shekullit VIII. Në sheshin qendror të Moulay Driss Zerhoun, vëllazëritë sufi parakalojnë nën vështrimin kureshtar të turistëve e të pranishmëve të tjerë. Ky procesion shënon fillimin e “moussem”-it, takimit veror, gjatë të cilit mbahen kremtime të ndryshme e thuhen lutje për nder të Idrizit I.

Sufizmi predikon rrugën e shndërrimit të brendshëm       

 “Shtegtimi i të varfërve është për ata, që s’kanë mundësi të shkojnë në Mekë. Ata vijnë këtu, në këtë Tokë të Shenjtë, për të marrë bekimin e nipit të profetit Muhamet”, shpjegon për agjencinë France-Presse, Fatmi Chbihi, anëtar i “chorfas adarissas” të qytetit, lidhja e pasardhësve të Idrizit I. Besimtarët myslimanë këndojnë së bashku Kuranin, me dorën në zemër, ndërsa ecin drejt vendit të shenjtë, mbuluar me tjegulla jeshile. Në shtëpitë e bardha përreth, ka dyqane të vogla, ku shiten qirinj dhe objekte të tjera fetare. Afishet e varura nëpër qytet japin njoftime për festimet në të gjithë vendin. Traditë ezoterike e Islamit, shpesh e panjohur për publikun e gjerë, sufizmi është kundër formalizmit të salafitëve, të vahabitëve dhe të rrymave të tjera të Isalmit, që e konsiderojnë herezi kultin e shenjtorëve. Sufizmi predikon rrugën e shndërrimit të brendshëm, gjatë së cilës njohja e vetvetes çon drejt njohjes së tjetrit e drejt njohjes së Zotit. Me qindra milionë ndjekës në të gjithë botën, sufizmi është bazë e kulturës popullore në shumë vende, përfshirë Marokun. Kjo përmasë mistike ka zgjuar interes të ri në këtë vend, i cili mbahet si mbrojtës i Islamit jo radikal, rol i mbrojtur fuqishëm nga mbreti Hasan II e tani, nga i biri, Muhameti VI.

Islam i moderuar

         “Islami i praktikuar në Marok është i ritit malikit, është i hapur dhe i lirë nga çdo fundamentalizëm” pohon Chbihi. E vëllazëritë “luajnë një rol të rëndësishëm në promovimin e këtij Islami të moderuar”. Kjo e bën Moulay Driss Zerhoun, në prefekturën e Meknès, një qendër të rëndësishme fetare. I tarikatit sufi janë edhe bektashinjtë shqiptarë.

23 gusht 2018, 17:11