Versioni Beta

Cerca

Vatican News
15 agosto assunzione Maria al cielo, Madonna Assunta 15 agosto assunzione Maria al cielo, Madonna Assunta 

Festa e Zojës së Madhe e devocioni i shqiptarëve

Të ngjiturit të Zojës në Qiell’ na fton të kemi besim e shpresë, pra është ftesë për të pasur besim në Hyjin, ftesë për t’i përngjarë Marisë, ashtu siç ka thënë Ajo vetë: jam shërbëtorja e TënZot, jam në dorë të Zotit.

R.SH. - Vatikan

Më 15 gusht, besimtarët katolikë në të gjithë botën kremtojnë të Ngjiturit e Zojës në Qiell, apo Zojën e Madhe, siç njihet ndër shqiptarë. Vërtet, besimtarët shqiptarë i kanë kushtuar shumë Kisha a Shenjtërore Zojës së Madhe, si ajo e Barbullushit në kryedioqezën metropolite të Shkodër-Pultit, ajo e Mamurrasit, në kryedioqezën metropolite të Tiranë-Durrësit, ajo e Kaçë-Naraçit në dioqezën e Sapës, ajo e Grudës dhe ajo në fshatin Kollomzë afër Ulqinit, në kryedioqezën e Tivarit, ajo e Letnicës në Karadak dhe ajo e Zymit të Hasit, në administraturën apostolike të Prizrenit në Kosovë.

Në trevat shqiptare Kishat kushtuar Virgjërës Mari janë dëshmi identiteti shpirtëror e kombëtar, thesar feje e arti. E po kujtojmë se Shën Maria Virgjër ka qenë gjithnjë tejet e nderuar ndër shqiptarë, qysh në fillime të predikimit të Ungjillit në trevat shqiptare, në epokën e apostujve. Gjatë gushtit, për shembull, Kisha përkujton disa herë figurën e së Lumes Mari Virgjër, siç dëshmojnë festat e kalendarit liturgjik për nder të Nënës Hyjnore, ajo e 15 gushtit dhe e 22 gushtit.

Po kulti i nderimit të Zojës së Bekuar në trojet shqiptare mori hov njëherësh me kultin marian në Evropën perëndimore në kulmin e mesjetës. Prej 275 kishave, të regjistruara nga jezuiti Atë Fulvio Kordinjano S.J., 42 i kushtoheshin Shën Mërisë. Kishë kushtuar Zojës së Bekuar kishte në Ulqin, Shurdhah, Dejë, Drisht, Naraç, Hajmel e Rrenc (Shkodër); Fishtë, Troshan, Kalivaç e Lezhë (Lezhë); Mërtur (Pukë); Surroj (Kukës); Shpërdhazë, Malaj, Ndërshena, Ndërfana (Mirditë); Lurë, Çidhna (Dibër); Gur i Bardhë (Mat); Sebaste, Mbret (Laç); Kurcaj(Krujë); Kepi i Rodonit apo Bishti i Muzhlit (Durrës); Brar (Tiranë-shek XII), Skuterrë, Pëllumbas, Buçimas, Linzë (Tiranë) dhe Bishqem (Peqin).

Këtyre tempujve katolikë, kushtuar Zojës së Bekuar në trojet e Shqipërisë së sotme, i shtohet edhe një numër i madh Kishash dhe manastiresh ortodokse, të përhapura në të gjithë vendin. Ndërmjet tyre, Labova e Kryqit, në Gjirokastër (shek X); Manastiri i famshëm i Ardenicës në Apolloni (Lushnje) (shek. XIII); Kisha e Zojës në Voskopojë (shek XVIII); Manastiri i Shën Marenës në Mokër të Pogradecit, me shpellën e mrekullueshme, që i ngjet asaj të Lurdës (shek XVIII) e disa Kisha të tjera, njëlloj të lashta.
Mos të harrojmë Kosovën.

Shenjtërorja kombëtare e shqiptarëve, ajo që ngrihet rrëzë Kështjellës Rozafa në Shkodër, i kushtohet Zojës së Këshillit të Mirë; ndërsa një shenjtërore tjetër, njëlloj e famshme, është Kisha e Zojës Crnagore, në fshatin Letnicë të Vitisë në Kosovë, ajo e Zojës Ndihmëtare në Prizren (konkatedrale), ajo e Zojës së Madhe në Zym të Hasit në komune të Prizrenit, Kisha e Zojës Rruzare në Bishtazhin të Gjakovës, Kisha e Zojës së Vogël në Bec të Gjakovës, Kisha e Zojës së Këshillit të Mirë në Klinë e tjera e tjera. Po kështu duhet kujtuar Kisha kushtuar nderimit të Virgjërës Mari në kryedioqezën e Tivarit në Mal të Zi e në treva tjera shqiptare.

Ndërmjet shumë festave kushtuar Zojës së Bekuar, ajo që i bashkonte gjithë të krishterët shqiptarë në rrjedhë shekujsh ishte, pa dyshim, Festa më e madhe e fundit të verës, të Ngjiturit e Zojës së Bekuar në qiell (për të katolikët), Fjetja e Shën Mërisë (për ortodoksët), që kremtohej e kremtohet më datën 15 gusht.

Kështu, besimtarët katolikë në të gjithë botën kremtojnë të Ngjiturit e Zojës në Qiell, apo Zojën e Madhe, siç njihet ndër shqiptarë. Vërtet, besimtarët shqiptarë i kanë kushtuar shumë kisha a shenjtërore Zojës së Madhe, si ajo e Barbullushit në kryedioqezën metropolite të Shkodër-Pultit, ajo e Mamurrasit, në kryedioqezën metropolite të Tiranë-Durrësit, ajo e Kaçë-Naraçit në dioqezën e Sapës, ajo e Grudës dhe ajo në fshatin Kollomzë afër Ulqinit, në kryedioqezën e Tivarit, ajo e Letnicës në Karadak dhe ajo e Zymit të Hasit, në administraturën apostolike të Prizrenit në Kosovë.

Ja si i e përshkruan imzot Pjetër Bogdani kremtimin në Pashtrik, rreth viteve 1630-1689, duke theksuar edhe natyrën meditative të festës e të shtegtimeve, që kremtoheshin me këtë rast në kulmin e verës: “Ngjiten në maje dhe e kalojnë atje gjithë natën, me uratë, kangë e valle të përshpirtshme. Mbas mesnate nis procesioni, në të cilin marrin pjesë të krishtênë e myslimanë, me qira të ndezun. Gjatësia e qirit përkon me moshën e atij, që e mban në dorë. Kështu, me qira ndezë, zdathë, shtegtarët ecin kah majet ma të nalta për tri orë rresht. Vetëm myslimanët ngjiten kaluer...”

Në Shqipërinë e Mesme, gratë që nuk kishin fëmijë, shtegtonin kah bregdeti i Kavajës e i Durrësit. Laheshin në det e luteshin. Ky shtegtim, që bënin gratë, me shpresën se Nëna e Krishtit do të ndërmjetësonte për to e do t’u falte dhantinë e foshnjeve, aq të dëshiruara, vijoi fshehurazi edhe në kohën e persekutimit të madh nën thundrën e diktaturës. Në Seltë, krahinë e Shpatit, në Shqipërinë e Mesme, për festën e Shën Mërisë së gushtit flijohej një lopë. Këto e zakone të tjera, të shoqëruara me Meshë solemne, procesione, meditime e lutje në gjirin e natyrës, mbeten të gjalla edhe sot e kësaj dite në të gjithë botën e krishterë.

Ndërmjet shumë festave kushtuar Zojës së Bekuar, ajo që i bashkonte gjithë të krishterët shqiptarë në rrjedhë shekujsh ishte, pa dyshim, Festa më e madhe e fundit të verës, të Ngjiturit e Zojës së Bekuar në qiell (për të katolikët), Fjetja e Shën Mërisë (për ortodoksët), që kremtohej e kremtohet më datën 15 gusht.

Kështu, Të ngjiturit të Zojës në Qiell’ na fton të kemi besim e shpresë, është ftesë për të pasur besim në Hyjin, ftesë për t’i përngjarë Marisë, ashtu siç ka thënë Ajo vetë: jam shërbëtorja e TënZot, jam në dorë të Zotit. Të ecim në rrugën e saj. Të japim jetë e jo të marrim jetë. E pikërisht kështu jemi në rrugën e dashurisë, që do të thotë ta humbasësh vetveten e që, megjithatë, është e vetmja rrugë në të cilën duhet të ecim, për ta gjetur vërtetë vetveten, për të gjetur jetën e vërtetë.

Besimtarët katolikë në të gjithë botën kremtojnë të Ngjiturit e Zojës në Qiell, apo Zojën e Madhe, siç njihet ndër shqiptarë.  Simbolikisht i vendosur në qendrën e periudhës së verës, ky solemnitet mund të konsiderohet si kohë për çlodhje e ripërtëritje. Ashtu si vapa e verës shkakton shpesh shkurajim e dëshirë për t’u strehuar nën ndonjë hije pa lëvizur aspak, ashtu edhe jeta, me sprovat dhe problemet e saj na bën të ndalemi e të mos e shohim qartë horizontin pozitiv, drejt të cilit mund të shkojmë vetëm nëse përveshim mëngët e i vëmë vetes qëllime të përcaktuara mirë.

Përmes një plani hiri, Nëna e Papërlyer bashkohet plotësisht me misterin e të Birit, Jezu Krishtit; në Mishërim; në jetën e tij tokësore, një herë të fshehtë në Nazaret e pastaj të shprehur në misionin mesianik; në Mundimet e në Vdekjen e tij; e së fundi edhe në lumninë e Ngjalljes e të Ngjitjes në Qiell. 

Lavdia e Shën Marisë së Ngjitur në qiell na kujton, ndërkaq, diçka tjetër: jeta e përditshme është si ai dragoi i kuq, për të cilin flitet në Librin e Zbulesës (11,19a;12,1-6a.10ab) – Leximi i parë i liturgjisë së solemnitetit – që hedh në tokë yjet e shndritshme të shpresave tona dhe përpiqet të përpijë pritjeve më të mira të njeriut.Gjithsesi, siç shpjegohet pastaj në Leximin e dytë të festës nga Letra e shën Palit apostull drejtuar Korintainëve (15,20-27a), të krishterët e dinë se ky nuk është fundi, sepse në Krishtin, çdo e keqe shkatërrohet dhe jeta ngadhënjen mbi mëkatin e vdekjen. Shën Maria, pra, është figura dhe shembulli i kësaj rruge feje: ajo ngazëllehet, sepse Zoti ia zgjat krahun njeriut dhe nuk e braktis atë, që i qëndron besnik. Në Marinë, siç shpjegon më pas Ungjilli nga Luka ( 1,39-56), kjo shihet qartë e plotësisht, pasi Zoja ndau me Krishtin triumfin e Tij, me trup e me shpirt.

Në Marinë shohim se përvujtëria nuk është virtyt i të dobëtëve, por i të fortëve, që nuk i keqtrajtojnë të tjerët për t’u ndjerë të rëndësishëm. Është një frazë kjo, marrë nga Nxitja Apostolike “Evangelii Gaudium” e cituar nga Papa edhe gjatë udhëtimit të tij në Fatima, në maj, me rastin e 100-vjetorit të Dukjes së Zojës në Cova da Iria.

Duke u takuar me shtegtarët në Kapelën e Dukjeve, më 12 maj, Papa Françesku pati nënvizuar se “me Krishtin e shën Marinë, ne mbetemi në Zotin. Vërtet, nëse duam të jemi të krishterë, duhet të jemi marianë, pra, duhet t’i njohim marrëdhëniet thelbësore, jetësore e providenciale, që bashkojnë Zojën me Jezusin, të cilat hapin për ne udhën, që na çon drejt Tij”.

Maria, pati thënë Papa Bergoglio, është “Mësuese e jetës shpirtërore, e para që ndoqi Krishtin përgjatë udhës së ngushtë të kryqit, duke na dhënë shembullin”; është “e Bekuar, sepse u besoi” gjithnjë e në çdo rrethanë fjalëve hyjnore (shih Lk 1,42.45). E pikërisht duke cituar “Evangelii Gaudium”, pati nënvizuar se “sa herë shohim Marinë, besojmë sërish në forcën revolucionare të ëmbëlsisë dhe dashurisë.

Në Të vërejmë se përvujtëria dhe dhembshuria nuk janë virtyte të të dobëtëve, por të të fortëve, që nuk kanë nevojë t’i keqtrajtojnë të tjerët për t’u ndjerë të rëndësishëm… Kjo dinamikë drejtësie e dhembshurie, kundrimi e rruge drejt të tjerëve, e bën Atë një model kishtar për ungjillëzimin” (Evangelii gaudium, 288). Papa Françesku pati përfunduar me lutjen: “Secili prej jush u bëftë, me Marinë, shenjë e sakrament i mëshirës së Zotit, që fal gjithnjë, fal gjithçka”.

14 gusht 2018, 14:07