Kërko

Etiopia Etiopia 

Etiopi: 1 milion të shpërngulur kanë nevojë për ndihmë

Krizë e re humanitare në Etiopi. 900 mijë vetë janë detyruar të ikin nga shtëpitë për shkak të dhunës. Organizata “Mjekët pa kufi” ndërhyn për t’iu përgjigjur nevojave më urgjente.

R.SH. - Vatikan

Si pasojë e dhunës së re ndërmjet bashkësive, më se 900 mijë vetë detyrohen të ikin nga shtëpitë e tyre në Etiopi. Zonat janë dy, Gedeo dhe West Guji, në jug të vendit. Kushtet e tyre të jetesës janë shqetësuese, jep alarmin organizata “Mjekët pa kufi”, e cila ka ndërhyrë për t’iu përgjigjur nevojave më elementare të të shpërngulurve, që janë strehuar në qendrat e saj.

Ikur nga sytë këmbët, pa asgjë me vete

         “Shumica e njerëzve kanë ikur papritmas e pa marrë asgjë me vete. Sot, familjet flenë në ndërtesa të braktisura, si shkolla e kisha e, nganjëherë, edhe nën qiellin e hapur, mbi gjethe bananesh, ose mbi shtroje prej plastmasi”, deklaron koordinatorja e “Mjekëve pa kufi”, Alessandra Saibene, për agjencinë katolike të lajmeve Fides. “Përparësitë aktuale janë: strehimi, sigurimi i ushqimit, i ujit, i kujdesit mjekësor dhe i shërbimeve higjienike. Mbipopullimi, mungesa e ujit të pastër dhe banjot e pamjaftueshme e shtojnë rrezikun për transmetimin e sëmundjeve. Duhet të ndërhyjmë menjëherë për të përmirësuar kushtet e jetesës, përndryshe gjendja mund të keqësohet”, shpjegon Saibene.

Dhuna etnike në Etiopi

         Dhuna ndëretnike është fenomen i përhapur në zonat jugore të Etiopisë. Tensionet shpërthyen në prill, rreth 400 km në jug të kryeqytetit Addis Abeba. Qindra mijëra njerëz u detyruan të ikin nga banesat. Krerët e zonës i inkurajuan banorët të kthehen pas ndeshjeve fillestare, por shumë prej tyre ikën në qershor, kur tensioni u rrit më tej. Gjendja mbetet kritike, pavarësisht nga vendosja e forcave etiope të Mbrojtjes në zonë. Shumë shtëpi janë shkatërruar e plaçkitur dhe jeta e njerëzve është vazhdimisht në rrezik.

Puna e palodhur e “Mjekëve pa kufi”

         Në bashkëpunim me organizata të tjera humanitare, “Mjekët pa kufi” po ngrenë me urgjencë banjo dhe po instalojnë infrastruktura hidrike e kanale të zeza në zonën e Kochere-s dhe të Gedeb-it. Vullnetarët shpërndajnë ujë si për të shpërngulurit, ashtu edhe për qendrat shëndetësore. Mjekët po bashkëpunojnë me spitalet dhe me strukturat shëndetësore lokale dhe kanë në plan të shpërndajnë mbulesa dhe enë kuzhine.

Gjendja e të shpërngulurve

         Pjesa më e madhe e pacientëve të tyre vuajnë nga diarrea, parazitët e zorrëve, infeksionet në udhët e frymëmarrjes dhe në lëkurë: të gjitha, pasoja të varfërisë, mbipopullimit e mungesës së ujit të pastër. Me afrimin e klimës së ftohtë dhe të sezonit të shirave, gjendja do të keqësohet, me pasoja të rënda për shëndetin. Prandaj, organizata “Mjekët pa kufi” japin alarmin. “Gjatë sezonit të shirave – pohon koordinatorja Alessandra Saibene – rezervat ushqimore të familjeve përfundojnë me shpejtësi, duke e bërë të nevojshme shpërndarjen e pakove. Duhet një përgjigje e shpejtë dhe afatgjatë nga ana e organizatave jo qeveritare dhe e autoriteteve lokale, si edhe impenjimi i vazhdueshëm i donatorëve”.

28 gusht 2018, 14:14