Versioni Beta

Cerca

Vatican News
dolomiti.jpg dolomiti.jpg 

Ekskursionet në natyrën e Dolomiteve, rast për të thelluar fenë

Përjetimi në natyrë bashkon në një mundësinë e lutjes dhe të shtegtimit në gjirin e natyrës mahnitëse, e në këto vise, është një begati e veçantë. Edhe njerëzit, që e kanë vështirë të luten, e gjejnë më lehtë Zotin duke u ngjitur në shtigjet e malit.

R.SH. - Vatikan

Në çdo stinë të vitit, por veçanërisht në periudhën verore, kur stolitë e stinës së ngrohtë e joshin njeriun me mijëra mënyra, të lutesh do të thotë të pasurosh shpirtin tënd, fenë tënde e, sidomos, të takohesh me Krijuesin e bukurisë, përmes soditjes të së bukurës, që shfaqet para njeriut në forma e vende të ndryshme. Ka vende, si Bjeshkët e larta, ndërmjet të cilave edhe Dolomitet italiane, ku kundrimi i natyrës e meditimi i vetvetishëm që lind prej tij, të shtyjnë të reflektosh për Zotin e për njeriun. Këtë nënvizon, Atë Diego Soravia, i cili prej shumë vjetësh organizon ushtrime shpirtërore mbi Dolomitet për turistë e besimtarë:

Përvoja që po jetojmë është një mundësi, e cila u jepet si besimtarëve të famullisë, ashtu edhe veronjësve. Mund të jetosh një ditë në gjirin e natyrës. Mund të bësh shëtitje, të kalosh pranë një kapiteli, pranë një Kryqi a një ikone, duke e shoqëruar këtë kalim herë me një fragment nga Shkrimi Shenjt, herë me një reflektim e, më shumë, me çaste heshtjeje. Kjo përvojë bashkon në një mundësinë e lutjes e të shtegtimit në gjirin e natyrës mahnitëse, që këtyre viseve, për fat, u është dhuruar me begati.

Një mundësi kjo, që na kujton se feja nuk shkon kurrë për pushime e se, ashtu si i kushtojmë vëmendje përtëritjes së trupit, duhet t’i kushtojmë edhe shpirtit…

Në të vërtetë, shumë vetë marrin pjesë me kënaqësi në këtë realitet meditimi, reflektimi, lutjeje, mrekullimi e mahnitjeje, përballë natyrës, ku një Psalm të prek menjëherë e deri në thellësi, duke krijuar atmosferën e fesë në shpirtin e të gjithë shtegtarëve. Është fe, që nuk shkon të pushojë, madje pikërisht në pushime jeton, shprehet e ndjehet më gjallërisht se kurrë, në gjirin e një bashkësie, që ecën nëpër shtigjet e bukurisë, së krijuar nga dora e Zotit. Edhe njerëzit, që e kanë vështirë të luten, e gjejnë më lehtë Zotin duke u ngjitur në shtigjet e malit, sesa duke shkuar në Kishë: ndonëse qëllimi është që pikërisht duke u nisur nga ky takim me Zotin në mal, të nesërmen të ndjejnë nevojën për ta takuar edhe në Kishë e për ta lavdëruar para tabernakullit. Mund të themi, prandaj, se shprehja ‘feja nuk shkon për pushime’ i përshtatet plotësisht kësaj udhe feje; e edhe dioqeza dëshiron ta vërë në qëndër të vëmendjes në një Sinod vendas. Kështu kjo përvojë vihet në shërbim të thellimit të fesë, me ndihmën e natyrës, por edhe të shtegtimit bashkërisht në shtigjet e maleve, duke ndarë së bashku lodhjen, gëzimin e ngjitjes e të soditjes, e pse jo, edhe atë që kemi në çantën e shpinës.

Madhështia e malit ndihmon edhe për të parë brenda vetes, për të hyrë në thellësitë e shpirtit tënd, përmes heshtjes, ritmit të hapave, lodhjes e kënaqësisë së përbashkët, kur arrin në majë…
 
Në mal duhet të ngjitesh lart e paradoksi qëndron në faktin se, ndërsa ngjitesh lart, zbret në thellësitë e vetvetes. Natyra të jep mundësinë jo vetëm ta admirosh, ta soditësh, të mrekullohesh prej saj, por edhe të pyesësh: “Kush është njeriu?”. Kur ndodhesh përballë një akullnaje, një maje të mbuluar me dëborë, e cila s’shkrin as në mes të vapës, që djeg ultësirat, e ndjen veten të vogël, e percepton më shumë dashurinë për Zotin krijues. Duke u ngjitur në mal, të krijohet mundësia të freskosh jo vetëm trupin, por edhe bindjet e sjelljet, të rikthehesh në shtëpi më i kthjellët. Pasuron vetveten, por edhe bashkësinë, pasi ke soditur natyrën, duke medituar për Zotin, sepse natyra është dhuratë e Zotit. Papa Shën Gjon Pali II e quajti natyrën “libër i hapur”. E këtë libër të hapur jemi të thirrur ta lexojmë me thjeshtësi e edhe me sytë e fesë.

11 gusht 2018, 10:38