Kërko

Earth Overshoot Day Earth Overshoot Day 

Earth Overshoot Day: jemi në borxh me Tokën

Burimet natyrore nuk janë pa fund e, megjithëse e dimë këtë, vazhdojmë ta shfrytëzojmë Tokën pa e lënë ta rimarrë veten. Earth Overshoot Day është data në të cilën gjurma ekologjike e njeriut e kapërcen biokapacitetin e ambienteve natyrore.

R.SH. - Vatikan

Që sot jemi në borxh me Tokën. Kjo është dita në të cilën njerëzimi i ka shfrytëzuar të gjitha burimet natyrore të rigjenerueshme për vitin 2018: fruta, perime, ujë, pyje e terren. Kështu, për të plotësuar nevojat – apo do të ishte më mirë të thoshim “pangopësinë” – e popullsisë botërore, duhet të prekim rezervat e së ardhmes, të cilat planeti ynë nuk do të jetë më në gjendje t’i përtërijë.

Ҫdo 10 vjet, i hamë Tokës 30 ditë autonomi

         Sot është “Earth Overshoot Day”, që do të përkthehej “Dita e borxhit ekologjik” e, s’ka ardhur kurrë kaq shpejt sa sivjet. Që prej 50 vjetësh, ajo kontrollohet e llogaritet nga Global Footprint Network, që bën thirrje të punojmë për ta zhvendosur këtë datë (#MoveTheDate). Nëse në vitin 1970 borxhi i njerëzimit fillonte më 29 dhjetor, në vitin 1980 dita ra më 3 nëntor e pastaj, në vitin 1990 më 11 tetor, për të kaluar më 23 shtator në vitin 2000. Ҫdo 10 vjet, planeti ka humbur rreth 30 ditë autonomi. Nëse do të arrinim ta zhvendosnin këtë datë së paku me 5 ditë në vit, do të kishim një Tokë të shëndetshme në vitin 2050.

Si llogaritet Earth Overshoot Day

         Earth Overshoot Day llogaritet duke përdorur dy parametra. I pari quhet “gjurma ekologjike” dhe përkufizohet si sipërfaqe e nevojshme për t’i furnizuar çdo njeriu gjithçka ka nevojë: ushqim, dru, pambuk për veshje, hapësirë për ndërtimin e rrugëve dhe të shtëpive, zona pyjore që duhen për prodhimin e oksigjenit etj.. Parametri i dytë është “biokapaciteti” i Tokës, ku përfshihet prodhimi botëror vjetor i elementeve, që harxhon njeriu, përmes shfrytëzimit nga ana e tij. Nëse gjurma ekologjike e njeriut e kapërcen biokapacitetin e Tokës do të thotë se njerëzimi i harxhon më shpejt burimet, që planeti vë në dispozicion për një vit, prandaj nuk e lejon atë të ripërtërihet. E diferenca nuk është e pakët.

Sa Tokë po harxhojmë?

Global Footprint Network kujton se tani për tani, po sillemi sikur të kishim në dispozicion 1,7 planete si Toka. Përdorim burime dhe shërbime më shumë se sa mund të ripërtërijë natyra, për shkak të peshkimit të tepruar, të mbishfrytëzimit të pyjeve dhe të emetimit të madh të dioksidit të karbonit, që nuk arrin të thithet nga sistemi. E ka vende, që pavarësisht se kanë popullsi të vogël, si Katari e Luksemburgu – denoncon WWF – ndikojnë fuqishëm në rritjen e gjurmës ekologjike të njeriut. Nëse e gjithë bota do të jetonte me ritmet e tyre, burimet natyrore të këtij viti do të ishin mbaruar më 9 shkurt, maksimumi më 19; me ritmet e SHBA-ve, dita e sotme do të kishte ardhur që më 15 mars.

Si mund të ndryshohet rrugë?

         Natyrisht, duhet ndryshuar qëndrim e kjo ka të bëjë me vendime individuale e politike. Global Footprint Network përcakton katër fusha për këtë. Së pari, ushqimi, që përbën 26% të gjurmës sonë ekologjike. Rritja e kafshëve për konsum prodhon ndotje atmosferike, shfrytëzon sasi të mëdha uji e terreni. Ulja më 50% e konsumit të mishit do ta zhvendoste Earth Overshoot Day me 5 ditë e, nëse do të përgjysmonim shpërdorimin e ushqimeve, me 11 ditë të tjera. Qytetet janë pika e dytë, përcaktuar nga organizata, që llogarit Ditën e Borxhit ndaj Tokës. Në vitin 2050, 70-80% e popullsisë botërore do të jetojë nëpër qytete. Kemi nevojë për “smart cities”, me ndërtesa kompakte dhe efikase nga pikpamja energjitike, si edhe me transporte të përshtatshme. Së treti, konsumi energjitik, që përbën 60% të gjurmës ekologjike njerëzore. Zvogëlimi i emetimit të gazit serë do ta zhvendoste Earth Overshoot Day me 3 muaj. Së fundi, popullsia. Në vitin 2050, vlerësohet se popullsia botërore do të arrijë 9 miliardëshin. Është i nevojshëm planifikimi familjar dhe emancipimi i grave, edukimi e sigurimi i shëndetit, trajtimi i tyre me barazi si në familje, ashtu edhe në shoqëri.

Duhet kujtuar gjithnjë se borxhi ekonomik, për të cilin, çuditërisht, shqetësohemi më shumë, është shpikje njerëzore, me rregulla njerëzore, që mund të ndryshojnë po të duan njerëzit. Ndërkaq, rregullat e borxhit ekologjik i vendos natyra e s’ka njeri, që mund t’i ndryshojë, edhe po të dojë.

01 gusht 2018, 16:20