Dy shqiptarë humbin jetën në tragjedinë e Gjenovës
R.SH. - Vatikan
Lajmi, për të cilin u fol dje, fatkeqësisht, është i vërtetë. Dy shqiptarë kanë humbur jetën në tragjedinë e Gjenovës, në Itali, ku u shemb ura Morandi, duke shkaktuar rreth 40 viktima e shumë të plagosur, në një bilanc që rritet vazhdimisht.
Konfirmimi i ambasadës së Shqipërisë në Itali
Ambasada e Shqipërisë në Itali, duke cituar Ministrinë e jashtme dhe atë të brendshme italiane, konfirmon vdekjen e dy shtetasve shqiptarë, Marjus Djerri dhe Admir Bokrina. Ambasadorja Anila Bitri i mori në telefon familjarët për ngushëllime dhe u ofroi ndihmën e shtetit shqiptar, në këtë çast kaq të rëndë.
Kontaktet për shqiptarët
Përmes Konsullatës në Milano, ambasada e ndjek hap pas hapi gjendjen dhe është e gatshme t’u përgjigjet kërkesave për asistencë. Dy, numrat e telefonit, ku mund të pyesin shqiptarët: +39 3420498192; +39 3497834666.
Gjendja aktuale në Gjenova
Ndërkaq, në qytetin e Gjenovës, skuadrat e ndihmës së shpejtë vijojnë punën për të nxjerrë njerëzit nga rrënojat. Prokuroria ka filluar hetimet për të zbuluar shkaqet e shembjes së urës, përuruar në vitin 1967. Sipas prokurorit të Gjenovës, duhen shqyrtuar të gjitha dokumentet e ndërtimit e të mirëmbajtjes e sidomos, pohimet e bëra në të kaluarën mbi qëndrueshmërinë e urës. Për shembull, në vitin 2012, dikush pati thënë se ura paraqiste një strukturë, që do të shembej pas 10 vjetësh.
Hamendjet për rënien e urës
Ura u shemb në mesditën e djeshme, duke tërhequr pas vetës 100 metra me makina e kamionë. Hipotezat e para flasin, ndoshta, për fundosje strukture. Në çastin e tragjedisë, në zonë binte shi me rrëshekë. Sipas disa dëshmitarëve, ura është goditur nga rrufeja. E ndërtuar nga inxhinjeri Riccardo Morandi, e përuruar në vitin 1967, ura zgjatej për 1.182 metra e mbështetej mbi tri shtylla betonarme, që arrinin në 90 metra lartësi. Njëra prej tyre u shemb. Ndërsa autoritetet italiane bëjnë kontrollet e rastit, për t’u shënuar fakti se punimet për ristrukturimin e urës, nisur në vitin 2016, përfunduan vetëm pak kohë më parë.
Lutje në të gjitha kishat e Gjenovës
Sot, siç njoftoi që dje kryeipeshkvi metropolit i Gjenovës, kardinali Angelo Bagnasco, “në të gjitha kishat e qytetit, edhe në përkim me festën liturgjike të Zojës së Madhe, meshtarët iu lutën veçanërisht Shën Marisë Virgjër për viktimat. Nuk përjashtohet një funeral publik për të vdekurit, në katedralen e Shën Lorencit, por më parë duhet verifikuar identiteti dhe prejardhja e tyre e, natyrisht, duhen pyetur familjarët”.