Versioni Beta

Cerca

Vatican News
Manifestim kundër abortit në Argjentinë Manifestim kundër abortit në Argjentinë  (AFP or licensors)

Brazili dhe Argjentina vendosin mbi abortin. Presione ndërkombëtare

Ipeshkvijtë, besimtarët dhe jo besimtarët kritikojnë propagandën për abortin të disa organizatave. Të shumta, nismat për jetën, ndërsa senati argjentinas dhe Gjykata e Lartë braziliane vendosin mbi dekriminalizimin e ndërprerjes së shtatzanisë.

R.SH. - Vatikan

Amerika e Jugut kalon ditë vendimtare për mbrojtjen e jetës së fëmijëve në bark të nënës. Në Brazil, përfunduan dje audiencat publike të Gjykatës së Lartë Federale, që po shqyrton çështjen e ligjërimit të abortit deri në javën e 12-të të shtatzanisë, pra, deri në 3 muaj. Në Argjentinë, Senati duhet të vendosë për dekriminalizimin e abortit deri në javën e 14-të, pas miratimit të Dhomës së Deputetëve, më 14 qershor, vetëm me 4 vota më shumë.

Ipeshkvijtë brazilianë luftojnë për jetën

         Aktualisht, në Brazil, aborti lejohet vetëm në rastet e përdhunimit, të rrezikut për shëndetin e nënës, ose të moszhvillimit të trurit të fetusit. Konferenca Ipeshkvnore Braziliane mbajti qëndrim kundër shtimit të mundësive për ndërprerjen e shtatzanisë, me një notë titulluar “Aborti dhe demokracia”. Dje, përfaqësues të Kishës Katolike u dëgjuan nga Gjykata e Lartë, së bashku me 26 entitetet e tjera të përfshira në debatin mbi projektligjin për abortin. Në shtyp, Kisha ka nënvizuar se organizata të ndryshme ndërkombëtare e rrisin qëllimisht numrin e aborteve në vend, në mënyrë që ta paraqesin problemin e ndërprerjes së shtatzanisë në kushte të sigurta spitalore si emergjencë kombëtare. Sipas sondazheve, 60% e brazilianëve është kundër dekriminalizimit të abortit.

Argjentinë: Senati vendos për abortin

         Edhe votimi i ligjit për abortin nga Senati argjentinas nuk jep siguri se nga anojnë deputetët. Duket se anti-abortistët janë më të shumtë, por jo aq sa të dihet që tani se do të fitojë mendimi i tyre. Gjithçka varet nga të pasigurtët. Sot, në orën 20.00, në katedralen e Buenos Ajresit, kremtohet “Mesha për jetën”, kryesuar nga kardinali Mario Poli, kryeipeshkëv i qytetit dhe primat i Argjentinës.

Gigli: aborti, armë për ta hequr mendjen nga problemet

         Si Brazili, ashtu edhe Argjentina, po kalojnë një krizë të rëndë politike, me ekonominë që lëkundet, me korrupsionin, grevat e dhunën jashtë kontrollit, në disa zona. Në një intervistë për Vatican News, ish-kryetari i Federatës ndërkombëtare të Shoqatave të Mjekëve Katolikë, prof. Gian Luigi Gigli, vë në dukje se aborti s’është tjetër veçse “armë shpërqendrimi masiv”, që shërben për ta larguar opinionin publik nga tema “që kanë të bëjnë me të drejtat e njeriut e, sidomos, me drejtësinë shoqërore”. Proces, që vërehet edhe në vende të tjera të botës, komenton Gigli, si ish-parlamentar italian.

Legjislacioni pro-life në shënjestër

         Profesori kujton se në konferencat e Kajros e të Pekinit mbi popullsinë, vendet e Amerikës Latine u rreshtuan krah për krah me Selinë e Shenjtë, kundër disa politikave të OKB-së. “Kjo kafshatë nuk u përtyp asnjëherë – komenton Gigli. – Këto vende janë parë gjithnjë si absurde, në kuadrin ideologjik të të drejtave individuale, prandaj, prej kohësh, duan ta elemininojnë këtë anomali në favor të jetës nga panorama ndërkombëtare”. Në rrezik, sipas profesorit italian, edhe kundërshtimi i ndërgjegjshëm i mjekëve, që nuk duan të bëjnë aborte. Organizatat pro-abortit i fryjnë shifrat. “Është teknikë e vjetër – pohon Gigli – fryhen shifrat për të thënë se problemi është më i madh nga ç’duket në realitet e se duhet ndërhyrë nga pikpamja ligjore që, të paktën, gjithçka të bëhet në dritë të diellit” e jo fshehtas.

08 gusht 2018, 13:18