2018.08.11 Dolomiti, montagna, montagne, cima 2018.08.11 Dolomiti, montagna, montagne, cima 

Atë Bianchi: Pushimet janë rast për prehje të shpirtit dhe të trupit

Pushimet janë rast për të kundruar, për të menduar, për t’u shkëputur disa çaste nga e përditshmja, me veprimtaritë e saj të përsëritura, deri në mërzi, e për t’iu kushtuar veprimtarive të një natyre tjetër, çlodhëse, prehëse.

R.SH. - Vatikan

Si çdo verë, udhët e pushimeve shpalosin, për shumë njerëz, edhe shtigjet e reja të shpirtit. Duke ndjekur një ftesë, burra e gra, të rinj e fëmijë, nisen drejt vendeve, ku mund të pushojnë trupi e shpirti. Një nga këto vende është, pa dyshim, manastiri i Bozes, në Itali, cak kah i cili nisen këto ditë njerëz nga mbarë bota. Na flet, për këtë dyndje njerëzish, në kërkim të prehjes, i pari i manastirit, atë Enzo Bianchi:

Pushimet janë rast – siç ta thotë vetë fjala latine “vacare”, prej nga rrjedh edhe termi italian ‘vacanza”- për të kundruar, për të menduar, për t’u shkëputur disa çaste nga e përditshmja, me veprimtaritë e saj të përsëritura, deri në mërzi, e për t’iu kushtuar veprimtarive të një natyre tjetër, çlodhëse, prehëse. Më pëlqen të kujtoj shpesh fjalën, që e thoshte një murg plak, Atë i shkretëtirës. “E sotmja është dita e parë e ditëve, që më mbeten për të jetuar. Ta rifillojmë, pra, jetën, nga e para!”. Pushimet të krijojnë kushtet për të rifilluar jetën shpirtërore, për të ndenjur me Zotin, për ta shikuar në mënyrë të re jetën, që të shtrohet para, sepse ndërprerja bëhet në kohë e na ndihmon ta kuptojmë më mirë shtegun e jetës sonë, i cili zgjatet deri tek caqet e veta të fundme, ende të panjohura, pikërisht në kohë. Të ecim me këtë mendim e ta rizbulojmë nga e para kohën, që na mbetet.

Në fragmentin ungjillor, Jezusi na fton të shkëputemi nga turma, nga puna, e të tërhiqemi në një vend vetmitar…

Është shumë e rëndësishme, kjo ftesë e Jezusit në Ungjill, për të shkuar në një vend të vetmuar, sepse kemi nevojë, pikërisht për të gjykuar vetveten e veprimet tona, për t’u larguar nga turma, nga e përditshmja, për të jetuar në heshtje e në vetmi, për të rrëmuar ndërgjegjet tona, për të gjykuar mbi realitetin ku jetojmë, që nganjëherë na shtyp e shndërrohet në idhull. Ka rëndësi, pra, shumë rëndësi, ky largim. Edhe piktori largohet paksa nga kuadri, që të mund ta gjykojë më mirë veprën e vet, në sa e prek lehtë-lehtë me penelatat e fundme. Për ta përkryer. Kështu edhe ne. Në se duam ta bëjmë kryevepër jetën tonë shpirtërore, kemi nevojë të largohemi sadopak nga e përditshmja, në mënyrë që të mund ta gjykojmë e ta vlerësojmë për aq sa vlen, ta kuptojmë sa është e vërtetë.

Bashkësia e Bozes krijon edhe mundësitë për të kundruar bukuritë e natyrës. Të duket sikur, nga mjediset e saj, dëgjon zërin e Shën Françeskut, që thotë: “Në gjirin e natyrës e në heshtimin e saj, mund të flasësh me Zotin”. A dëshironi t’u bëni një urim, atyre që po nisen për pushime?

Po. Uroj të gjejnë kohën e heshtjes e të vetmisë në hapësirën e pushimeve e t’ia vënë veshin thellësive të shpirtit, të dëgjojnë zemrën e tyre. Kjo ka shumë rëndësi. Duhet mësuar se në thellësinë tonë është i pranishëm vetë Zoti, me të cilin mund të flasim. Në se ia hapim zemrën, në se i bëjmë të pushojnë zërat e tjera, të kota, duke krijuar rreth nesh heshtjen e nevojshme, në këtë heshtje do të dëgjojmë zemrën tonë! E, në thellësitë e saj, zërin e Zoti, që është aty, e na flet.

13 gusht 2018, 07:15