Papa me Bocelli-n, në festën e familjeve. SHBA, 2015 Papa me Bocelli-n, në festën e familjeve. SHBA, 2015 

Andrea Bocelli: është gëzim të këndosh për Papën dhe për familjet

Intervistë eksluzive e Vatican News me tenorin Andrea Bocelli, i cili, më 25 gusht, do të këndojë në Festivalin e Familjeve, në Dublin, për Papën Françesku dhe familjet e mbarë botës.

R. SH. - Vatikan

Do të jetë një nga çastet më prekëse të Takimit Botëror të Familjeve, në Dublin: të shtunën, më 25 gusht, në Croke Park Stadium, Andrea Bocelli do të këndojë për Papën Françesku dhe për mijëra familje, ardhur nga 100 vende. Tenori ka kënduar edhe me rastin e Takimit të mëparshëm Botëror të Familjeve, shtatorin e vitit 2015, në Filadelfia.

Pak ditë pas ngjarjes së Dublinit, artisti do të këndojë në Verona - më 8 shtator - në një koncert të madh me qëllime bamirësie. Në mbrëmjen  e Arenës së Veronës, do të mblidhen fonde për të mbështetur projektet  e Andrea Bocelli Foundation dhe Muhammad Ali Parkinson Center. Në këtë instervistë për Vatican News, Andrea Bocelli flet për vendin që zë feja në jetën e tij, për vlerën e takimit të Dublinit e ndalet posaçërisht tek muzika dhe ndihma që mund t’u japë familjeve  për ta jetuar e për ta dëshmuar gëzimin e dashurisë, ashtu si kërkon Papa Françesku.

Mjeshtër Andrea, pas pak ditësh Ju do të këndoni në Dublin: për Papën, por edhe për familjet e mbarë botës, të cilat pikërisht Françesku i thirri në këtë takim. Ju emcionon ky çast?

Së pari mendoj se është nder të marrësh pjesë në këtë nismë tejet fisnike: e së dyti, është edhe privilegj, sepse të këndosh para Atit të Shenjtë është gjë e këndshme, qoftë edhe vetëm për ligështinë njerëzore, që të bën të ndjesh kënaqësi të veçantë kur u afrohesh personaliteteve kaq karizmatike, si Papa Françesku. E pastaj, është edhe përgjegjësi, pikërisht sepse në këto rrethana nisen mesazhe, ke mundësi të përcjellësh mesazhe: e duhet që këto mesazhe të jenë të drejta. Prej këndej, do të përpiqem të jem gati, i përgatitur si gjithnjë, për të dhënë ç’kam më të mirë nga vetja, e pastaj shpresojmë se gjithçka do të shkojë mirë, se familjet do të çojnë në shtëpi një kujtim të bukur të këtij çasti muzikor.

Lajmi zyrtar për pjesëmarrjen tuaj, u prit me entuziazëm. Kështu shumë, për të mos thënë të gjithë, mezi ç’presin t’ju dëgjojnë. Ka shumë pritje, pra. Po Ju, ç’prisni të merrni, personalisht, nga kjo ngjarje e madhe?

Në raste si ky - por do të thosha gjithnjë, kur ngjitesh në skenë – ndjehet një do ut des,( nga lat. jap, atë që më jep), nëse artisti ia del të japë ç’ka më të mirë nga vetja, publiku zakonisht i përgjigjet me ngrohtësi, me mirënjohje, që e kënaq plotësisht artistin. E unë uroj ta marr këtë përgjigje. Edhe pse populli irlandez është popull, që më pëlqen e i pëlqej; prandaj, në këtë këndvështrim, jam mjaft i qetë.

Papa Françesku u kërkon familjeve të jenë gëzim për botën, besimtarë e jo. A mendoni se  kënga, muzika, mund t’i ndihmojë familjet  në këtë sfidë?

Gjithçka bëhet me qëllim të mirë mund të ndihmojë, e edhe ndihmon: kështu edhe vepra e atyre që, ashtu si unë, këndojnë, domethënë duan të dhurojnë gëzim,  të  krijojnë një çast lehtësimi, çast kur shpirti fluturon  e mund të reflektojë, mund të meditojë mbi kuptimin e jetës, mbi sendet, që vlejnë me të vërtetë… Kënga, ashtu e vogël siç është, e luan rolin e vet, sigurisht. Thoshte Shën Agostini: “Kush këndon, lutet dy herë”. Mua më pëlqen shumë ta besoj këtë, sepse, po të jetë e vërtetë, atëhere unë mund të them se jam lutur shumë në jetën time.

Ju po citoni Shën Agostinin… për kë beson, një zë si Juaji, është dhuratë e Zotit. Ç’vend zë feja në talentin tuaj të jashtëzakonshëm muzikor, që është dhuratë, por natyrisht, dhuratë që do ushqyer?

Po ia nis nga fillimi: kënga, zëri, si të gjitha telentet e kësaj bote, është dhuratë e Zotit, për këtë nuk ka asnjë dyshim. Njeriu nuk ka merita, sepse gjithçka mund të realizojë në jetë, është dhuratë e Zotit. Duhet ta falënderojmë, e mjaft! Feja është udhë, që bëhet në përpjekjen për ta kuptuar jetën. Unë besoj se të gjithëve u ka ndodhur të ndalohen e të mendojnë për kuptimin e jetës. Atëhere o besohet se jemi bij të rastësisë, e kjo mendoj se është aksident intelektual, sepse ta mbash veten bir i rastit, është njëlloj si të ndodhesh para “Pietà-së (Zojës së Dhimbëshme”) së Mikeanxhelos, e të mos besosh në atësinë e këtij kompozimi. Pra, domethënë, të besosh se “La Pietà”  u gjet një ditë mbi Alpet Apuane kështu, rastësisht, e se ishte rasti ai, që e skaliti kështu, si është! Kush nuk ka fe, është pak a shumë i ngjashëm me atë, që do të mendonte kështu! Për mua ka qenë rrugë racionale; kam menduar se bota nuk mund të ishte tjetër, veçese fryt i një vullneti inteligjent, shumë më të madh se ne, një vullneti, që na deshi me të vërtetë. Sepse ka dy mënyra për të besuar: mënyra e të krishterit, që e mbështet në Zotin gjithë shpresën dhe besimin e mundshëm, e ajo e Jagos të Otellos së Shekspirit, që thoshte: “Besoj në një Zot mizor, që më krijoi të ngjashëm me veten!”. Mund të besohet edhe kështu. Është më logjike, se të mos besosh!

16 gusht 2018, 16:16