Versioni Beta

Cerca

Vatican News
Praga Praga 

50 vjet më parë përfundonte Pranvera e Pragës. Atë Glaser: “Nuk duhet harruar”

Ishte nata ndërmjet 20 e 21 gushtit 1968, kur trupat ruse pushtuan Çekosllovakinë dhe i dhanë fund ëndrrës të Pranverës së Pragës, sipas së cilës socializmi mund të reformohej.

R. SH. - Vatikan

Çast historik, që nisi më 5 janar 1968, me një sërë reformash, në emër të “socializmit me fytyrë njerëzore”. Po Pranvera e Pragës pati epilog tragjik: përfundoi më 20 gusht të të njëjtit vit, kur një korpus i Bashkimit Sovjetik dhe aleatëve të Paktit të Varshavës i shkelën nën zinxhirët e tankeve vendin dhe njerëzit e tij, në revoltë.  Duke shuar shumë ëndrra edhe në vendet e tjera, satelite të Bashkimit Sovjetik.

Socializmi me fytyrë njerëzore

Ishte një falimentim i plotë! Kështu e kujton ati jezuit Milan Glaser, osokohe 6 vjeç. Çka i mbeti më shumë në kujtesë është shprehja “socializmi me fytyrë njerëzore”. Retorikë - e quan, sepse - shton - për ne, çekët, tingëllon një lloj si të thuash “nazizëm me fytyrë njerëzore”. Shpresa e popullit u shua shumë shpejt, e askush nuk besoi më se  socializmi mund të ketë ndonjëherë fytyrë njerëzore.

Jeta para e pas “Pranverës”

Ç’gjë ka ndryshuar që asokohe? Për atë Glaser, pak e gjë, në këndvështrimin ekonomik. Fantazma e socializmit endet akoma në gjithë vendin. “Nuk ishim vend i varfër - pohon - por as i pasur, sepse prona private qe e ndaluar. Ndërsa në aspektin shpirtëror, gjithçka ishte e zymtë, e errët, pa shpresë. Mbretëronte mosbesimi ndërmjet njerëzve, që kishin frikë nga njëri-tjetri. Nga që besimi i tepruar mund të përfundonte me pranga!

Kohë, që breznitë e sotme nuk duan t’ua kujtosh

Historia e pranverës, që përfundoi me një dimër të acartë, duket se është harruar. E ky, një nga aspektet më të dhimbshme. Është shlyer nga kujtesa - pohon atë Milan Glaser - “sot breznitë e reja nuk e dinë as kush ishte Dubçeku, e as që u intereson të mësojnë diçka për të ritë e etërve, të shtypur nën zinxhirët e tankeve. Pa menduar fare se historia përsëritet. Harrojnë! Ata. Po jo kush e jetoi atë kohë. “Prindërit e mi - përfundon meshtari jezuit - nuk më linin të dilja nga shtëpia për të luajtur me shokët. Ishin të pushtuar nga frika, si të gjithë. Më kujtohet mirë kjo frikë. Madje unë isha i terrorizuar, nga që ashtu ishin edhe prindërit e mi”. Uroj të mos përsëritet. Po nuk duhet harruar se “edhe mund...!”.

21 gusht 2018, 16:53