Gulag Gulag 

10-vjetori i vdekjes së Aleksandër Sollzhenjicin

U mbushën sot 10 vjet, që nga vdekja e një gjiganti të letërsisë botërore e në veçanti, të asaj ruse, Aleksandër Sollzhenjicin. Si sot, më 3 gusht 2008, në moshën 89-vjeçare, shkrimtari i madh mbylli sytë për këtë jetë në Moskë.

R.SH. - Vatikan

Aleksandër Sollzhenjicin mishëroi dramën shumëvjeçare të stalinizmit: përndjekjet, vuajtjet, censurën, dhunën shtetërore, pushtetin arbitrar, të cilit i kundërvihej me talentin e kokëfortësinë e tij.

Jeta e Aleksandër Sollzhenjicin

         Lindur në Kislovodsk, “fëmijë i revolucionit bolshevik,” Sollzhenjicin studioi shkenca ekzakte në Rostov, duke u laureuar në matematikë e fizikë, por duke ndjekur edhe kurse filozofie dhe letërsie. Shërbeu në Luftën e Madhe Patriotike kundër Gjermanisë naziste dhe u dekorua për vlera ushtarake. Kjo nuk i pengoi komunistët ta arrestonin në fillim të vitit 1945, për shkak të një letre, ku akuzohej se tallej me Stalinin. U dënua me 8 vjet punë të detyruar e pastaj me internim - një kalvar i njohur për miliona bashkatdhetarë. Filloi udhëtimi i tij i gjatë nëpër stacionet çnjerëzore të një sistemi ndëshkues, që shtrihej deri në cepat më të acartë e të humbur të Bashkimit Sovjetik.

Fillimet e letërsisë së Sollzhenjicin

         Talenti i tij letrar doli në pah në vitin 1962, me publikimin e tregimit “Një ditë e Ivan Denisoviçit” në revistën “Novyj mir”. Gati i distancuar nga realiteti, Sollzhenjicin përshkruan ditën e një të burgosuri në gulagët sovjetikë, duke i paraqitur botës temat themelore të gjithë veprës së tij letrare: thelbin shpirtëror të njeriut, që zbulohet në universin e ngushtë të kampit të përqendrimit; dinjitetin e punëtorit, që e kapërcen gjendjen e tij prej skllavi; ëmbëlsinë e karakterit rus; madhështinë pa pompozitet të një heroi të vogël. Leja e botimit erdhi drejtpërdrejt nga Hrushovi, i cili gjithsesi nuk do ta mbante edhe për shumë kohë shkrimtarin nën ombrellën e vet. Edhe mes shqiptarësh, Sollzhenicini ishte rreptësisht i ndaluar, por pjesë e një realiteti të njohur. “Në këtë libër”, shkruante poeti Visar Zhiti në parathënien e botimit shqip të “Një ditë e Ivan Denisoviçit” në vitin 1992, “gjejmë dhe logjikën e palogjikshme të burgut shqiptar, llahtarin e turpshëm dhe dialogët dëshpërimisht të njëjtë. Intimitetet po ato: luga e fshehur në çizmet e çara”.

Veprat e tjera

         Po në atë revistë, publikoi tregime të tjera si “Shtëpia e Matrjonës”, zanafilla e së ashtuquajturës “prozë e fshatit” me frymëzim neokristian. Por censura bllokoi dy ndër veprat e tij kryesore: romanin “Rrethi i parë” (1968) dhe “Pavijoni i kancerozëve” (1969), që tregon për jetën në spital, ku mbizotëron pasiguria e sëmundjes. Të dyja romanet u botuan jashtë Rusisë më 1968. Që nga viti 1966 iu ndalua publikimi në Bashkimin Sovjetik e u përfshi në polemika politike e letrare gjithnjë e më të ashpra. Në vitin 1970 iu dha çmimi Nobel për letërsinë, por nuk shkoi në Stokholm për ta marrë. Më 1974 u arrestua, iu hoq nënshtetësia ruse dhe u dëbua jashtë vendit. Pas një periudhe në Zvicër, u vendos në SHBA.

Kulmi i veprimtarisë letrare

         U shkruan aty veprat e tjera, që e radhitën Aleksandër Sollzhenjicin, përfundimisht, në radhët e shkrimtarëve të mëdhenj. Më 1975, publikoi “Lisi dhe viçi”, simbol i duelit të tij të gjatë me pushtetin sovjetik; më pas, “Arkipelagun Gulag”. Tre vëllimet rrëfejnë në detaje tmerrin e burgjeve dhe të kampeve, me një ndershmëri që do të vërtetohej edhe pas rënies së socializmit dhe hapjes së arkivave. Vijojnë cikli “Rrota e kuqe”, mbi revolucionin e problemet e tij. Në perëndim, Solzhenjicin zgjoi admirim, por edhe mëdyshje. E akuzuan si nacionalist e sllavofil, madje, edhe si antisemit. Jo të gjithë simpatizantët e komunizmit lindor në Perëndim ishin gati të përballeshin me tablonë mizore të Gulagut stalinist dhe me kritikat e tij kundër SHBA-ve dhe jetës “dekadente”.

Kthimi në Rusi

         Në vitin 1989, Rusia pas komuniste e shfuqizoi vendimin për ndalimin e veprave të tij e më 1994, Sollzhenjicin, pavarësisht se nuk besonte në tranzicionin rus dhe paralajmëronte për një rënie shpirtërore të thellë e gjithëpërfshirëse, u kthye në atdhe. Aty botoi, më 1998, “Rusia po shembet” e më 2001, dy vëllimet e librit “Dy shekuj së bashku”. Mbetet shkrimtari i denoncimit të tmerreve të gulagëve komuniste e të shpërfytyrimit të njeriut, kur vihet në ato kushte mizore, megjithëse ndokush arrin të ruajë një shkëndijë dritëze në shpirtin e vet.

03 gusht 2018, 13:54