Takimi i Uashingtonit mbi lirinë fetare Takimi i Uashingtonit mbi lirinë fetare 

Takimi i Uashingtonit: liria fetare, e nevojshme për paqen

Përfundoi takimi ndërkombëtar i Uashingtonit mbi lirinë fetare, dokumenti zyrtar i të cilit është deklarata e Potomac-ut. Sekretari i Shtetit amerikan, Mike Pompeo: “Liria fetare është e drejtë universale dhuruar nga Zoti, prandaj të gjithë e kanë këtë të drejtë”.

R.SH. - Vatikan

Përfundoi dje në Uashington, takimi i parë ndërkombëtar mbi lirinë fetare, organizuar nga Departamenti i Shtetit amerikan. Deklarata përfundimtare e tij, frymëzuar nga neni 18 i Deklaratës Universale të të Drejtave të Njeriut, pohon se çdo komb duhet të ketë “përgjegjësi solemne në mbrojtjen e lirisë fetare”, përfshirë sigurimin e mundësisë për të ndryshuar fe dhe të lirisë për ta shfaqur fenë publikisht.

Takimi i Uashingtonit

Deklarata e merr emrin nga lumi Potomac, që kalon në Uashington dhe lag disa nga vendet më të rëndësishme të historisë amerikane e, me atë emër do të hyjë në histori. 200 personalitete fetare, civile dhe politike, nga 80 vende, u mblodhën në kryeqytetin amerikan për të diskutuar mbi persekutimet dhe mbrojtjen e pakicave. Për interesin që zgjoi, takimi do të përsëritet edhe vitin tjetër.

Rëndësia e dokumentit Protomac

Dokumenti i Potomac-ut thekson se 80% e popullsisë botërore ka kufizime të mëdha në ushtrimin e fesë. “Persekutimi, shtypja dhe diskriminimi mbi bazë fetare, bindjesh ose mosbesimi fetar, janë realitet i përditshëm për shumë njerëz”, shkruhet në tekst. Liria fetare është “thelbësore për arritjen e paqes e të qëndrueshmërisë brenda kombeve e ndërmjet tyre. Aty ku liria fetare mbrohet, edhe liritë e tjera – ajo e shprehjes, e krijimit të shoqatave, e protestës paqësore – respektohen; aty ku liria fetare mungon, lindin konflikte, paqëndrueshmëri dhe terrorizëm”. Në dokument u njihet besimtarëve roli i tyre themelor: “feja – nënvizohet – i motivon njerëzit të punojnë për paqen, tolerancën dhe drejtësinë, kontribuon në ndihmën për të varfërit, në kujdesin për të sëmurët, në afërsinë për të vetmuarit, si edhe në impenjimin në debatin publik për t’i shërbyer atdheut”.

Pikat themelore

Në dhjetë pika, theksohet se askush nuk duhet të diskriminohet, për shkak të fesë e askush nuk duhet të detyrohet të përqafojë një besim fetar të caktuar. Kërkohet mbrojtja e vendeve të kultit, e trashëgimisë kulturore dhe historike të një bashkësie fetare, si edhe vihet theksi mbi lirinë e prindërve për t’u dhënë fëmijëve edukimin fetar që duan. Deklarata e Protomac-ut propozon një plan veprimi, që e inkurajon bashkësinë ndërkombëtare të ndërhyjë kur ka dhunime e abuzime kundër lirisë fetare.

Kontributi i Sekretarit të Shtetit amerikan, Mike Pompeo

Sekretari i Shtetit amerikan, Mike Pompeo, deklaroi se “liria fetare është e drejtë universale dhuruar nga Zoti për të gjithë. Është element themelor për të gjitha shoqëritë e lira”. Pompeo tregoi përvojën e tij personale fetare. “Si amerikan – nënvizoi ai – ndjehem i bekuar prej Zotit, që kam të drejtë ta jetoj fenë pa frikën e persekutimeve apo të raprezaljeve nga ana e qeverisë. Dua – shpjegoi – që edhe të tjerët ta gëzojnë këtë të drejtë”. Pas dëshmisë së disa të mbijetuarve nga genocidet fetare në Irak, Pompeo deklaroi se Departamenti i Shtetit amerikan “po jep 17 milion dollarë të tjerë për çminimin e rajonit të Ninives, në Irak, zonë, ku banojnë pakica të mëdha fetare. Shifra u shtohet 90 milionëve, që iu dhanë vendit gjatë këtij viti”.

Tri objektivat e qeverisë amerikane

Sekretari i Shtetit amerikan përmblodhi më pas, në tri pika, përpjekjet diplomatike të qeverisë së Uashingtonit. Së pari, njoftimi për International Leadership Program, një projekt 10-ditor, gjatë të cilit do të takohen në SHBA të gjithë ata, që punojnë në vijën e parë të frontit të lirisë fetare, në mënyrë që të promovohen aksione për mbështetjen dhe mbrojtjen e pakicave fetare. Së dyti, tetorin e ardhshëm, Departamenti i Shtetit do të organizojë seminarin Boldline për të favorizuar lidhje e aleanca, që promovojnë lirinë fetare në gjithë botën.

Së fundi, inkurajohet vijimi i takimit të Uashingtonit. SHBA-të mund të sigurojnë hapësira për konferenca të ardhshme, që kanë të bëjnë me temën, por kanë krijuar që tani, edhe një fornd ndërkombëtar për lirinë fetare, kushtuar mbrojtësve të kësaj lirie dhe viktimave të persekutimit.

27 korrik 2018, 15:02