Kërko

23nd-anniversary-of-srebrenica-massacre-1531300650262.jpg

Srebrenicë: gazetat lokale kujtojnë viktimat e gjenocidit dhe u kërkojnë përgjegjësve të tregojnë ku gjenden varrezat

Bosnja-Hercegovina përkujton sot, përvjetorin e masakrimit të mase 8000 myslimanëve civilë të pambrojtur boshnjakë, në Srebrenicë, nga forcat serbo-boshnjake të gjeneralit Ratko Mladic.

R. SH. - Vatikan

11 korriku është një datë e trishtë në historinë e Bosnje-Hercegovinës, ditë kur përkujtohet gjenocidi i Srebrenicës. Bosnja-Hercegovina përkujton sot, përvjetorin e masakrimit të mase 8000 myslimanëve civilë të pambrojtur boshnjakë, në Srebrenicë, nga forcat serbo-boshnjake të gjeneralit Ratko Mladic.

Pra edhe sivjet në memorialin e Potoçarit, u mblodhën qindra njerëz të zakonshëm, përfaqësues të autoriteteve dhe të të afërmve të viktimave, për të marr pjesë në përkujtimin e mase tetë mijë viktimave . 8.372 shifër zyrtare jo përfundimtare – e gjenocidit të vitit 1995 në Srebrenicë.

"Pushim në paqe për viktimat e gjenocidit dhe apel për zbulimin e varrezave tjera" - me këtë titull Radio Slobodna Evropa ilustron përkujtimin e sotëm. Përvjetori i Srebrenicës zë shumë hapësirë ​​në mediat boshnjake, një nga gazetat më të rëndësishme "Dnevni Avaz", flet për një "përvjetor të trishtë: në Potoçari u bënë nderimet e fundit për 35 viktimat e gjenocidit në Srebrenicë", duke iu referuar 35 varrimeve që u bënë gjatë ceremonisë përkujtimore sot paradite: viktimat u njohën falë analizës së ADN-së në qendrën e identifikimit të Tuzlës. Numri i përgjithshëm i varrimeve arriti në 6,800 njerëz, por mbetjet e rreth 1,000 viktimave tjera ende nuk janë gjetur.

Për këtë "Dnevni avaz", boton ankesën e Bakir Izetbegoviç, anëtarit boshnjak të presidencës së Bosnjës dhe Hercegovinës, drejtuar përgjegjësve të krimeve: "Na tregoni, ku janë varret masive dhe do të zgjoni diçka njerëzore në ju”. Gazeta "Oslobodjenje", në anën tjetër tregon se: "Çifti i ri Dudic më në fund ka gjetur paqen", duke sjellë historinë e Nijazija dhe Remzija Dudic, gruaja ishte shtatzënë në të gjashtin muaj në atë kohë, dy nga 35 viktimat u varrosen sot. Faqja e webit e gazetës katolike "Nedjelja" boton në faqe të parë intervistën me prof. Kruno Kardov, i cili thotë: "Tragjedia e Srebrenicës do të mbetet përgjithmonë një humbje e OKB-së dhe e bashkësisë ndërkombëtare".  Gazeta e Mostarit, "Veçernji list", thekson faktin se në mesin e viktimave janë edhe katër të mitur. Gazeta tjetër në Mostar, pjesës me shumicë kroatë, i kushton vëmendje fjalëve të Dragan Çoviç, anëtarit kroat të presidencës së Bosnje-Hercegovinës: "Në Srebrenicë është kryer një krim i tmerrshëm." Përveç kësaj, gazeta njofton se sot në Mostar nuk do të ketë përgatitje për të parë gjysmëfinalen e botërorit ndërmjet Kroacisë e Anglisë në shenjë respekti ndaj viktimave.

11 korrik 2018, 16:30