Kërko

Sindona e Shenjtë në Torino të Italisë Sindona e Shenjtë në Torino të Italisë 

Sindona, përgjigjet autori i studimit të dyshimtë: punë e besueshme

Profesor Matteo Borrini: ngul këmbë, njollat e gjakut janë të rreme. Por shkencëtarët dhe sindonologët vijojnë ta kritikojnë studimin, mbi të cilin hidhen dyshime.

R.SH. - Vatikan

“Teknika nuk është e re: është i ri fakti që zbatohet për Sindonën”. Prof. Matteo Borrini, pedagog i antropologjisë mjeko-ligjore në Universitetin “John Moores” të Liverpulit, u përgjigjet kritikave për studimin e tij mbi Sindonën, pra, për çarçafin me të cilin mendohet të jetë mbështjellë Krishti pas kryqëzimit. Së bashku me kolegun Luigi Garlaschelli, anëtar i Komitetit Italian për Kontrollin e Pohimeve të Pseudoshkencave, publikoi rezultatet e një punimi disavjeçar, me të cilin pohon se shumica e gjurmëve të gjakut në Sindonën, që ruhet në Torino, nuk përkojnë me pozicionin e njeriut në kryq. Pra, duhet të jenë të fabrikuara enkas. Natyrisht, ky pohim shkaktoi një zhurmë të madhe mediatike, shoqëruar me kritika të ashpra nga bota shkencore dhe sindonologe. Pikërisht, këtyre kritikave dëshiron t’u përgjigjet prof. Borrini, në një intervistë për Radion tonë.

Teknika e përdorur për Sindonën, edhe nga Ris i Parmës

         Së pari, teknika. “Është përdorur me dhjetra vite për punë hetimore – shpjegon ai telefonikisht. – Quhet Bpa (Bloodstain Pattern Analysis – Analiza e Formës së Njollave të Gjakut), pra, analiza e formës së njollave të gjakut, për të kuptuar ç’ka ndodhur në skenën e krimit. U përdor me sukses edhe nga Reparti Hetimor i Policisë së Parmës, për herë të parë, në rastin e krimit në Novi Ligure”.

Së dyti, zbatimi i kësaj teknike për Sindonën. Prof. Borrini shpjegon: “Riprodhuam rrjedhjen e gjakut të një njeriu mbi kryq, duke vërejtur se njeriut në atë pozicion i rrjedh gjaku në mënyra të ndryshme, sipas pozicionit të krahëve. Sindona ka mbi parakrahë një rrjedhje gjaku, që përkon me krahët e ngritura me rreth 80 gradë: krahë lart, të gozhduara mbi një dru horizontal mjaft të shkurtër. E kjo është realiste, e gjejmë edhe në pikturën ‘Kryqëzimi’ të Mantengës”. Meqë rezultatet dukeshin të mira, punonjësit shkencorë vijuan me eksperimentet. “E bëmë këtë – hyn në detaje prof. Borrini – duke studiuar currilat e vegjël, që i gjejmë tek polset, si edhe njollën e madhe të gjakut, në lartësinë e brinjëve, që vjen nga plagosja me heshtë”. E këtu i vjen radha “bombës”, që bëri xhiron rreth botës: “Rezultoi se në të vërtetë, gjaku rrjedh në drejtime, që nuk përkojnë as me kryqëzimin e as me vendosjen në varr, nuk rrjedh aty ku duhej të rridhte. E kjo duhet konsideruar jo realiste”. Në thelb, sipas profesorit, të gjitha njollat duhet të jenë fabrikuar më vonë.

Të ashpra, kritikat e botës shkencore

         Kritikat, edhe nga njerëz me peshë në botën shkencore, nuk vonuan. Profesoresha Emanuella Marinelli, sindonologe me famë botërore, vuri në dukje, edhe në mikrofonin e Radios sonë, se përdorimi i një manikini dhe i një sfungjeri me gjak për riprodhimin e rrjedhjes së gjakut nga brinjët, nuk është aspak shkencor. Por, prof. Borrini nuk e prish terezinë: “E respektoj kompetencën e prof.shës Marinelli për Sindonën, por ajo nuk i ka studimet e nevojshme për ta gjykuar këtë punë, pasi nuk është eksperte në mjekësinë ligjore. Përdorimi i manikinit parashikohet nga kjo teknikë, pasi përdorimi i kufomave është i ndaluar”.

Vetë Bpa-ja, e dyshimtë

         Një kritikë e ashpër kundër teknikës së përdorur vjen edhe nga presidenti i nderit i Qendrës Italiane të Sindonologjisë, Pierluigi Baima Bollone, i cili është mjek e profesor, pikërisht i mjekësisë ligjore, në Universitetin e Torinos. Ai akuzon sidomos teknikën e Analizës së Formës së Njollave të Gjakut (Bpa), duke pohuar se “në shumë raste gjyqësore, në të cilat është përdorur, ka krijuar jo pak probleme dhe nuk është pranuar”. Por, prof. Borrini, natyrisht, nuk është dakord: “Nuk është e saktë të thuhet se s’është pranuar. Mjafton të shkohet nëpër kongrese, në sallat gjyqësore të gjithë botës e mund të shihet se Bpa-ja përdoret vazhdimisht. Gabimet gjyqësore nuk i krijon teknika, por zbatimi i saj, interpretimi i teknikës”.

Pozicioni i njeriut të Sindonës, pikë tjetër e diskutueshme

Pozicioni i njeriut të Sindonës, pikë tjetër e studimit, që kritikohet jashtëzakonisht. Kësaj here, merr kartë e penë për të shkruar një komunikatë, Grupi Shkencor Padovan, përbërë nga pedagogë të Universitetit dhe të spitaleve të Padovës, gjithnjë në Itali. Ata kritikojnë autorët e studimit për faktin se kanë hipotizuar vetëm dy pozicione të mundshme të njeriut të Sindonës: në kryq, ose i shtrirë në varr. “Kanë harruar gjithë qëndrimet ndërmjetëse – saktëson komunikata – që nga ulja prej kryqit, tek transportimi në varr e tek përgatitja e kufomës”. Nëse do ta kishin bërë këtë, ndoshta, përfundimet e studimit do të ishin të ndryshme. Edhe në këtë rast, prof. Borrini vë në dukje se janë njerëz të paspecializuar në fushën e duhur të shkencës. Pastaj, saktëson: “Nëse ata janë në gjendje të arrijnë në rezultate të kundërta, duke përdorur pozicione të tjera, le ta bëjnë këtë. Përndryshe, janë vetëm teori”.

20 korrik 2018, 12:43