Kërko

2018.06.29 Messa Santi Pietro e Paolo CPF 2018.06.29 Messa Santi Pietro e Paolo CPF 

Shenjtorët e Javës 1 – 8 korrik

Ungjilli i së dielës nga Marku (5, 21-43) na kujton se Jezu Krishti është “ringjallja dhe jeta”. Na thërret të kemi fe dhe na hap zemrën ndaj shpresës së thellë të jetës e të shpëtimit.

R. SH. - Vatikan

E diel, 1 korrik, Kisha katolike kremton të dielën e 13-të gjatë vitit liturgjik. Gjithnjë më 1 korrik kalendari përkujton edhe shenjtorët Julin e Aronin, martirë të Britanisë dhe shën Aronin, vëllain e Moisiut, kryeprift i Besëlidhjes së Vjetër. Ungjilli i së dielës nga Marku (5, 21-43) na kujton se Jezusi është “ringjallja dhe jeta”. Me mrekullitë që flasin për kthimin në jetë të vajzës së Jarit dhe shërimin e gruas së sëmurë nga gjakderdhja, Jezusi e shndrit ekzistencën tonë njerëzore. Na thërret të kemi fe dhe na hap zemrën ndaj shpresës së thellë të jetës e të shpëtimit.

Të hënën, më 2 korrik, kalendari kishtar përkujton shën Bernardinin e shenjtorët martirë Procesi, Martiniani e Eutiki, dishepuj të Jezu Krishtit. Liturgjia e ditës na kujton se këta qenë gati të paguanin çdo lloj çmimi e të hiqnin dorë nga çdo kërkesë e çdo vlerë, për të mos u ndarë kurrë nga Zoti, të cilin e dëshmuan duke derdhur gjakun për dashuri të Tij.

Të martën më 3 korrik, kalendari kishtar përkujton shën Tomën Apostull, të cilit iu dhurua falas feja nga Krishti i Gjallë, që fitoi kështu mbi të gjitha dyshimet e mosbesimet e nxënësit të vet. Me shën Tomën apostull e si ai, jemi të ftuar edhe ne të shpallim: “Zoti im e Hyji im!” me bindjen se kush beson në Zotin, do të shohë shëlbimin e tij. Këtë ditë bie edhe përkujtimi i shën Leonit papë.

Të mërkurën më 4 korrik, kalendari kishtar përkujton Shën Elizabetën (Izabelën) së Portugalisë. Liturgjia e ditës na kujton se forca e së keqes, edhe kur shfaqet në formën e saj më të tmerrshme e më tronditëse, nuk mund t’i bëjë kurrë ballë pranisë së Zotit, i cili ia vë veshin britmës së njeriut të shtypur padrejtësisht, që e ngre zërin aq, sa të dëgjohet deri te froni i Hyjit. 

Të enjten më 5 korrik, kalendari kishtar përkujton shën Ndoun Maria Zakaria. Shenjti është themelues i Barnabitëve dhe i Motrave Engjëllore të Shën Palit. Shën Anton Maria Zakaria na kujton një të vërtetë të madhe feje: “Edhe në se njerëzimi do të arrijë t’i zhdukë të gjitha sëmundjet fizike e të zgjidhë shumë nga problemet që e trondisin, nuk do të mundet kurrë ta çlirojë njeriun nga sëmundja më e rëndë, mëkati. Këtë mund ta bëjë vetëm ndërhyrja e Zotit! 

Po kujtojmë se këtë ditë Bijtë e bijat e Shën Ndout Maria Zakarisë , pra Barnabitët e Motrat Engjëllore, që prej vitesh me mision në Shqipëri e Kosovë, do ta kremtojnë festën e Themeluesit të tyre.

Të premten më 6 korrik, kalendari kishtar përkujton shën Marinë Goreti, virgjër e martire, Papët e shenjtë të Romës që pushojnë në paqe në Bazilikën e Vatikanit dhe shën Marinë Tereza Ledohovska, themeluese e Motrave misionare të shën Pjetrit Klaver. Liturgjia e ditës na çon në skenën e ballafaqimit të Krishtit me farisenjtë. Ata e qortojnë, sepse rri me mëkatarë. Ndërsa Zoti u kujton se janë në mënyrë shkandulluese larg nga mëshira hyjnore. 

Të shtunën më 7 korrik, kalendari kishtar përkujton shën Astin, ipeshkëv i Durrësit dhe shën Benediktin XI, papë. Liturgjia e ditës na kujton se kur pajtohemi me një mënyrë jetese që nuk përkon me Ungjillin, do të thotë se më kot e pimë verën e tij të re; ajo nuk ka kurrfarë efekti mbi ne, sepse nuk e kemi kuptuar akoma revolucionin e vërtetë të krishterë.

Të dielën e ardhshme më 8 korrik, Kisha katolike do të kremtojë të dielën e 14-të gjatë vitit kishtar, e gjithnjë më 8 korrik, kalendari kishtar përkujton edhe shenjtorët Akuila e Prishila, bashkëshortë martirë, nxënës të shën Palit, dhe i lumi Eugjeni III papë. Liturgjia na kujton se besimi në Krishtin është një thesar i çmuar, që e shndërron e i jep vlera gjithë jetës sonë, në sa dashuria është perlë vezulluese, që na ndriçon në çdo hap.

01 korrik 2018, 12:45