Kërko

Sekretari i Shtetit Amerikan, Mike Pompeo Sekretari i Shtetit Amerikan, Mike Pompeo 

Sekretari i Shtetit Amerikan, Pompeo: liria fetare, e drejtë themelore

Në një intervistë me Vatican News, Sekretari i Shtetit Amerikan, Mike Pompeo, nënvizon se liria fetare është e drejtë themelore e njeriut dhe i fton besimtarët e vendet e gjithë botës ta promovojnë atë.

R.SH. - Vatikan

“Liria fetare mund t’u sjellë përfitime të mëdha të gjitha vendeve. Kur njerëzit veprojnë dhe sillen lirisht, duke respektuar fetë e tyre, kanë aftësi të bëjnë gjëra të mëdha”. Kështu flet, në mikrofonin e Vatican News, Sekretari i Shtetit Amerikan, Mike Pompeo, i cili paraqet në intervistë, Takimin e parë ndërkombëtar kushtuar lirisë fetare, organizuar nga Departamenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës.  Kjo mbledhje do të fillojë nesër në Uashington e do të zgjasë deri më 26 korrik. Në të do të marrin pjesë 80 delegacione, ndër anëtarët e të cilave, edhe 40 ministra të jashtëm.

“Përparësi e vërtetë” e administratës aktuale të SHBA-ve

         Sipas Mike Pompeo, administrata e presidentit aktual Donald Trump e ka kthyer në “përparësi të vërtetë” çështjen e lirisë fetare, pasi vërehet një “lidhje e thellë ndërmjet lirisë fetare, si e drejtë themelore e njeriut, dhe mirëqënies ekonomike të vendeve, që e gëzojnë atë”. Sipas amerikanëve, “investuesit preferojnë vendet me liri të madhe fetare”, pasi ajo është shenjë e respektimit të parimeve demokratike në të gjitha fushat. “Protagonistët e tregtisë – nënvizon Sekretari i Shtetit Amerikan – i shohin vendet, që e gëzojnë këtë të drejtë, si vende më të hapura e më pak të rrezikshme. Ne mendojmë se liria fetare, të drejtat e njeriut dhe suksesi ekonomik janë thellësisht të lidhura, jashtëzakonisht të ndërvarura, prandaj duam t’i forcojmë këto tre elemente, sepse kjo i sjell përfitime politikës së jashtme amerikane”.

Roli i krerëve fetarë

         “Njerëzit e të gjitha feve – vijon më tej Mike Pompeo – duhet të kenë të drejtë t’i luten Zotit ashtu si dëshirojnë e, nëse vendosin se nuk duan, duhet të lejohen ta bëjnë edhe këtë, pa dyshim”. Sekretari i Shtetit thekson se një rol të madh në këtë drejtim mund të japin krerët fetarë, të cilët duhet të luftojnë për lirinë fetare, për “fenë e besimin e tyre të veçantë”, duke kontribuar në arritjen e së drejtës të ushtrimit të fesë për të gjithë besimtarët, edhe për ata të feve të tjera. “Kisha Katolike – përfundon ai – mund të luajë një rol të rëndësishëm në misionin, që po përpiqemi të promovojmë, duke mbledhur kaq njerëz në Uashington, këtyre ditëve”.

23 korrik 2018, 18:56