Kërko

 Kampionati Botëror i Futbollit 2018 Kampionati Botëror i Futbollit 2018 

Rusia2018. Imzot Lebrun (ipeshkëv, ish-arbitër): Futbolli? “Na mëson të bëjmë skuadër, të jemi kundërshtarë, pa dhunë”.

Afrohet fundi i Kampionatit të Futbollit. “Na kujton edhe një herë se sporti është sport. Edhe pse veç topit, janë në lojë edhe profesionistë e miliarda eurosh, që kalojnë nëpër këtë ambient. Por kryesisht është veprimtari sportive, e cila u kërkon lojtarëve në fushë, të japin gjithë vetveten”.

R. SH. - Vatikan

Kampionatit Botëror 2018 po i vjen fundi. Me fitoren e së mërkurës, afrohet ndeshja Francë-Kroaci, të dielën e ardhshme. Merr fund, kështu, një atmosferë e këndshme, që tifozët do të dëshironin të zgjaste edhe më shumë, sepse e gëzueshme. I këtij mendimi është edhe imzot Dominique Lebrun, ipeshkëv i Rouen, për më se 13 vjet arbitër i Federatës Franceze të Futbollit

“Ishte kënaqësi e madhe të shikoje skuadrën franceze që, pas vështirësive të viteve të fundit, dha gjithçka kishte të mirë në fushën e gjelbër. Kjo, edhe falë moshës së re të lojtarëve.  Megjithatë, nuk do të kishte qenë ndonjë dramë, e aq më pak padrejtësi, po të kishte fituar Belgjika. Ishte ndeshje e ekuilibruar “Sporti është lojë - vijon prifti-sportist. E këtë nuk duhet ta harrojmë kurrë!”.

Ç’ju pëlqeu më shumë gjatë këtij kampionati?

Më pëlqeu sidomos pjesa e parë,  gjatë së cilës pati pak kartela të verdha. Pashë se lojtarët në fushë e ndiqnin me shumë vëmendje arbitrin. Kam qenë vetë arbitër dhe e dalloj menjëherë respektin e lojtarëve. Nuk mund ta mohoj se aty nga fundi u ndje edhe një farë nervozizmi. Lojtarët e humbën paksa qetësinë dhe respektin. Por gjithsesi, loja ishte e nivelit shumë të lartë, fillim e mbarim. Urojmë të jetë kështu edhe finalja, me Kroacinë.

Dëgjuam se Kylian Mbappé, sulmuesi i Paris Saint Germain, paska thënë  se dëshiron ta dhurojë për bamirësi një pjesë të shpërblimit, që marrin lojtarët transalpinë për pjesëmarrjen në Botërorin 2018. Ç’tip France shikojmë përmes kësaj skuadre?

Duket qartë se lojtarët e kombëtares janë bij emigrantësh. Por ky realitet tashmë nuk çudit kënd. Franca është prej kohësh vend njerëzish të ardhur nga të katër anët, nga kombe e popuj të tjerë. Po ky element sot ka shumë më pak peshë, sesa në vitin 1998, kur u nënvizua në tepri. U fol për një Francë “black-blanc-Beur”(që do të thotë, me të zinj, të bardhë e magrebinë). Lojë fjalësh krijuar nga francezët pas fitores së ’98-tës për të theksuar përzjerjen e racave në skuadrën kombëtare të futbollit francez. Sot kjo përbërje e skuadrës është realiteti ynë.

Ishte një Botëror  gjatë të cilit pamë humbjen e skuadrave të mëdha, nga Argjentina, tek Brazili

Jo vetëm të atyre, por edhe të skuadrave afrikane. E kjo më trishtoi shumë. E tregon finalja, kur u ndodhën ballë për ballë skuadrat e katër vendeve evropiane. Edhe vendet jugamerikane nuk patën shans. Por kjo është pjesë e lojës. Fat futbolli: nuk dihet kurrë pse loja u luajt kështu e jo ashtu si duhej, a si paramendohej.

Të diel, Papa Françesku, tifoz futbolli, në Engjëllin e Tënzot, i ngushëlloi brazilianët….

Po, po, e dëgjova. Edhe mua më vjen keq gjithnjë për ata që humbasin. E, të them të drejtën, m’u dhimbt fort Belgjika, vend më i vogël e më pak i populluar sesa Franca. Do të kishte qenë kënaqësi po të kish fituar. Shpresoja edhe që në finale Franca të kishte përballë Anglinë, për të lidhur miqësi me këtë popull, që po e lë Evropën. Por s’ka gjë, do ta lidhë miqësinë me një vend, që është në Evropë. Që e do Evropën! Sido që të përfundojë ndeshja finale e shumëpritur nga të gjithë Francë-Kroaci!

Mesazhi që lë pas ky Botëror?

Sporti është lojë. Nuk duhet ta harrojmë kurrë këtë, edhe pse veç topit, janë në lojë edhe profesionistë e miliarda eurosh, që kalojnë nëpër këtë ambient. Por kryesisht është lojë që luhet nga njerëzit, në mbarë botën, është veprimtari sportive, e cila u kërkon lojtarëve në fushë, të japin gjithë vetveten. Kërkon dhurim, shumë. Mund të duket paradoksale të flasësh me këto terma, në një çast kur bëhet fjalë për tregjet e futbollit, ku luhet me milarda. Po kjo nuk e përjashton aspak dhurimin e vetvetes në fushën e gjelbër. Sepse duhet kujtuar që futbolli të ngjall në shpirt ndjenja të forta përkatësie e pjesëmarrjeje. Prek zemrat, deri në thellësi. Prej këndej, mund të shndërrohet në shkollë jete, ku mund të mësosh t’i përgjigjesh pyetjes: “Ç’u japim të tjerëve? Si lidhemi me ta? A mund të bëjmë lojë skuadre e të jemi kundërshtarë, larg çdo dhune? Për të bërë, së bashku, sipas talenteve e aftësive, një lojë të bukur?”.

12 korrik 2018, 15:34