Genfest di Manila 2018 Genfest di Manila 2018 

Përfundoi Genfest 2018: mijëra të rinj për bashkim

Në Manila të Filipineve, të rinjtë nga e gjithë bota përjetuan tri ditë intensive të përbashkëta me dëshmi feje, muzikë, art dhe nisma tjera konkrete nën shenjën e vëllazërimit. Për t'i dhënë shpresë botës duhet të jemi gra dhe burra të bashkuar, ky mesazhi që çdonjëri prej tyre sjell në shtëpi.

R. SH. - Vatikan

Në Manila të Filipineve, të rinjtë nga e gjithë bota përjetuan tri ditë intensive të përbashkëta me dëshmi feje, muzikë, art dhe nisma tjera konkrete nën shenjën e vëllazërimit e të shpresës për një të ardhme më premtuese. Për t'i dhënë shpresë botës duhet të jemi gra dhe burra të bashkuar, ky mesazhi që çdonjëri prej tyre sjell në shtëpi.

"Përtej kufizimeve e kufijve ekziston dikush që ju pret". Këto fjalë Kardinali dhe Kryeipeshkvi i Manilas, Luis Antonio Tagle, ua dorëzoi gjashtë mijë të rinjve të ardhur nga më shumë se njëqind vende të botës në Manila për Genfestin 2018.

Për tri ditë me radhë (6-9 korrik) ftesa për të shkuar përtej kufijve, për shikuar përtej kufizimeve e vështirësive, “Beyond all borders”, u lakua nëpërmjet artit, spektaklit, por mbi të gjitha përmes dëshmive të disa të rinjve që përjetojnë kufizime të  rënda e të dhimbshme në jetën e tyre personale, sociale e fetare, shkaktuar nga dhuna, konfliktet, persekutimet e situatat tjera dramatike në vendet e tyre.

Të duash, të rifillosh, të ndash bashkë me të tjerët

Para situatave të dhimbshme e shpesh edhe dramatike, që ende sot përjetojnë shumë njerëz, në vende të ndryshme të botës, posaçërisht fëmijët e të rinjtë, a ekziston një recetë për t’i kapërcyer muret, kufijtë, kufizime dhe shkaqet tjera, atëherë kur gjithçka duket se të shtyn në drejtim të kundërt, pyetën të rinjtë e Genfest-it në Manila?

Maria Voce, presidente e ‘Lëvizjes Fokolare’, që promovoi ngjarjen në Manila, propozon tri fjalë, që janë gjithashtu një program jetësor për të gjithë të rinjtë, të cilët po kthehen në vendet e tyre nga ky takim i veçantë: të duash, të rifillosh dhe të ndash bashkë me të tjerët pasurinë.

T’i duash popujt tjerë si popullin tënd; të rifillosh do të thotë të mos e humbësh kurrë shpresën se një botë tjetër, më e mirë, është e mundur dhe së treti të ndash bashkë me të tjerët pasurinë, burimet personale dhe kolektive. Kjo është sfida dhe udha që mund të përshkohet.

Dhe përfundoi duke i sfiduar të rinjtë që të jenë burra dhe gra të unitetit, njerëz që në zemrën e tyre mbajnë thesaret e çdo kulture, e që dinë edhe të jenë bujarë me të tjerët, e kështu të jenë - më në fund - burra e gra globalë .

09 korrik 2018, 14:51