Versioni Beta

Cerca

Vatican News
00247-Aosta 2000 n.2432.jpg 00247-Aosta 2000 n.2432.jpg 

Kard. Ravasi: Natyra na ofron pushimet e trupit dhe të shpirtit

Mendimi i kardinali Ravasit për përshpirtërinë e natyrës e të malit. Në muajt veror gjatë pushimeve, disa herë Papët kanë shpreh admirimin e tyre për bukuritë natyrore, të cilat shndërrohen lehtë në lutje. Pushimet janë kohë për pushimin e trupit por edhe për një përshkim në brendësi të udhës së shpirtit.

R. SH. - Vatikan

Mendimi i kardinali Ravasit për përshpirtërinë e natyrës e të malit. Në muajt veror gjatë pushimeve, disa herë Papët kanë shpreh admirimin e tyre për bukuritë natyrore, të cilat shndërrohen lehtë në lutje. Një mendim për këtë shndërrim të bukurisë së natyrës në himn lavdi për Krijuesin e saj, na e jep kard. Gianfranco Ravasi, President i Këshillit Papnor për Kulturën :“Dëshiroj të nisem nga një frazë e një shkrimtari anglez, e pikërisht e Çestertonit, i cili në një nga veprat e tij thotë: “Bota do të mbarojë jo pse i mungojnë mrekullitë, por pse i mungon aftësia për t’u mrekulluar”. Njerëzimi do ta humbasë humanitetin e vet të thellë e identitetin e vet, atëherë kur nuk do të ketë më aftësi për t’u mahnitur, për të kundruar. Posaçërisht në vizionin fetar, njeriu arrin të depërtojë në brendësinë e kozmosit – e jo rastësisht quhet kozmos, fjalë greke që do të thotë i rregullt – e të gjejë në të një mesazh të mbinatyrshëm, të gjejë shenjat e Krijuesit. Parë në këtë dritë, është e natyrshme që duhet ta kesh aftësinë për t’u mrekulluar”.

Si në Besëlidhjen e Vjetër, ashtu edhe në të Renë të Biblës, mali është gjithnjë vend i lidhur me çaste të jashtëzakonshme, që i paraprijnë vendimeve të rëndësishme: mjafton të mendojmë për jetën e Jezusit…

Kjo është më se e vërtetë! Në një farë çasti – e unë e kam bërë një herë këtë me një libër të tërë - mund të rindërtohen të gjitha malet e Biblës e janë vërtetë një vargan i pafund. Vetë Krishti në Malin e Lumturive, paraqet gati paralelisht me Sinain, ligjin e tij të ri, të plotë, të përkryer, por që lidhet gjithnjë me atë që zbriti si zëri i Zotit, përmes fjalës së Moisiut, nga ajo majë. Dua të kujtoj se ekziston, pastaj, edhe një mal gjeografikisht krejt i parëndësishëm, që tanimë mbyllet brenda një bazilike: e kam fjalën për një majë shkëmbore 7-8 metrash, për Kalvarin, në hebraisht Golgota, që u bë vend simbolikisht qendror për fenë e krishterë e, sadopak, edhe për të gjithë ata që kundrojnë misterin e dhimbjes e të shpresës”.

Kalimi i një periudhe pushimesh, nuk do të thotë të dalim nga vetvetja…

“Kjo është e vërtetë. Po e them menjëherë se fjala pushim ‘vakancë’ vjen nga latinishtja, nga folja latine ‘vacare’, që nuk do të thotë zbrazësi, boshllëk, vakuum, por impenjim, do të thotë ‘t’i kushtohesh diçkaje”. E në këtë dritë duhet ta rizbulojmë edhe ne pushimin, posaçërisht kur tundohemi të bëjmë një pushim që s’është tjetër, veçse imitim i pështjellimit, i lodhjes e i zhurmës së kohës së punës, që bëjmë gjatë gjithë vitit. Ti mendojmë, për shembull, ata që shkojnë të pushojnë në qytete të ndryshme bregdetare, të cilat në fund të fundit s’janë tjetër, veçse vise ku dëgjohen përsëri të gjitha zhurmat e përtërihen prapë të gjitha tensionet e jetës së përditshme që përjetohen në qytete. Ndërsa do të ishte mirë të kujtojmë se majat e maleve e natyra janë simbolikisht më frymëzuese e të ndihmojnë të gjesh sërish aftësinë për të hyrë në vetveten”.

S’ka dyshim që pushimet verore janë kohë e përshtatshme jo vetëm për pushimin e trupit por edhe për meditime, për një përshkim në brendësi të udhës së shpirtit. E këtë duhet të mos e harrojmë e as ta lëmë anash, megjithë mendësinë, sipas së cilës, në kohë të pushimeve sugjerojnë mbi të gjitha zbavitu, sepse e nesërmja është e sigurt, me fjalë të tjera, se pa kaluar mirë dy javë, ritmi i zakonshëm i punës dhe i familjes do të rifillojë, padyshim. Kur për një person arrin çasti i shumëpritur i pushimeve dhe mund të ndërpresë ritmin e zakonshëm të jetës dhe të përgjegjësive të përditshme, atëherë, shpesh, shfaqet edhe prirja për të hequr nga shpatullat atë që e mban të lidhur pikërisht me këto përgjegjësi. Në kosh, vendi i punës, njerëzit për të krijuar një hapësirë që duhet mbushur pastaj me kënaqësi, me pushim, me çlodhje. Te kjo dëshirë e kuptueshme dhe e drejtë njerëzore, një i krishterë duhet të gjejë jo vetëm dëfrimet por edhe pushimin e shpirtit. Mbi të gjitha pushimin e shpirtit. Këto pushime, duhet të na shërbejnë edhe për të krijuar hapësirë brenda nesh, që pastaj këtë hapësirë ta mbushim me Zotin.

Çdo i krishterë i mirë e di se pushimet janë një kohë e përshtatshme për të çlodhur trupin dhe për të ushqyer shpirtin nëpërmjet shëtitjeve, lutjeve, meditimit, kontakteve njerëzore, që pastaj të rritemi në një lidhje personale me Krishtin dhe të bëhemi një, të mishërohemi gjithmonë e më shumë me mësimet e Tij e të përforcohemi në marrëdhënie të vërteta ndërnjerëzore.

Të mos ta harrojmë Hyjin gjatë pushimeve. Ja vlen të krijosh një hapësirë për reflektim, që të futesh më thellë në vetvete, ndryshe nga ajo që bën pushuesi i zakonshëm, sepse në këtë mënyrë të pushon shpirti. Duke pasur më shumë kohë të lirë në dispozicion, atëherë mund t’i përkushtohesh më me qetësi dialogut me Zotin, meditimit të Shkrimit Shenjt, Biblës dhe leximit të ndonjë libri të dobishëm. Kush e provon këtë pushim të shpirtit, e di se sa e dobishme është që pushimet të mos kthehen vetëm në kohë zbavitjeje dhe dëfrimi.

Në këtë nismë, malet, pyjet e shkëmbinjtë ndihmojnë shumë pikërisht në procesin e pushimit të shpirtit dhe të kontaktit me natyrën. Pra e ndihmon njeriun ta gjejë vetveten, duke u bërë i aftë për Zotin, sepse në brendësi të zemrës, i hapet Amshimit. I shtyrë nga nevoja për t’i dhënë kuptim jetës, njeriu dallon në botën përreth gjurmët e mirësisë e të Provanisë Hyjnore dhe i hapet në mënyrë të natyrshme uratës e lavdeve drejtuar Hyjit, duke e shquar me të vërtetë pasqyrimin e bukurisë dhe të mirësisë së Krijuesit.

Nuk duhen harruar pastaj edhe marrëdhëniet njerëzore. Janë të shumtë njerëzit për të cilët fjala “pushime” shkon bashkë me fjalën “aventura”, si ikje nga realiteti, nganjëherë e vetmuar dhe “e shkëputur” nga lidhjet e zakonshme, nga realiteti, për t’u ngazëllyer sadopak përpara se të bëhesh hi e pluhur përgjithmonë. Por për një të krishterë nuk është aspak kështu, sepse pushimet janë një mundësi e çmuar për të ndenjur më shumë me familjarët, për t’u takuar më shumë me miq e të afërm, me një fjalë për t’i dhënë më shumë peshë kontakteve njerëzore të cilat, ritmi i punës së përditshme nuk na lejon t’i mbajmë si do të dëshironim.

Dhe ndonëse jemi të rrethuar me miq e të njohur me të cilët mund të kalojmë pushimet, le ta çojmë mendjen edhe tek ata njerëz që janë të detyruar të kalojnë në vetmi jo vetëm pushimet por edhe jetën, për shkak të sëmundjes apo thjesht pse janë të moshuar, e kërkojnë qoftë edhe për një çast të vetëm, një fytyrë a një buzëqeshje, pse këto janë pushimet e tyre. Në fund pastaj janë edhe ata njerëz që, për arsye të ndryshme nuk kanë mundësi të shkojnë me pushime. Kisha i kujton edhe këta, që të mos ju mungojë kurrë solidariteti e as afërsia e të dashurve dhe e bashkësisë së tyre.

04 korrik 2018, 15:05