Miqësia, burim i paqes

Kremtohet sot Dita botërore e miqësisë, temë me rëndësi themelore për paqen në botë, e kujtuar shumë shpesh edhe nga Papa Françesku.

R. SH. - Vatikan

Për të përhapur kulturën e paqes ndërmjet popujve, më 30 korrik, shtatë vjet më parë, OKB-ja themeloi Ditën botërore të miqësisë. Dita u shpall me bindjen se miqësia ndërmjet njerëzve mund të frymëzojë përpjekjet për paqen dhe për ndërtimin e urave ndërmjet bashkësive. Kjo ditë botërore, prandaj, luan një rol të rëndësishëm për të njohur e për të përhapur vlerën e miqësisë, si ndjenjë fisnike dhe e çmuar për jetën e të gjithëve.

Miqësia ndërmjet popujve

Aktualisht konflikte të ndryshme gjakosin një pjesë të mirë të botës, në të cilën jetojmë. Janë fryt i armiqësisë. Do të mund të zhdukeshin, nën ndikimin e miqësisë, që krijon lidhje besimi ndërmjet njerëzve e popujve, gjë që mund të kontribuojë ndjeshëm për ndërtimin e një bote më të mirë.

Dhuratë e Zotit

Temë themelore për jetën, kjo e miqësisë, e kujtuar shumë shpesh edhe nga Papa Françesku. “E morëm këtë dhuratë si fat: miqësia me Zotin, kjo është thirrja jonë: të jetojmë si miq të Zotit. Të gjithë ne, të krishterët, e morëm këtë dhuratë: miqësinë me Jezusin. Është dhuratë që Zoti na e ruan gjithnjë. E Ai është besnik në këtë dhuratë” - pati kujtuar Françesku në homelinë e Meshës, kremtuar në Shën Martë, më 14 maj 2018.

Miqësia me Jezusin

Një lidhje që, siç e pati kujtuar Papa gjatë takimit me adoleshentët e posakrezmuar, gjatë vizitës së tij baritore në Milano, më 25 mars 2017, mund të rritet falë tre veprimeve: të flasësh me gjyshërit, të luash me miqtë e të shkosh në famulli e në orator. Sepse me këto tri gjëra ti do të mund të lutesh më shumë. E lutja është filli i artë, që i lidh këto tri gjëra.

Miku e miqësia ndër shqiptarë

Fjala miqësi, shumë e çmuar, ka hyrë thellë në jetën, në psihenë e, natyrisht edhe në fjalorin e shqiptarëve, ku gjejmë një mori shprehjesh e fjalësh të urta,  që flasin vetë për natyrën dhe rolin e miqësisë ndër ne: “Mik i ngushtë”; “Mik i rremë”. “Mik i vjetër”. “Mik me (për) kokë”; “Miq për fiq”; “Mik i shtëpisë”;  “Mik pas miku”; “Miq e dashamirë”; “E rregulloi me mik”;  “I futi një mik”;  “E ka zënë  mik”; “E kam mik”; “Hiqet si mik”... E pastaj fjalët e urta: “Miku i mirë njihet mik, në të vështirë e në rrezik”; “Mikut ankoju, armikut lëvdoju”; “Më mirë pa miq, se me miq të ligj”; “Kur m'u dogjën mullarët, njoha miqtë edhe kumbarët”;  “Miku i mirë, në ditë të vështirë”; “Më mirë një mik, se një çiflig”...

E Sami Frashëri na kujton: “Miqësia është si drita e shkrepëtimës; sa më i errët të jetë vendi, aq më shumë ndriçon”.

30 korrik 2018, 11:47