Versioni Beta

Cerca

Vatican News
2018.07.29 Santa Marta di Betania 2018.07.29 Santa Marta di Betania 

Më 29 korrik kalendari kishtar përkujton festën e Shën Martës

Shën Marta, motra e Marisë dhe Lazrit. Të tre banonin në Betani, pranë Jerusalemit. Jezusi i donte fort Marinë, Martën e vëllain e tyre, Lazrin e në shtëpinë e tyre mikpritëse ndalej me kënaqësi gjatë predikimit në Jude.

R.SH. - Vatikan

Më 29 korrik, kalendari kishtar përkujton Shën Martën, motrën e Marisë e të Lazrit. Të tre banonin në Betani, një fshat pranë  Jerusalemit, mbrapa Malit të Ullinjve, vetëm 3 kilometra nga Qyteti Shenjt.
Familja e tyre duhet të ishte familje e kamur, me që qenë në gjendje t'i jepnin strehë e ushqim Jezusit me të Dymbëdhjetë Apostujt, kur këta ishin në kalim nga Galileja drejt Jerusalemit, e pastaj në ditët që i paraprinë kryqëzimit të Mësuesit Hyjnor. Jezusi i donte fort Marinë, Martën e vëllain e tyre, Lazrin, të cilin e ngjalli së vdekuri" . Të gjitha këto i gjejmë të shkruara nga Shën Gjoni e Shën Luka Ungjilltar .

Në shtëpinë mikpritëse të Martës, Marisë e Lazrit, Jezusi ndalej me kënaqësi gjatë predikimit në Jude. Në njërin rast të vizitave të Jezusit në shtëpinë e tyre, duket për herë të parë Marta. Ungjilli na e paraqet si grua të shtëpisë, mikpritëse e punëtore të jashtëzakonshme që kujdesej për pritjen e denjë të mysafirit të dashur e të lartë, Jezusit, derisa e motra, Maria preferonte të rrinte e qetë në dëgjim të fjalëve të Mësuesit Hyjnor. Prandaj nuk na befason qortimi që Marta i bën Marisë: “Zotëri, a nuk po të duket rëndë që motra ime më la krejt vetëm të shërbej? Thuaj, pra, të më ndihmojë!”.

 Përgjigjja plot dashuri e Jezusit mund të tingëlloi si qortim ndaj amvisës së zellshme e bujare: “Martë, Martë ti po brengosësh e po shqetësohesh për shumë gjëra, e pra, e nevojshme është vetëm një. Vërtet, Maria e zgjodhi më të mirën pjesë që nuk do t’i merret!”.

 Duhet nënvizuar se qortimi nuk është , thotë Shën Agostini: “Marte, ti e zgjodhe pjesën më të keqe, e Mari është më e mirë se ti”. Jezusi aspak nuk e vënë në diskutim vlerën e punës që bën Marta e as shenjtërinë e kësaj gruaje të ëmbël e të vyer, por do vetëm që zelli e kujdesi për punët e aspektet materiale të mos e kalojë kujdesin për aspektin e brendshëm, për përmasën shpirtërore të jetës. Po kështu duhet të themi se në kalendarin universal të Kishës, nuk janë të shënuar as Maria e as Lazri, por vetëm Marta, gati si për ta shpërblyer për shërbimin e zellshëm e të kujdesshëm që ajo pati ndaj Shpëtimtarit e për t’ia paraqitur figurën e Martës grave të krishtera si shembull shërbimi e pune të pakursyer e të pakushtëzuar.

Ungjilli e kujton praninë dhe punën e Martës, posaçërisht në tri momente të veçanta. Atëherë kur ankohet me Jezusin sepse e motra Maria, nuk e ndihmonte në punët e shtëpisë, por rrinte duke e dëgjuar Mësuesin. Një tjetër takim me Jezusin, Marta e pati me rastin e vdekjes së vëllait, Lazrit. Ngjarja e tretë është ajo e “darkës në Betani”, kur Marta shërben në sofër e Maria ia leu këmbët Jezusit me parfum nardi të çmueshëm e ia fshiu me flokët e vet.

Mbi vitet tjera të jetës së Shën Martës, nuk kemi të dhëna historikisht të dokumentuara, megjithëse ka shumë tregime legjendare.  Të parët që i kanë kushtuar një kremtim liturgjik figurës së Shën Martës, qenë françeskanët, në vitin 1262, më datën 29 korrik, do të thotë tetë ditë pas festës së Shën Marisë  Magdalenë, e cila gabimisht identifikohet si motër e Shën Marisë.

29 korrik 2018, 09:05