Versioni Beta

Cerca

Vatican News
Sacro volto di Gesu Sacro volto di Gesu  

Më 4 korrik kalendari kujton shën Izabelën e Portugalisë

Veshur me zhgunin e terciares françeskane, shkoi këmbëzbathur deri në Shenjtëroren e Shën Jakut të Kompostelës. Pastaj u strehua nga klariset në kuvendin e Koimbrës, themeluar prej saj e jetoi aty, por pa i bërë kushtet, të cilat do t’i merrte vetëm pak para se të vdiste.

R. SH. - Vatikan

Më 4 korrik kalendari kishtar përkujton shën Izabelën e Portugalisë. Izabela ishte bija e Pjetrit, mbretit të ardhshëm të Aragnoës, lindi në Saragozë të Spanjës më 1271, vdiq në Estremoz të Portugalisë më 4 korrik 1336.

Duke qenë bijë mbreti, ishte e natyrshme të martohej me një mbret. E këtë sigurisht që do ta vendosnin të afërmit të cilët, në sa ajo ishte vetëm 12 vjeçe, ia dhanë për nuse Dionizit, mbretit të Portugalisë. Dionizi kishte plot merita: zhvilloi ekonominë portugeze, krijoi flotën, themeloi universitetin e Lisbonës, që më pas do të transferohej në Koimbra. Ishte sundimtar i mirë, por bashkëshort i keq, gjithnjë i ngatërruar me gra të tjera, që i nxorën në dritë një mori fëmijësh, përveç dy fëmijëve që i fali Zoti me Izabelën. 

E ajo, ndonëse e fyer dhe e tradhtuar nga i shoqi, vijoi t’i qëndronte besnike në mënyrë shembullore, duke ia kushtuar gjithë vetveten fëmijëve: Alfonsit e Kostancës si dhe të sëmurëve që kishin lëngatë të këqija, siç quheshin asokohe. E jo vetëm kaq: nisi të kujdesej edhe për fëmijët që nxirrnin në dritë gratë e tjera, me të cilat së pushonte s’u ngatërruari i shoqi. Kryente kështu një vepër vërtetë të krishterë. Si mbretëreshë e madhe që ishte. E Dionisi i pabesë nuk mund të mos e ndjente epërsinë e saj morale, gjë që e vërteton çasti kur i biri, Alfonsi, çoi krye kundër t’et. Vetëm autoriteti i padiskutueshëm i Izabelës mundi ta shmangë ndeshjen e armatosur atë e bir.

Pas kësaj ngjarje, u akuzua se nxiste të birin kundër mbretit dhe u internua në Alenkuer, në veri të Lisbonës. Por shumë shpejt mbreti e thirri rishtas pranë: kishte nevojë për të, për këshillat e saj. E ajo u kthye prapë në vendin e vet, pranë mbretit. E kur Dionisi u sëmur nga një sëmundje vdekjeprurëse, ishte ajo që u kujdes për të shoqin, deri në çastin e fundit. 

Pas vdekjes së mbretit, më 1325, në fron u ul i biri, Alfonsi IV, por Izabela nuk i ndenji pranë, si nënë mbretëreshë që ishte. U bë shtegtare e pendestare. Veshur me zhgunin e terciares françeskane, shkoi këmbëzbathur deri në Shenjtëroren e Shën Jakut të Kompostelës. Pastaj u strehua nga klariset në kuvendin e Koimbrës, themeluar prej saj e jetoi aty, por pa i bërë kushtet, të cilat do t’i merrte vetëm pak para se të vdiste. Kuvendi u bë shtëpia e saj përgjithnjë. Doli që aty vetëm një herë: kur iu desh të pajtonte të birin, Alfonsin IV me Ferdinandin, mbretin e Kastiljes, dhëndrin e saj, burrin e Kostancës. Ishte 65 vjeçe.

Trupi i saj, i ligështuar nga pendesët e shumta, nuk qe më në gjendje të përballonte mundimin e një udhëtimi të bërë në kulmin e vapës. Takoi të birin e të renë, u ndal në Estremos, po nuk mundi të vijonte më tej. Lodhja dhe ethet ia këputën jetën. Trupi i Izabelës u bartë në kuvendin e Koimbrës. Më 1612 kur i zbulua gjatë bartjes për procesionin e shenjtërimit, u gjet i patretur. Kanonizimi solemn i saj u kremtua në Romë në vitin 1625, nën papninë e Urbanit VIII.

03 korrik 2018, 14:39