Versioni Beta

Cerca

Vatican News
Cristo risorto immagine su chiesa ortodossa Cristo risorto immagine su chiesa ortodossa 

Më 3 korrik kalendari kishtar përkujton Shën Tomën Apostull

Toma është Apostulli që u tregua i gatshëm ta ndiqte Jezusin në udhëtimin drejt Jerusalemit, për të vdekur bashkë me të. Kur Krishti u ngjall, në fillim ai nuk besoi, por më pas e ndreqi këtë mosbesim me besojmën e tij të fesë: “Zotëria im e Hyji im”.

R. SH. - Vatikan

Toma, peshkatar si apostujt e tjerë, thirret edhe Didimo, që do të thotë ‘Binjak’. Toma është Apostulli që u tregua i gatshëm ta ndiqte Jezusin në udhëtimin drejt Jerusalemit, për të vdekur bashkë me të. Kur Krishti u ngjall, në fillim ai nuk besoi, por më pas e ndreqi këtë mosbesim me besojmën e tij të fesë: “Zotëria im e Hyji im”.

Peshkatar, si apostujt e tjerë, thirret edhe Didimo, që në aramajke do të thotë “binjak”. Tomën e takojmë për herë të parë ndërmjet apostujve, por nuk dimë asgjë për jetën e tij të mëparshme. Nuk ia dimë as datën e lindjes, as mjeshtrinë që ushtronte. Ia dëgjojmë për herë të parë zërin, aspak entuziast, në Ungjillin e Shën Gjonit e pikërisht në Kapitullin I. Por duhet të theksojmë se ata të cilët e kujtojnë vetëm për çastin e famshëm të mosbesimit në ngjalljen e Krishtit, gabohen përsa i përket figurës së tij. Ai nuk ishte njeri me fe të paktë, siç mund të besohet, por njeri që e di mirë se nuk është aspak e lehtë të besosh. Prandaj nuk dëshiron të mbajë qëndrim hipokrit. Flet haptazi për vështirësitë e për dyshimet e tij. Shfaqet para syve tonë siç është, pa maskë. E ne na duket se na ngjet, se na ndihmon. Mosbesimi i tij, dyshimet dhe pyetjet që i bën Jezusit, na mësojnë ta thellojmë fenë. 

Tomën e takojmë edhe në Kapitullin XXII të Ungjillit të Shën Gjonit, në kohën kur Jezusi u duket apostujve në brigjet e liqenit të Tiberiades. Pastaj, për herë të fundit, për të flitet në Veprat e Apostujve (Kreu I), menjëherë mbas të Ngjiturit të Krishtit në qiell. E pastaj emrin e tij nuk e gjejmë më në asnjë shkrim. Ashtu si nuk e dimë kur e ku lindi, nuk e dimë as kur, ku e si vdiq. Disa shkrime, që mendohen si të tijat, madje edhe një Ungjill apokrif, nuk janë të besueshme. Në gjysmën e shekullit VI tregtari egjiptian Kozma Indikopleusti shkruante se kishte gjetur në Indinë jugore grupe të panjohura të krishterësh, të cilët i kishin pohuar se Ungjillin e kishte sjellë ndër viset e tyre Shën Toma Apostull. Prandaj edhe quhen “Tomokristianë”, bashkësi që vijon të jetojë edhe në kohët tona, por e përzier me besimtarë sa katolikë, aq edhe të kishave protestante e të riteve kristiano-lindore. 

Figurë shumë e dashur për Kishën e besimtarët e krishterë kudo në botë. 
Ja si na e përshkruan Papa Benedikti XVI Shën Tomën në homelinë e mbajtur me rastin e 80-vjetorit të ditëlindjes më 16. 04.2007: “Në fragmentin e sotëm ungjillor, dëgjuam edhe rrëfimin mbi takimin e Tomës me Zotin e ngjallur, që i lejon Apostullit t’ia prekë plagët e kështu ai e njeh – e njeh përtej identitetit njerëzor të Jezusit të Nazaretit, në identitetin e tij më të thellë: “Zotëria im e Hyji im!” (Gjn. 20- 28). Zoti Jezus i mbart me vete plagët e veta në amshim. Ai është Zot i plagosur; e la veten të plagosej, pse na deshi. Plagët e Tij tregojnë se Ai na kupton e se e lë veten të plagoset nga dashuria për ne. Plagët e Tij – ne mund t’i prekim në historinë e kohës sonë! Sepse Atij vijojnë t’i hapen plagë për ne. Ç’ siguri për mëshirën e tij e ç’ ngushëllim na japin! E si na sqarojnë e sigurojnë se Ai është “Zotëria im e Hyji im!”. E na kujtojnë se edhe ne e kemi për detyrë të plagosemi, të flijohemi për Të. 

Mëshira e Zotit na shoqëron ditë për ditë. Mjafton ta kemi zemrën zgjuar për ta perceptuar. Jemi tepër të prirur të merremi vetëm me lodhjen tonë të përditshme, që na është imponuar, si bij të Adamit. Por, në se e hapim zemrën tonë, ndonëse është aq e ngushtë sa të zerë vetëm vetveten, atëherë mund të vërejmë sa i mirë është Zoti me ne, si mendon për ne pikërisht në gjërat tona të vogla, për të na ndihmuar kështu të arrijmë tek të mëdhatë. 

Ndërsa në homelinë e Meshës kremtuar për Pashkët e vitit 2007, Papa Ratzinger mes tjerash theksoi: “Pas fjalëve të Krishtit të ngjallur, feja gati e shuar në shpirtrat e Apostujve, u ndez përsëri. Ata ia treguan këtë ngjarje madhore Tomës, që nuk ishte i pranishëm në atë çast të jashtëzakonshëm. Edhe njerëzimi i sotëm pret nga të krishterët një dëshmi të re të ngjalljes së Krishtit, një dëshmi për takimin me të Ngjallurin, sepse ka nevojë ta takojë e ta njohë si Zot të vërtetë e Njeri të vërtetë”. 

“Në se përmes këtij Apostulli, Tomës mund t’i davaritim dyshimet e paqartësitë e shumë të krishterëve të sotëm, frikën e zhgënjimet e bashkëkohësve tanë të panumërt, me të mundemi edhe të rizbulojmë, me bindje të re, fenë në Krishtin që vdiq e u ngjall për ne. Kjo fe, e trashëguar brez pas brezi nga pasardhësit e Apostujve vijon, sepse Zoti i ngjallur nuk vdes më. Ai jeton në Kishë dhe i prin pushtetshëm drejt përmbushjes së planit të tij të amshuar shëlbues”.

Secili nga ne, mund të tundohet nga mosbesimi i Tomës. Thua s’e vënë në provë të rëndë fenë tonë dhimbja, e keqja, padrejtësitë, vdekja, posaçërisht kur peshojnë mbi njerëzit e pafajshëm – për shembull mbi fëmijët, viktima të luftërave dhe të terrorizmit, të sëmundjeve e të urisë? 
E pra, në kundërshtim me çdo arsye të mirë, pikërisht në këto raste, mosbesimi i Tomës bëhet i nevojshëm e i çmuar për ne, sepse na ndihmon të pastrojmë çdo konceptim të rremë të Zotit i cili, në Krishtin, i mori mbi vete të gjitha varrët e njerëzimit të plagosur”. 

Toma mori nga Krishtit Gjallë e pastaj ia përcolli Kishës dhuratën e një feje të vënë në provë nga mundimet dhe vdekja e Jezusit e të përforcuar nga takimi me Të, të Ngjallur. Kjo fe gati-gati e vdekur rilindi, falë prekjes së varrëve të Krishtit, plagëve të cilat i Ngjalluri nuk i fshehu, por i tregoi e vijon të na i tregojë në mundimet e vuajtjet e çdo njeriu. E pikërisht këto plagë, që për fenë e Tomës në fillim ishin pengesë, bëhen prova të një dashurie ngadhënjimtare .Vetëm një Zot që do aq, sa të marrë mbi vete plagët tona e dhimbjet tona, posaçërisht ato të njerëzve të pafajshëm, është i denjë për t’u besuar.

03 korrik 2018, 09:42